Gjatë ditës së sotme shqiptarët anë e mbanë trojeve, si dhe ata në diasporë kanë festuar 28 nëntorin, Ditën e Flamurit. Kjo datë u shënua me ceremoni të shumta, ku u nderuan heronjtë e kombit dhe u kujtua sakrifica e tyre për liri dhe pavarësi.
Për të ardhur deri në këtë ditë shqiptarët u përballën me vështirësi të mëdha. Madje, edhe tash që jemi në shekullin 21 ata vazhdojnë të sfidohen nga politika e padrejtë e Evropës.
Në këtë gjendje pak a shumë janë edhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, që ndonëse të drejtat e tyre kanë avancuar, mbetet ende punë për t;u bërë në këtë drejtim.
Në lidhje me këtë për gazetën “Bota sot” foli, profesori nga Maqedonia, Sulejman Mehazi.
![Image](/media/botasot.info/images/2023/November/28/auto_mehazi1701188561.jpg)
Sipas Mehazit, kjo 28 nëntori për shqiptarët në Maqedoni është më shumë festë formale sesa përmbajtjesore e cilësore.
“Festa themeltare e bazike kombëtare e "28 Nëntorit" për shqiptarët e Maqedonisë Veriore më shumë është formale e sasiore sesa përmbajtjesore e cilësore, si gjithmonë jo vetëm shqiptarët e RMV-së, por edhe të Shqipërisë e Kosovës gjatë "28 Nëntorit, në dorë mbajnë flamurin kuq e zi me shkabën në mes, por në brendësi të zemrave të tyre e largët dhe e ftohtë është "28 Nëntori", zemrat e shqiptarëve vuajnë për t'u larguar e ikur nga trojet e tyre kah sytë këmbët për të zbrazur e varfëruar "28 Nëntorin" e shqiptarëve”, u shpreh ai.
Mehazi theksoi se shqiptarët e RMV-së e presin festën më të madhe kombëtare të "28 Nëntorit" të përçarë e të copëtuar në 7- 8 parti politike.
“Për këta politikanë më të vlefshme janë flamujt, himnet dhe stemat e partive të tyre sesa flamuri, stema dhe himni i kombëtar i Ismail Qemalit. Në emër të "28 Nëntorit" partitë politike do prezantojnë patriotizmat e tyre partiake e kurrsesi ato kombëtare. "Avansimi" i shqiptarëve në RMV gjatë festës së shenjtë të "28 Nëntorit" nuk do jetë për zhbërjen e 20% shit të shqiptarëve nga kushtetuta, por futjen e pakicës bullgare në kushtetutën e RMV-së”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, ai tha se "avancimi" i shqiptarëve nuk do jetë gjuha e qind për qind zyrtare e shqipes, por gjuha e qind për qind bullgare në kushtetutën e RMV-së/
“"28 Nëntori" do t'i pres funksionarët shqiptarë me rritjen e 75% të rrogave të tyre, pushtetarët shqiptarë "28 Nëntorin" do ta festojnë gëzueshëm për shkak pezullimit të veprave të tyre kriminale për t'u mos u burgos si shkak për të shpëtuar pushtetarët e korruptuar së pari pezullojnë veprat kriminale të ish kryeministrit maqedonas Gruevskit për t'u kthyer në RMV si i pafajshëm, kurse burgosja dhe vuajtja e dënimeve të shqiptarëve nëpër burgjet maqedonase nuk falet nga gjyqet maqedonase.
Aq janë "avansuar" shqiptarët sa që festa e madhe e "28 Nëntorit" në RMV nuk është festë shtetërore, por ditë pune”, përfundoi ai.