Që nga viti 2013, Kosovës në vazhdimësi po i kërkohet formimi i Asociacionit të Komunave serbe në Kosovë. Përveç Serbisë, për formimin e Asociacionit po këmbëngul edhe bashkësia ndërkombëtare.
Madje ka nga ata, që po kërkojnë që Kosovës t’i vendoset kusht formimi i këtij asociacioni për integrimin në organizata ndërkombëtare.
Se ka rrezik për vendosjen e këtij kushti, e thotë edhe analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike, Faton Mehmeti.
“Asociacioni është “thembra e Akilit” për Kosovën, një obligim i marrë që nga 2013, që në vazhdimësi po sfidon vendin tonë. Është tentuar disa herë që të kushtëzohet Asociacioni me proceset e vendit, e fundit ishte liberalizimi por fal vendosmërisë qe qeverisë kjo nuk u përfill”, shprehet Mehmeti, sipas të cilit, Asociacioni do të jetë sfidues për Kosovën.
“Edhe në vazhdimësi Asociacioni do të jetë sfidues për institucionet e vendit, varet sa është e vendosur qeveria që të bie pre e tyre. Duhet pranuar që Serbia ende ka miq të shumtë dhe të cilët kërkojnë Asociacionin si hap i parë për hapat tjerë në të ardhmen për realizimin e synimeve të tyre”, thekson Mehmeti.
“Me Asociacionin, Serbia do të qetësohet përkohësisht për të vepruar në të ardhmen. Ndaj, Asociacioni është “i mirë” për të tashmen por i rrezikshëm për të ardhmen”, shton Mehmeti.
Por a do të pranojë kryeministri Albin Kurti që të formohet Asociacioni i Komunave serbe?
“Fatkeqësisht, Kosova do të përballët me sfida të vazhdueshme për formimin e Asociacionit. Jam i bindur se Albin Kurti s’do e formojë, do ketë manovrime për të shpëtuar nga presionet, por nuk besoj se e realizon”, përfundon Faton Mehmeti për “Bota sot”.