Gjatë ditës së djeshme në Këshillin e Sigurimit në OKB janë ballafaquar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani më presidentin serb Aleksandër Vuçiq.
Ajo çfarë ndodhi të hënën e shkuar në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit ishte një ballafaqim i radhës midis gënjeshtrave të Serbisë dhe të së vërtetës së Kosovës.
Kështu ka vlerësuar profesori dhe analisti politik, Enver Bytyçi i cili shprehet se, pëplasje për krimet serbe në Kosovë dhe ballafaqim midis agresorit dhe viktimës.
Sipas tij, agrësorët gjithmonë e justifikojnë aktin e tyre vrasës e ekzekutues të viktimës, kështu ndodhi me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq në këtë mbledhje të Këshillit të Sigurimit.
“Në fakt është Serbia ajo që këmbngul që UNMIK të qëndrojë në Kosovë dhe raportet e tij të shqyrtohen në mënyrë periodike në forumin më të lartë të diskutimeve dhe vendimmarrjës së globit tokësor. Ndërkohë kjo i shkon më mirë Kosovës sesa Serbisë. Beogradi e mban UNMIK dhe për pasojë gjendet i përballur me Kosovën në Këshillin e Sigurimit për të treguar se “Kosova nuk është ende e pavarur”, se “ajo trajtohet bazuar në Rezolutën 1244”, etj. Por ajo rezolutë nuk i jep Serbisë asgjë në Kosovë. Madje e kishte larguar policinë serbe 5 km dhe ushtrinë 20 km larg kufinjve të Kosovës. Megjithatë, si në çdo gjë, edhe me këtë rezolutë Aleksandër Vuçiq ia ka dalë t’i gënjejë nacionalistët ekstremë të Serbisë”, thotë profesori.

Ai shprehet se, ashtu si para tre muajsh në ballafaqimin Kurti-Vuçiq, edhe në mbledhjen e të hënës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pra në ballafaqimin e radhës Osmani-Vuçiq, Kosova e fitoi betejën.
“Sa herë Kosova dhe Serbia gjenden në këtë Këshill, fiton Kosova, sepse aty ballafaqohen e drejta në anën e Kosovës dhe mashtrimi në anën e Serbisë. Presidenti serb vazhdoi me retorikën e tij nacional-shooviniste kundër Kosovës. E quajti qeverinë si “Regjim të Albin Kurtit”. Thoshte gjithnjë termin e papranueshëm “Kosovo-Metohi”, madje tha se “Kurti synon Kosovën e Madhe”! Nuk e kishim dëgjuar këtë term të sofistikuar serb. Vuçiq u përpoq të krijojë mjegull, duke folur për qindra e mijëra serbë të keqtrajtuar. Madje e akuzoi bashkëshortin e presidentes Osmani për vrasje të një fëmije të etnisë serbe. Një shpifje e ndyrë, të cilën e bëjnë liderët serbë pa u skuqur nën moton qosiqjane se “Rrena është detyrë patriotike për serbët”! Vuçiq gënjeu dhe mashtroi me “parashikimet” e tij për qëllimet e zotit Kurti, kur thoshte se ai dëshiron ta spastrojë Kosovën nga elementi etnik serb. Vetëm parashikime dhe rrena, pa asnjë fakt paraqiti presidenti i ndjerë i Serbisë. Dhe sa herë gënjente, kruante kokën”, thekson Bytyçi.
Profesori shton se, Vjosa Osmani thjesht e përballi homologun e saj serb me të vërtetën.
“Vjosa ia numëroi, siç thoshte Teta Ollga, “tëk e tëk, e tëk”, një e nga një. U bëri me dije përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha dhe anëtarëve të tjerë të KS se Vuçiq gënjen. Se ai është mjeshtër i gënjeshtrës, sepse ka qenë ministër i propagandës së Millosheviçit. Se presidenti i sotëm i Serbisë ka bërë thirrje për genocide kundër muslimanëve në Bosnjë dhe ka qenë prezent me Sheshelin, kur ky i fundit bënte thirrje për shfarosjen e shqiptarëve. Tha se presidenti i Serbisë, që ankohet si fëmijë i llastuar, nuk ka kërkuar ende ndjesë për krimet që ka kryer Serbia e ai vetë në Kosovë. I kërkoi madje që t’u kërkonte së paku ndjesë katër grave që ishin prezent dhe ishin dhunuar egërsisht nga policia e ushtria serbe e Millosheviçit dhe e Vuçiqit. Ajo që doja të thoshte dhe zonja Osmani e kërkoi në Këshillin e Sigurimit ishte fantastike. U kërkoi anëtarëve të këtij këshilli që të vizitojnë Kosovën të vëzhgojnë në vend, të marrin informacion dhe se atëherë ata do të zbulojnë se Aleksandër Vuçiq vetëm gënjen dhe mashtron. E vërteta gjendet në Kosovë dhe vetëm aty mund të zbulohet qartë e pa dilemma. Pikërisht këtë të vërtetë presidentja e Republikës së Kosovës jo vetëm ia përplasi në fytyrë hipokrizisë serbe, por u dëshmoi se është e gatshme të ndihmojë që rrenat serbe të demaskohen në teren”, thotë ai.
Profesori mendon se, presidenti i Serbisë edhe në Këshillin e Sigurimit flet si me militantët e tij në Beograd.
“Kërkon që përmes diskursit të tij të mobilizojë dhe hegjemonizojë rreth tij popullin serb. Prandaj përdor retorikat ultra-nacionaliste kudo që flet. Me 6-8 maj në Beograd do të mblidhen elitat serbe nga i gjithë Ballkani dhe do të shpallin zyrtarisht “Botën Serbe”! Kjo shpallje do t’u shërbejë atyre për t’u mobilizuar në forma të ndryshme, por e lejuan kushtet, edhe me luftë, për të krijuar Serbinë e Madhe. Veriu i Kosovës e madje edhe perëndimi i saj janë pjesë e “Botës serbe”, sipas projekteve të Beogradit. Ndërkaq më e pakta që mund të synojë “Bota serbe” është krijimi i Jugosllavisë së Re. Vuçiq shpreson se perendimi do të pajtohet me një projekt të Jugosllavisë së Re”, thotë ai.
Sipas profesorit, ky është synimi i kreut të shtetit serb.
“Megjithatë ai duket kontradiktor. Sepse, në një anë nxit dhe mëkon serbët më ultra-nacionalizëm, dhe në anën tjetër i fton popujt jo serbë të përfshihen në një federatë të katërt me Serbinë, kjo është paradoksale. Zhvillim pozitiv është se Perëndimi tashmë kanë filluar të mos e besojnë më Aleksandër Vuçiq. Ky është dhe do të jetë avantazh për Kosovën. Avantazhi tjetër i saj është se po përgatit kushtet që t’i kërkohet Serbisë ndjesa e saj për krimet e genocidin e saj në Kosovë dhe më pas të pranojë shtetin e Kosovës. Këtë procedurë zgjidhjeje në dialog e kemi kërkuar vazhdimisht prej vitesh. Por shkohet drejt kësaj formule fatmirësisht. Ndjesa e kërkuar në fillim e më pas zgjidhja është udha më e drejtë. Nuk është e drejta ajo që ka predikuar kryeministri i Shqipërisë që “në fillim zgjidhja e në fund ndjesa”! Ndjesa në fund të procesit nuk ka asnjë vlerë për Kosovën, jep avantazhe vetëm për Serbinë. Kushdo shqiptar që i jep avantazhe Serbisë në dëm të Kosovës është pro-serb dhe anti-shqiptar!”, përfundon profesori dhe analisti politik Enver Bytyçi.