BE dhe SHBA kanë reaguar lidhur me komunat paralele serbe në Kosovë dhe me dinarin serb, ku për këtë gjë kanë kritikuar ashpër Kosovën.
Së pari, ishte Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ku mbrëmë tha se qeveria amerikane është thellësisht e shqetësuar me veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës.
Hovenier përmendi çështjen e dinarit dhe mbylljen e komunave paralele në Dragash, Pejë, Istog dhe Klinë, teksa tha se këto veprime po i rrisin në mënyrë të panevojshme tensionet etnike dhe si pasojë “po i kufizojnë mundësitë që ShBA-ja të shërbejë si avokuese për Kosovën në arenën ndërkombëtare”.
Më pas, reagoi edhe Bashkimi Evropian për mbylljen e këtyre komunave paralele, duke thënë se mbyllja e tyre do të ketë efekte negative.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë se BE-ja i kërkon Kosovës që të shmangë veprimet që mund të rrisin tensionet dhe t’i adresojë këto çështje përmes dialogut.
E për këtë çështje në një prononcim për “Bota sot” foli avokati shqiptar, Spartak Ngjela.
Ai mbështeti fuqishëm liderët e Kosovës, Kurtin e Osmani, derisa tha se ata po po punojnë në interes të kombit.
![Image](/media/botasot.info/images/2024/February/04/auto_501707059152.jpg)
“Asgjë. Të gjithë do të kthejnë, sidomos ato shtete që e kanë njohur Kosovën.
Duhet të kujtohemi gjithmonë që Albin Kurti, qeveria dhe presidentja e Kosovës Osmani, janë në realitet kombëtar dhe në mbrojtje të interesit kombëtar, kurse gjithë të tjerët janë në politikë. Domethënë janë shumë larg nga e vërteta”, u shpreh avokati shqiptar.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet ta mbrojë territorin e shtetit, derisa të tjerët kanë të drejtë të reagojnë me deklarata politike, por që nuk mund ta cenojnë integritetit territorial të Kosovës.
“Kosova duhet vijimisht të japë forcën e saj në mbrojtje dhe në rivlerësimin e territorit të saj si shtet. Të tjerët kanë të drejtë të bëjnë politikë, por askush nuk ka të drejtë të cenojë integritetin territorial të shtetit të Kosovës.
Ky është realiteti: Kosova duhet të mbrojë territorin në të gjithë politikën e saj, dhe kjo është domosdoshmëri historike”, përmbylli Spartak Ngjela për “Bota sot”.