Sulmi në Banjskë ka arritur të rikthehet si temë në vëmendjen e opinionit publik me anë të publikimit të një raporti zyrtar, në të cilin u pretendua se misioni i KFOR-it u mor vesh me sulmuesit që të ikin nga kishin ardhur.
Të shtunën (25 maj) në raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave, gjatë diskutimit në komisionin për mbrojtje e siguri në Asamblenë e Përgjithshme të NATO-s, u tha se misioni i KFOR-it u mor vesh me sulmuesit që të ikin nga kishin ardhur, përfshirë edhe nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, ndaj të cilit ekziston edhe një flet-arrest ndërkombëtar i lëshuar nga INTERPOL-i.
“Zyrtarët e KFOR-it negociuan tërheqjen e pjesës tjetër të grupit në pyjet përreth, ku ata ishin zhdukur. (ICG, 2024). Autoritetet e Kosovës besojnë se potencialisht qindra sulmues të tjerë po fshiheshin në pyjet mes Banjskës dhe kufirit serb dhe ata zbuluan një arkiv të madh armësh të gatshme për të shkaktuar dëme dhe viktima. Kjo përfshinte raketat anti-tank, granata hedhës, minat anti-tanke dhe 24 makinat (njëra e blinduar) (ICG, 2024)”, thuhet në raportin e NATO-s.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i KFOR-it duke mohuar një gjë të tillë.
“Grupi Ndërkombëtar i Krizave së fundmi publikoi një raport të titulluar “Veriu i Kosovës: Pohimi i sovranitetit mes besnikërisë së ndarë”. Në rrëfimin e tij për dhunën që ndodhi në Banjskë në shtator 2023, raporti thotë se: “Duke pasur frikë nga një gjakderdhje, KFOR-i negocioi tërheqjen e grupit [luftëtarëve serbë] në pyjet përreth, nga të cilat ata u zhdukën”. Kjo është e pasaktë. Në asnjë moment KFOR-i nuk ishte i përfshirë në negociatat e supozuara”, thuhet në një kumtesë për media të lëshuar nga misioni i KFOR-it.
Të njëjtit kërkojnë që autorët duhet të përballen me drejtësinë, duke theksuar koordinimin e tyre të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in për të vendosur sigurinë në atë zonë.
Mirëpo, sa mund të konsiderohet si pengesë në rastin e hetimeve për Banjskën aludimi se ikja e terroristëve u negociua nga një organ siç është KFOR-i?
Quni: Vlerësimi nga vendngjarja është më i saktë se lajmi që prodhohet në zyra
Për këtë temë i pyetur nga “Bota sot”, ka folur deputeti Anton Quni.
![Image](/media/botasot.info/images/2024/May/29/auto_auto_850x636_auto_Anton-Quni-foto-REL-695x4301609061700161549289716503929381716976855.jpg)
Ai u shpreh se paraprinë që t’i besojë qëndrimit zyrtar të KFRO-it.
“Në lidhje me deklarimet e ICG-së dhe KFOR-it, për tërheqjen e njësisë paramilitare/terroriste serbe nga Banjska e të cilat janë kundërthënëse njëra me tjetrën, jam i prirë t'i besoj qëndrimit zyrtar të KFOR-it”, thotë ai.
Deputeti më tej shton që vlerësimi nga terreni është më i saktë se lajmi që prodhohet në zyrë.
“Në shumicën e rasteve, vlerësimi nga vendngjarja apo terreni është më i saktë se lajmi që prodhohet në zyrë”, potencon deputeti Quni për “Bota sot”.
Elezi: Dua të besoj që Prokuroria e Kosovës deri më tani ka arritur të grumbullojë provat dhe argumentet e duhura
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë Bedri Elezi.
![Image](/media/botasot.info/images/2024/May/29/auto_auto_Elezi16956265821716976853.jpg)
Ai thotë se lajmi që KFOR-i është i përfshirë në këtë rast është i vërtetë, ani pse ka qenë për t'u shmangur një rrezik më i madh për dy vendet.
Elezi përmend edhe faktin që për këtë sulm terrorist Vuçiqi ka bashkëpunuar drejtpërdrejtë edhe me Radoiçiqin.
“Në fakt ne edhe më parë kishim paralajmëruar se falë Inteligjencës së lartë të NATO-s që veproi në kuadër të NATO-s, u veprua shpejt rreth situatës së rëndë siç ishte ajo në Banjskë. Ndërsa sa i përket kësaj situate, kemi pasur një negocim në këtë rast pavarësisht që KFOR-i është munduar ta demantojë këtë lajm ani pse e gjithë kjo është bërë për të mirën e sigurisë së vendit për të ruajtur një shkëmbim zjarri të fuqishëm mes palëve. Duhet përmendur faktin që bisedat ishin zhvilluar në atë kohë edhe me vet presidentin Vuçiq, i cili kishte negocuar drejtpërdrejtë edhe me Radoiçiqin dhe i njëjti kishte përfituar nga marrëdhënia me faktorin ndërkombëtar që është person që garanton sigurinë e rajonit”, u shpreh ai.
Ndër të tjera, eksperti i sigurisë thotë që ky deklarim nuk duhet të lejohet të ndikojë në rastin hetimor.
Mirëpo sipas tij Prokuroria duhet të ketë grumbulluar deri më tani argumentet dhe provat e forta që të mos lejohet të ndikohet ky proces hetimor.
“Ndërsa sa i përket hetimit të këtij sulmi në Banjskës publikimi i këtij informacioni do të ketë impakt. Por se në anën tjetër dua të besoj që Prokuroria e Kosovës deri më tani ka arritur të grumbullojë provat dhe argumentet e duhura që të mos lë të ndikojë në rastin hetimor ky deklarim. Në raste të tilla jemi të vetëdijshëm që edhe KFOR-i por edhe institucionet që merren me hetimin e këtij procesi do të kenë mundësi të ruajnë mënyrën e komunikimit dhe publikimit të informacioneve. Komunikime të cilat mund të ndikojnë negativisht qoftë në hulumtimet e ardhshme apo për rrezikun që mund t'i kanoset Kosovës si rezultat i organizimeve të ngjashme të grupeve terroriste apo edhe në proceset hetimore që drejtësia ka nevojë të sjellë një ballafaqim qoftë duke siguruar prezencën e të dyshuarve qoftë edhe pa prezencën e tyre për të i dhënë një epilog kësaj ngjarjeje tejet të rëndë, e cila ka të bëjë me cenimin e sovraniteti të Kosovës”, foli Elezi për “Bota sot”.