Zgjedhje të reja në Kosovë tash e një kohë po flitet që do të mbahen.
Opozita shprehet e bindur që LVV do të dal humbëse në këto zgjedhje dhe se të njëjtit do të kalojnë në qeverisje, por njëjtë nuk mendojnë ata nga LVV.
Është deputeti i VV-së, Dimal Basha që thotë se zgjedhje do të ketë dhe partia e tij vazhdon të jetë triumfuese krahas opozitës.
Basha në një intervistë theksoi se, AAK e Nisma janë bërë bashkë që ta kalojnë pragun.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik Faton Mehmeti.
Ai thotë që pajtohet me deputetin Basha duke parë edhe vullnetin e qytetarëve.
“Padyshim se pajtohem me deklaratën e z.Basha, sepse kjo është e vërtetë. Edhe rivalët politikë privatisht e pranojnë se VV, për momentin është larg tjerave. Kjo bazuar në vullnetin e qytetarëve, andaj nuk kam pse të mendoj edhe unë ndryshe përveç se në parim të pajtohem me deputetin Dimal Basha”, u shpreh ai.
Analisti jep një parashikim për opozitën nëse zhvillohen zgjedhjet.
“E vërteta tjetër është se Nisma ka synim të kalojë pragun duke u bashkuar me ndonjë parti tjetër, vet nuk ia arriti ndaj edhe këtë ka synim. Derisa AAK vetëm mund të pësojë fatin e Nismës, ngase nuk ka bërë reforma, s’ka kuadro të reja që do të sjellin vota. Për mua do të ishte e befasishme nëse AAK rritet, mbase e kalon pragun por me vështirësi”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”.
Kujtojmë që Këshilli i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka vendosur për koalicionin parazgjedhor AAK-NISMA.