Publicisti nga Gjermania, Idriz Zeqiraj në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli mbi presionin për themelimin e Asociacionit dhe disa kërkesa të ndërkombëtarë ndaj Kosovës.
Së pari, tha se pavarësisht se krerët e BE-së ia sollën në tavolinë Kosovës draft-statutin e Asociacionit, pothuajse, "merre ose lëre", si shtetarët e vendit tonë nuk i shfrytëzojnë mundësitë ligjore për kundërvënie ndaj pretendimeve territoriale të shtetit serb.
“Pas shumë kundërshtive legjitime, përfshirë edhe autoritetin kushtetutar, BE-ja, respektivisht, dy vendet e QUINT-it, Franca dhe Gjermania, përkatësisht, krerët shtetërorë të tyre, sollën në tavolinën e bisedimeve një Draft-statut të Asociacionit, pothuajse, "merre ose lëre", të kalaveshur me shumë kompetenca, që tejkalojnë çfarëdo Asociacioni komunash ballkanike e botërore!
Është sa e çuditshme, po aq e tmerrshme, pse Kosova, respektivisht, shtetarët, pushtetarët, intelektualët e mirëfilltë të Kosovës, nuk i shfrytëzojnë, madje, as për së afërmi, mundësitë ligjore e faktike, për kundërvënie pretendimeve territoriale dhe favoreve tjera të Serbisë, edhe pas pushtimeve dhe vrasjeve masive të shqiptarëve, një shekull e gjasmë radhazi?!”
Krahas kësaj, Zeqiraj përmendi faktin se si OKB deklaroi se marrëveshjet nga viti 1990-1999 të Millosheviqit nuk janë më valide, por që ndërkombëtarë po kërkojnë me ngulm që Qeveria e Kosovës t`ia bartin pronësinë, kadastrimin Manastirit.
“OKB-ja ka deklaruar se asnjë marrëveshje dhe vendim i presidentit kriminel serb, Sllobodan Millosheviq, nga viti 1990 deri më 12 qershor 1999, nuk është valid, është nul-zero". Ndërkohë, me vendim të vitit 1997 (maj), Millosheviq ia dhuron Manastirit të Deçanit 24 hektarë tokë parkore, një fabrikë, hotel-pushimore, me objekte tjera shoqëruese, duke e mbyllur edhe rrugën klasike shumë-shekullore, të dy fshatrave, njëkohësisht, rrugë bjeshkore për kullotjen e bagëtive dhe të shfrytëzimit të pyjeve dhe të pasurive shtetërore, për 40 mijë banorë të komunës së Deçanit.
Edhe pse OKB-ja i konsideron jo valide, madje, nul-zero, vendimet e Millosheviqit, paradoksalisht, sot, ndërkombëtarët: SHBA, BE ngulmojnë që Qeveria e Kosovës, përkatësisht, zyrtarët e komunës të Deçanit, t`ia bartin pronësinë, kadastrimin Manastirit, sepse këtë po e kërkon Kisha Serbe, Vuçiqi, Serbia!” – u shpreh ai.
Gjithashtu, publicisti përmendi një deklaratë të shefit të shërbimit sekret francez, kur deklaronte se Thaçi është agjent i tyre.
“Shefi i Shërbimit Sekret francez, Pierre Seramy, në televizionin - CANAL +, - ka deklaruar, publikisht, se Hashim Thaçi është agjent i ynë, agjent i Francës. Atë e rekrutoi agjenti i Sigurimit DGSE, Arnaud Danjean, dhëndër i Serbisë, në vitet `90-a, në Cyrih dhe Gjenevë të Zvicrës".
Që nga ajo kohë ai ishte agjent i Francës dhe përmes saj, edhe i Serbisë. Agjenti Arnaud, në koordinim me Sigurimat shqiptarë enveristë, tashmë, në shërbim të social-komunistëve të presidentit Mejdanit dhe të SHISH-it të Klosit, e instruktuan Thaçin dhe disa hafije të UDB-së, për ta marrë pushtetin me dhunë e përgjakje. Dhe, këtë e bënë gjatë dhe pas luftës, duke vrarë ushtarakët luftë-bërës të FARK-ut të Ibrahim Rugovës, kuadrot, veprimtarët dhe aktivistët e LDK-së, gazetarët-reporterë të luftës, por edhe brenda llojit, LPK-së, kuadro të saj të hershëm, për të shmangur konkurrencën e mundshme, të pritshme”, shpjegoi ai.
Bashkëpunimi agjenturor Danjean-Thaçi
Po ashtu, Zeqiraj citoi edhe disa deklarata se si veteranët e LPK-së treguan se si Danjen e përgatit Thaçin për t’i marrë të gjitha postet, përshirë atë të themeluesit të UÇK-së.
“Bashkëpunimi agjenturor Danjean-Thaçi u zbulua së pari, nga miku i Hashimit, Bardhyl Mahmuti. Danjean, euro-deputet, i mbante afër Thaçin, e përgatiti për t`i përvetësuar të gjitha postet: themelues i UÇK-së, drejtor Politik i saj, kryetar i Rambujesë! Shokët e tij e thonë, me gojë e shkrim, se askush nuk e ka votuar, nuk e ka zgjedhë në këto poste. Madje, 4 (katër) nga pretenduesit-themeluesë të UÇK-së, përfshi edhe Jakup Krasniqin, akuzojnë me emër, sipas funksioneve të kohës së luftës, Hashim Thaçin, Azem Sylën, Xhavit Halitin, Kadri Veselin, se sabotuan luftën, bashkë me agjentin Danjean, bandën social-komuniste të Tiranës zyrtare, Serbinë, duke bojkotuar dhe penguar futjen në luftën e Kosovës të "UÇK-së të LPK-së". E përsërisë, këtë e thonë, me gojë dhe shkrim, veteranët e LPK-së, partiakët e tyre”, nënvizoi publicisti.
Më tej, ai foli edhe për mbylljen e Urës së Ibrit dhe shpërnguljen e shqiptarëve të veriut, të cilët tha se i gënjyen Thaçi dhe Veseli, duke i mashtruar protestuesit se do t’i kthejnë sërish në shtëpitë e tyre.
“Tendenca për t`ia faturuar refuzimin e nënshkrimit të Marrëveshjes të Rambujesë dhe të tjera pisllëqe, Demaçit, pas vdekjes, janë truke të agjentit frengo-serb, Danjean, i cili, me porosi të Serbisë, donte dështimin e Marrëveshjes të Rambujesë.
Mbyllja e Urës së Ibrit, vrasjet e një duzinë shqiptarësh dhe shpërnguljen e mijëra të tjerëve, në prani të Hashimit dhe të Kadriut, si dhe mashtrimi i protestuesve se "së shpejti do t`ju kthejmë në shtëpitë e tuaja", janë vepra tradhtie të këtij binomi famëkeq.
Krimet serike numerike dhe faktike vrastare, të kundërshtarëve politikë, u bënë, pothuajse, - një e fshehtë publike!
Dosjet ishin lehtësisht të hartueshme, nga Serbia dhe ndërkombëtarët. UNMIK-u u dorëzua para krimit, nga frika apo paraja, atë e dinë ata. Edhe pse të gjitha arrestimet e kriminelëve, qofshin vrastarë apo hajnorë, nga UNMIK-u, më vonë nga EULEX-i, kanë qenë të sakta, meritore në krime. Megjithëse, janë hetuar e zbuluar mjaftueshëm, për çudi ose janë liruar pa gjyq fare, ose janë dënuar - simbolikisht! Edhe ata që janë dënuar pak më shumë, të gjithë janë falur në heshtje, ose amnisti të porositura!” – shpjegoi Zeqiraj.
“Kosova nuk ia kishte borxh këtë të keqe të madhe Francës”
Në vazhdim, publicisti tha se është e tmerrshme se si gjatë këtyre viteve Parlamenti i Kosovës nuk po i shpall vendimet e kohës së Millosheviqit dhe aprovimet e tyre me trysninë të Thaçit, si të pavlefshme.
“Shumica e "komandantëve të LPK-së", të zhytur në krime, me dosje faktike, janë rrastë të shantazhuar. Rrjedhojë e këtij shantazhimi, janë edhe aprovimi si: Debelldeja, Demarkacioni, Asociacioni, aprovimi i tokës për Manastirin e Deçanit, sot, dhe nesër edhe për kishat tjera, të ndërtuara me vendime të Millosheviqit, por edhe të opozitës të sotme.
Heshtja dhe hezitimi i djeshëm dhe i sotëm i Parlamentit të Kosovës, për të mos i shpallur të pavlefshme, inekzistente vendimet e kohës të Millosehviqit dhe aprovimet e këtyre vendimeve, të bëra nën trysninë e tmerrshme të Hashim Thaçit, me komandantët e tij kriminelë, janë krimi tjetër i radhës”.
Në fund, ai tha se duhet rikujtuar disa gjëra Macronit, duke përmendur një të keqe të madhe që Franca ia bëri Kosovës.
Ku shtoi se, Kosova ende po i vuan vendimet që Thaçi ka marrë në të kaluarën si “agjent i rekrutuar”.
“Zotit Macron duhet kujtuar se për rekrutimin e Hashim Thaçit, nga agjenti francez Arnaud Danjean, ishte me dijeninë e Krye shefit të Shërbimit Sekret francez, Pierre Seramy. Prandaj, Franca ka fajësi direkte për të gjitha "të bëmat" e tij, konkretisht, vënien e Hashimit në shërbim të Serbisë. Kosova nuk ia kishte borxh këtë të keqe të madhe Francës.
Atëherë, duhet referuar një doktrine juridike ndërkombëtare: Clausula "Rebus Sic Stantibus", e cila jep mundësi të korrigjimit, zhbërjes të -Marrëveshjeve e kontratave ndërkombëtare të nënshkruara, nëse rrethanat ndryshojnë dukshëm, nga koha kur janë nënshkruar.
Dhe, duke qenë strumbullar i të gjitha këtyre proceseve, vendimtare për atdheun-Kosovë, një agjent i rekrutuar, si Hashim Thaçi, me shokë, për llogari të Serbisë dhe i shantazhuar me dosje të krimeve të bollshme, pasojat e kësaj tradhtie, po i vuan Kosova dhe populli i saj. Këndellja e pushtetarëve, pozitë dhe opozitë, duhet ta vënë pikën mbi "i", duke denoncuar krimet, të bashkohen, për të shpëtuar atë që mund të shpëtohet. Përndryshe, tradhtia nuk ka brirë!” – përmbylli Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.