Mandati i KFOR-it në Kosovë është për ruajtjen e paqes, dhe këtë po e bën që nga viti 1999.
Situata më e tensionar është në pjesën veriore të Kosovës, gjë që ka bërë që edhe trupa ushtarakë të ketë aty më shumë.
Profesori Muahmet Kelmendi ka thënë se KOFR-i në Kosovë ka për detyrë sigurinë e plotë.
Sipas tij, deria tani në Kosovë janë mbi 5 mijë trupa të KFOR-it, të cilët janë të vendosur kryesisht në veri të Kosovës, aty ku tensionet mbesin akoma.
“Kosova është nën kontrollin e NATO-së që nga viti 1999. Atëherë u vendos KFOR-i nga ana e NATO-s. Tash gjinden rreth 5000 ushtarë të NATO-së në Kosovë. Kryesisht janë të vendosur në veri të Kosovës, në katër komunat e banuara me shumicë serbe. Pikërisht këtu u bë më 24 shtator 2023 një agresion terrorist serb, me qëllim që këtë pjesë të Kosovës të ndajnë nga Republika dhe t'i bashkojnë ato komuna me "majka Serbia", mbi bazën e realizimit të" botës serbe". Vendosja e NATO-së në Kosovë bëri të mundur që të sigurohet një qetësi relative në Republikë dhe kështu edhe në rajon.
NATO ndikoi edhe në ndërtimin e një ushtrie të Kosovës konform parimeve të NATO-s. Kështu u ndërtua FSK dhe tash ka arritur që të ketë një përmbajtje të njëjtë me shtetet anëtare. NATO me forcat e veta të vendosura në Kosovë bëri punë të madhe edhe në ruajtjen e paqes dhe një gjendjeje stabile në Ballkanin Perëndimor”, thotë ai.
Ai tutje, ngrit vlerat dhe punën e KFOR-it, duke thënë se forcat e tij penguan marshimet e botës serbe duke bashkuar forcat e tyre me aksionet UÇK-së për të parandaluar Serbinë.
“KFOR ndikoi dukshëm dhe pengoi marshimet e botës serbe në këtë pjesë të Ballkanit. Me NATO-n brenda u ruajt edhe paqja dhe barazia në Kosovë. NATO i bashkoi aksionet bombarduese me UÇK-në dhe u çlirua Kosova.
Ky bashkim u bë frenues dhe sigurues i lirive dhe të drejtave njerëzore e nacionale në Kosovë dhe me gjerë, në Ballkan. KFOR ndikoi edhe në ndërtimin e vendit. Ndërtoi ura e rrugë. U ngritën shumë objekte ekonomike dhe sociale në Kosovë.
Vetëm pas aksionit terrorist në Banjskë të Kosovës, më 24 shtator 2023, duke vendosur në veri forcat e veta ushtarake, ndaloi marshimin terrorist serb, me ideologjinë e "srpski svet". Me KFOR-in brenda në Kosovë u përgatit edhe Republika për integrime euroatlantike”, potencon Kelmendi.
Derisa, për ushtrinë e Kosovës thotë se KFOR bashkëpunoi ngushtë për të bërë FSK-në ushtri profesionale.
Por, ai shton se edhe Kosova duhet të punojë fort për t’u anëtarësuar në KE, BE, NATO – kështu duke mos mbajtuar qëndrim të ngrutë nga vendet aleate.
“NATO ndikoi në ngritjen e kapaciteteve ushtarake. Bashkëpunoi ngushtë me FSK-në. U ndërtua një ushtri profesionale dhe që mbështetet në të drejtat dhe liritë nacionale dhe politike të të gjithëve. Me punën e NATO-s, si dhe në bashkëpunim me EULEX, me SHBA, me Anglinë e me Gjermaninë, si dhe Turqinë e me KFOR-in, u arrit që vendi të përgatitet për intergtime në Këshillin e Evropës, në BE dhe sidomos në NATO. Nuk ka më asnjë pengesë as politike dhe as ushtarake për të mos u bërë anëtare e NATO-s Kosova. Pritet vetëm koha.
Natyrisht se në këtë drejtim i takon edhe shumë Kosovës të bëjë një politikë shumë më efektive me SHBA-në, me Anglinë, Francën, me Gjermaninë, me Italinë, me Turqinë etj., në drejtim të intergrimit të FSK-së në NATO. Sa më shumë që merr pjesë FSK-ja në aktivitetet e NATO-s, aq me shumë ndikon te shtetet që dhe Kosova të anëtarësohet në këtë fuqi ushtarake paqeruajtëse të demokracive perëndimore. Kosova kërkohet të marrë pjesë edhe në aksionet paqeruajtëse të NATO-së.
Nuk duhet të pritet të vijë kërkesa nga jashtë, për të marrë pjesë në aksionet e NATO-s, por Kosova duhet të shprehet dhe të kërkojë pjesëmarrje të forcave të veta (FSK) në NATO. Shembulli i pjesëmarrjes në Kuvajt të FSK-së me SHBA-në duhet të përshëndetet. FSK kërkohet të jetë kudo krah me NATO-n. Të ushtrojë me ushtarët e kësaj force dhe t’i pranojë të gjitha qëndrimet e sanksionet. Politika kërkohet të jetë aktive dhe sqaruese. Kosova e ka aktualisht një pozicion të ngurtë, e cila nuk po jep fryte. Është politikë jo produktive dhe po tregohet e pabesueshme ndaj BE-së, shteteve dhe NATO-s. Mendimi se Kosova është qendër e paqes në Ballkan e në Evropë e dëmton shumë pozitën e Kosovës. Ngurtësia është e dëmshme. Pa një politikë agresive në kuptimin e sqarimit të gjendjes në vend dhe të interesit të inkuadrimit në NATO nuk ka pozitivitet në drejtim të anëtarësimit në KE, në BE dhe në NATO”, përfundon ai.