Kosova dhe Serbia assesi të gjejnë rrugën e një marrëveshje përfundimtare e cila njëherë e mirë do t’i jepte fund situatave të rrezikshme të cilat mund të nxisin edhe fillimin e një lufte, sidomos në veri të vendit.
Për këtë ngecje të marrëveshjes, eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava po kritikon ndërmjetësuesit ndërkombëtarë.
Ai thotë se edhe pas arritjes së marrëveshjes në Ohër, nuk ka realizim të saj nga ana e Serbisë.
“Aleksandër Vuçiqi disa herë ka thënë haptas se kurrë s’kemi për ta njohur pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në institucione tjera ndërkombëtare dhe në OKB. Prandaj, faktori ndërkombëtar kur i dëgjon këto fjalë të Vuçiqit, duhet të ndryshon politikat ndaj Serbisë dhe ndërmjetësimin ta ndërmarrin Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thotë Tërnava.
Ai shton se BE-ja me ndërmjetësimin e deritanishëm nuk po arrin që të kurorëzoj qëllimin e tyre për njohje reciproke.
“Nga këto rrethana rolin e ndërmjetësimit duhet ta merr Amerika dhe të ofrojë vendimet “merr ose lere” që këto bisedime të zgjasin sa më shkurt dhe njëherë e përgjithmonë të vjen deri te pajtimi, e pas kësaj këto vende t’i bashkëngjiten shteteve të BE-së”, shprehet Tërnava.
Ai pohon se, një plan i tillë do të ishte mundësia e fundit, si ultimatumi i liderëve të BE-së adresuar Prishtinës dhe Beogradit për tejkalim të mospajtimeve lidhur me arritjen e marrëveshjes finale.
“Kjo do të ishte test për seriozitetin e BE-së, që ta detyrojnë Beogradin, që ta pranojë dhe nënshkruajë pa parakushte marrëveshjen në pako dhe të fillon së zbatuari atë, derisa Prishtina është shprehur e gatshme që pas aktit të nënshkrimit nga Serbia, dhe të fillojnë edhe procedurat për Asociacioni, një nivel i vetëmenaxhimit dhe administrimi nga ajo bashkësi e komunave me shumicë serbe”, thotë Tërnava.
Sipas tij, tash ndërmjetësimit duhet t’i prijë Amerika.
“Duhet të ndryshohet politika e ndërmjetësimit ndaj këtij Serbisë, sepse vetë rasti i sulmit terrorist ndaj shtetit të Kosovës i ka plotësuar kushtet e një bombardimi të ri nga NATO, sepse KFOR është garantues i sovranitetit të Kosovës, e kur shteti i Serbisë në mënyrë të organizuar me njësi paramilitare-ushtarake të stërvitura gjate, e sulmon Kosovën në prani të këtyre forcave ndërkombëtare që e garantojnë sovranitetin e Kosovës, edhe politikat ndërmjetësuese të ndërkombëtarëve duhet të ndryshohen dhe të jenë më të ashpra për qëllimet e një pajtimi të patjetër mes dy shteteve”, përfundon eksperti Hajrullah Tërnava.