Sot janë mbushur 22 vjet nga vrasja e deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Smajl Hajdaraj.
17 janari i vitit 2002 do të ishte i kobshëm për familjen e deputetit Hajdaraj, për LDK-në dhe gjithë Kosovën. Kjo ishte një nga vrasjet më tronditëse në Kosovën e pasluftës.
Deputeti Hajdaraj u qëllua për vdekje para banesës së tij, në të njëjtën mënyrë si Xhemail Mustafa e Enver Maloku.
Vrasja e Smajl Hajdarajt vazhdon të mbetet një enigmë e pazgjidhur tash e 22 vjet.
Publicisti Nexhat Haziri, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se moszbardhja e vrasjes së Hajdarajt sikurse edhe vrasjet e shumë personaliteteve të tjera të LDK-së u bë për shkak të mungesës së vullnetit politik.
“Edhe tani kur po e kujtojmë 22 vjetorin e vrasjes së deputetit të LDK-së, Smajl Hajdaraj, drejtësia akoma nuk e ka dhënë fjalën e vet në zbardhjen e kësaj vrasje politike sikur edhe për vrasjet e tjera të personaliteteve politike , bashkëpunëtorëve të ngushtë të presidentit historik të Kosovës , Dr. Ibrahim Rugovës, të vrarë gjatë dhe pas periudhës së luftës. E kam thënë edhe në deklarata të tjera, shkrime dhe prononcime ndër vite, se mos zbardhja e këtyre rasteve, pra edhe të vrasjes së Smajl Hajdarajt është bërë për shkak të mungesës së vullnetit politik nga të gjitha pushtetet apo qeveritë duke filluar nga administrata e UNMIK-ut e deri të institucionet e shtetit të pavarur të Kosovës dhe ndikimit tjetër ndërkombëtar që është kalkuluar në mes zbardhjes së këtyre vrasjeve dhe të stabilitetit politik e të sigurisë së brendshme, për arsyen se edhe pak ato hetime që janë bërë, gjysmake, kanë quar deri te përgjegjësia e personave me pushtet të fortë politik e institucional në Kosovës”, ka thënë Haziri për gazetën “Bota sot”.
Sipas Hazirit, jo që nuk ka pasur prova, e as që nuk janë identifikuar pistat, thjesht zbardhja e rastit është dështuar qëllimisht për shkak të rrethanave të kohës.
“Dhe natyrisht se me këtë iu është bërë padrejtësi jo vetëm ndaj këtyre personaliteteve të vrara, dhe familjeve të tyre , por në përgjithësi ndaj Kosovës dhe të ardhmes së saj si shoqëri demokratike, ku krimi i pandëshkuar është kërcënim permanent të përsëritjes së tij. Shpresoj që Gjykata Speciale ta ketë në fushëveprimin e saj edhe zbardhjen e vrasjes së luftëtarit të lirisë, deputetit të LDK-së Smajl Hajdarajt, por edhe zbardhjen e të gjitha vrasjeve politike në Kosovë”, ka përfunduar Haziri.
Smajl Hajdaraj u lind më 23.04.1951 në fshatin Dugaivë të Rugovës, në një familje atdhetare rugovase.
Shkollën fillore e kreu në Haxhaj, kurse gjimnazin në Pejë.
Fakultetin teknik –degën e Elektroteknikës e kreu në Prishtinë në vitin 1980 .
Fillimisht punoi mësimdhënës në Shkollën e Mesme Teknike ”Shaban Spahia” në Pejë, ndërsa në vitin 1980 u punësua në Elektroekonominë e Kosovës-Distribucioni në Pejë, si shef i energjetikes.
Me aplikimin e masave të dhunshme në Elektroekonomi-Distribucioni në Pejë,në vitin 1990,ai largohet nga puna.
Në ndërkohë zgjedhet kryetar i Sindikatës së Distribucionit në Pejë dhe anëtar i kryesisë së Sindikatës së pavarur të Elektroekonomisë së Kosovës.
Në Lidhjen Demokratike të Kosovës është angazhuar që nga themelimi i saj,kurse kryetar i Nëndegës për Rugovë është zgjedhur në vitin 1997.
Në vitin 1998 u zgjodh komandant i Shtabit Rajonal të UÇK-së për Rugovë.
Në tetor të vitit 2000 u zgjodh deputet në Asamblenë Komunale në Pejë, kurse në nëntor të vitit 2001 u zgjodh deputet i Kuvendit të Kosovës.