Ish eprori i lartë i UÇK-së dhe ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së po e quan “Shtab të multimilionerave të përgjithshëm”.
Miftari thotë se tashmë po del e vërteta dhe nuk ka pasur Shtab të Përjgithshëm të UÇK-së.
Sipas tij, rolin e Shtabit e ka keqpërdorur “Shtabi i Rognerit” në Tiranë.
“Tashmë po del e vërteta se kurrë nuk ka pasur Shtab të Përgjithshëm të UÇK-së, por rolin e tij e luante dhe e keqpërdorte Shtabi i Rognerit në Tiranë me Hashim Thaçin, Xhavit Halitin, Kadri Veselin, Azem Sylën, Adem Grabovcin...”, shprehet Miftari.
Ai “Shtabin e Rognerit” e quan fantom që u ndihmu nga disa komandantë.
“Shtabi i Rognerit (fantom), veç në letra ndihmohej nga disa komandantë nga Grupi i Drenicës me naj individ aty këtu nga Dukagjini dhe rrethina e Klinës. Këta së bashku përvetësonin paratë, ndihmat dhe fondet e luftës dhe përvetësonin me komunikata të rrejshme nga Banhofet e Evropës, po ashtu edhe vet aksionet dhe luftën e vërtetë të ushtarëve real të UÇK-së dhe grupacioneve tjera që luftonin e kontribuonin në luftën për lirinë e Kosovës”, thekson ai.
Ish-agjenti shprehet se në një anë luftonin e vritesin luftëtarët, ndërsa në anën tjetër disa profiterë kanë përvetësuar para.
“Pra, në njërën anë luftonin e copëtoheshin në beteja, vriteshin e plagoseshin trimat e luftëtarët e vërtetë, ndërsa në anën tjetër përvetësonin profiterat dhe hajnat bashkë”, shton ai.
Sipas tij, po e the të vërtetën të etiketojnë dhe linçojnë.
“Ne jemi popull fenomenal, po e the të vërtetën dhe realitetin popullit tonë, ata të etiketojnë dhe të linçojnë si një tradhtar, të izolojnë, të injorojnë, të ndrydhin e rrezikojnë edhe jetën tuaj dhe familjes tuaj, por po i rrejte, i tradhtove, i vjedhe, po ngajte pas pasurisë e pas kurvave dhe i bëre 100 mijë dallavere tjera, jeton si pasha i Stambollit dhe shpallesh hero i gjallë”, përfundon Naim Miftari.