Së fundi, u krijua shumë zhurmë për një shtëpi të blerë nga presidentja Vjosa Osmani dhe bashkëshorti i saj.
Fillimisht, u raportua se ata kanë blerë shtëpi të dytë në lagjen luksoze “Marigona Hill”.
Mirëpo, një gjë e tillë u mohua nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes thekson se Osmani ka vetëm një shtëpi në lagjen “Marigona Hill”, e që sipas tyre vlera nuk është gjysmë milionë euro, por duke mos treguar vlerën e saktë.
Siç u potencua në reagimin e Zyrës së Presidentes një shtëpi në Australi është blerë nga bashkëshorti i presidentes, Prindon Sadiu.
Siç thonë ata, blerja është bërë nga shitja e dy shtëpive të tjera.
“Presidentja e ka vetëm një banim në varg në atë lagje, e cila nuk e ka vlerën gjysmë milion euro, ndaj as përafërsisht nuk është blerë në atë vlerë. Të gjitha informatat janë në deklarimet vjetore të pasurisë. Paparaci po i keqpërdorë informatat e banimit në varg të bashkëshortit të Presidentes që gjendet në Australi, (i cili është blerë nga shitja e dy shtëpive të tjera), për ta paraqitur atë si gjoja shtëpi të dytë në Marigona Hill”, thuhet në reagimin e Zyrës së Presidentes.
Megjithatë, në lidhje me blerjen e kësaj shtëpie në Australinë e largët, u hodhën disa dyshime.
Duke parë, situatën e brishtë të sigurisë në Kosovë, dhe paralajmërimet për luftë, disa po e shohin ‘shtëpinë në Australi” si shpëtim në rast të shpërthimit të një konflikti.
Mirëpo, sa qëndron një gjë e tillë folën ekspertët për “Bota sot”.
Shala: Udhëheqësit tanë mund të kenë informacione relevante që cenohet siguria nacionale e Kosovës
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se situata e sigurisë në vend është e tensionuar.
Sipas tij, Kosova ka aftësi për të përballuar kërcënimet nga formacionet ushtarake, kriminale e inteligjente nga jashtë (Serbia).
“Situata aktuale në sferën e sigurisë mund të konstatojmë që është e tensionuar si pasojë e ndikimit të drejtpërdrejtë të nivelit politik mbi proceset e sigurisë në përgjithësi, por edhe veriut në veçanti.
Kosova ka dëshmuar që është në gjendje të përballojë kërcënimet e tilla që kanë qëllim cenimin e sigurisë kombëtare nga formacionet ushtarake/inteligjente/kriminale nga jashtë”, deklaroi ai.
Krahas kësaj, Shala kërkoi që të rritet gatishmëria me partnerët ndërkombëtarët për t’i ofruar siguri Kosovës.
“Por, që në aspektin e mbrojtjes ne do të duhet ta rrisim gatishmërinë e bashërendimit me partnerët tanë dhe të fillohen hapat e parë drejtë marrëveshjeve shtet me shtet për t’i ofruar siguri dhe mbrojtje Kosovës në rast invazionit eventual ushtarak të Serbisë”, theksoi ai.
Në fund, eksperti i sigurisë, nuk përjashtoi mundësinë e ripërsëritjes së terrorit të 24 shtatorit, derisa vlerësoi se udhëheqësit, përfshirë edhe Osmanin, kanë informacione relevante për sigurinë në vend.
“24 shtatori 2023 mund të na ri-përsëritet në rast se hyjnë shumë faktorë relevant në veprim dhe për këto veprime janë të njohur edhe udhëheqësit tanë mund të kenë informacione relevante që cenohet siguria nacionale e Kosovës”, përmbylli Drizan Shala për “Bota sot”.
Haziri: Shtëpia e blerë në Australi nga ana e presidentes Vjosa Osmani, nuk ka të bëjë asgjë më çështjen e ndonjë lufte eventuale
Për këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot”, foli analisti politik, Nexhat Haziri.
Fillimisht, ai vlerësoi se shtëpia e blerë nga presindetja Osmani, nuk vjen si pasojë e rrezikut për një luftë në Kosovë, por për të fshehur pasurinë e saj.
“Shtëpia e blerë në Australi nga ana e presidentes Vjosa Osmani, nuk ka të bëjë asgjë më çështjen e ndonjë lufte eventuale. Thjesht është forma e pasurimit përmes politikës dhe tentimi i fshehjes së kësaj pasurie duke e bartur atë edhe në vende të tjera. Pra, siç është rasti me shtëpinë e presidentes në Australi, duke pasur edhe dy të tjera në Kosovë, madje në lagjet me të shtrenjta të kryeqytetit”, theksoi analisit.
Po ashtu, Haziri bëri një krahasim me ish-pushtetarët, ku tha se politikanët në Kosovë e shohin politikën si mjet për pasurim.
“Pra, asgjë e re apo diçka e panjohur për realitetin e skenës politike kosovare tash e mbi dy dekada, ku politika është parë si mjet për t’u pasuruar, dhe presidentja në këtë rast, nuk ka vepruar më ndryshe se sa ish-komandantët e luftës që iu kthyen zejes së politikës për t’u pasuruar, siç ishte z. Thaçi, Haradinaj, Limaj, e të tjerë”.
Ndër të tjera, ai tha se në esencë nuk ka rrezik për shpërthim të një lufte në rajonin e Ballkanit.
“Ky regjim qe unë e quaj neo-komunist, nuk dallon fare, në asnjë aspekt me regjimet e korruptuara të klanit “PRONTO” apo klanit të Gllogjanit. Ndërsa, sa i përket luftës, vërgllimen e armëve po e bëjnë vetëm liderët autokrat në rajon siç është Vuçiqi e Kurti për t’i ruajtur pushtetet e tyre, jo që në esencë ka rrezik potencial për të shpërthyer luftë në rajonin tone”, përfundoi Nexhat Haziri për “Bota sot”.