Gjatë ditës së sotme presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tha sot se Serbinë e presin javë dhe muaj të vështirë.
Kjo sepse qëllimi kryesor i bashkësisë ndërkombëtare është që ta detyrojë Serbinë, në një mënyrë apo në një tjetër, duke e vendosur atë në një kornizë të caktuar ligjore, deri te njohja e pavarësisë së Kosovës, për të cilën ai përsërit se nuk do të pajtohet.
E në lidhje me këtë deklaratë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur avokati Tomë Gashi.
Ai tha se e gjithë kjo deklaratë është vetëm ‘fasadë’ kinse Vuçiq ka presion nga ndërkombëtarët.
“Kjo deklaratë është për përdorim të brendshëm në Serbi dhe Vuçiqi e bën këtë për të treguar kinse ka presion të madh nga Bashkësia Ndërkombëtare për ta pranuar pavarësië e Kosovës dhe se ai këtë nuk do ta pranojë”, u shpreh ai.
Gashi thotë më tej që prapavija e kësaj deklarate është që ai të votohet më 17 dhjetor kinse do ta mbajë Kosovën në Serbi.
“Pra kërkon që të votohet ai më 17 dhjetor përsëri si president i Serbisë sepse sipas tij vetëm ai do ta mbajë Kosovën në Serbi. Përralla të Vuçiqit për ta mbajtur pushtetin”, përfundoi Tomë Gashi për “Bota sot”.
Kujtojmë që përpjekjet e ndërkombëtarëve për një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë po vazhdojnë.