Pas përplasjeve Osmani-Kurti, paralajmërohet “krizë e frikshme” për Kosovën: Mjaftojnë vetëm 78 orë...

Politika

Pas përplasjeve Osmani-Kurti, paralajmërohet “krizë e frikshme” për Kosovën: Mjaftojnë vetëm 78 orë...

Havë Orana Xhukolli Nga Havë Orana Xhukolli Më 1 qershor 2024 Në ora: 11:11
Vjosa Osmani, Glauk Konjufca dhe Albin Kurti

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pak ditë më parë tha se nuk u konsultua për letrën që ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ia kishte dërguar presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Rousopoulos, më 16 maj.

Në këtë letër, Gërvalla, e cila njëherësh është edhe kryetare e partisë Guxo, ka thënë se Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një draft-statut për Asociacionin, të cilin është zotuar ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit.

Kjo letër duket se u bë ‘mollë-sherri’ për një përplasje ndërmjet Presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti dhe kryeparlamentarit, Glauk Konjufca.

Ky i fundit ka thënë se mos-informimi i presidentes ishte i paqëllimshëm pasi ajo ishte në vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Për shkak të largësisë, jo çdo hollësi e cila ndryshonte çdo minutë në ditën e votimit që e kishim nga ana e Këshillit të Ministrave për Këshill të Evropës, mund të ndahet dhe koordinohet”, ka thënë Konjufca.

A është realisht kjo letër pikënisja e përplasjeve dhe mosmarrëveshjeve të këtyre tre liderëve shtetërore, apo ka edhe diçka më tepër?

Image
Skender Zogaj

Zogaj: Përplasja e ndodhur ndërmjet Kryeministrit Kurti dhe Presidentes Osmani cilado që të jetë arsyeja, është fatale

Njohësi i çështjeve politike, Skender Zogaj, duke u lidhur me këto përplasje, thotë se situata në Kosovë është e tensionuar, duke paralajmëruar edhe një krizë të frikshme.

“Situata politike në Kosovë është duke u tensionuar gjithnjë e më shumë dhe parandjenjat sinjalizojnë krizë të frikshme, që mund të krijojë tronditje të thella e me pasoja të mëdha. Është për t'u habitur sa e pandjeshme po tregohet në tërësi klasa politike dhe gjithë nomenklatura shtetërore, që janë mbërthyer nga egjra e fjalamanisë dhe nuk duan t'ia dinë se, për ta çliruar Kosovën, NATO-s iu kanë dashur 78 ditë,  por janë të mjaftueshme vetëm 78 orë, për t'u rikthyer mbrapsht historia dhe për t'u përsëritur e 1999-ta. Ukraina është mostra që duhet për t'u analizuar, dhe jo vetëm...”, vlerëson Zogaj.

Ai kritikon liderët e shtetit, duke thënë se në kohën kur po ndodhin vendime të rëndësishme për fatin e Kosovës, ata ia ‘plasin sherrit’.

Amullia verbuese që aktualisht po sillet nëpër Kosovë është tmerruese. Mënyra e jetës dhe e sjelljes së shtetasve, që nga qytetari më i zakonshëm e deri te krerët e shtetit, e veçanërisht liderët partiakë dhe  parlamentarët është e një absurdi lemeritës, fund e krye primitive: qytetarët si miza pa kry, përfaqësuesit e tyre partiakë secili më gaforre se tjetri, deputetët e Kuvendit të Kosovës, si kor i rriqrave, pickues të zhurmshëm dhe gërryes të lemeritshëm, të luftës për pushtet, sepse e kanë vërtetuar se pushteti është shumë i levërdishëm”, thekson ai.

Ai thotë poashtu se në këtë zahalli Kryeministri Kurti dhe Presidentja Osmani, para tri vitesh ishin shpresa e shumicës së elektoratit dhe vendit që ua dha besimin. Sa është e kënaqur kjo pjesë e qytetarëve, mbetet të shihet, por një gjë është e sigurt, -brenga se çfarë po ndodh?

Kjo brengë është e zjarrtë sepse Kosova është në çastet më vendimtare të përcaktimit të fatit të saj historik, dhe, nuk ka dyshim se nëse sherri midis Kryeministrit dhe Presidentes është i vërtetë, pasojat do të jenë tepër të kushtueshme, në të gjitha sferat! Nëse përplasja është e vërtetë,  cilado që të jetë arsyeja, është e pajustifikueshme, sepse, pa asnjë dilemë do ta dëmtojë rëndë Kosovën, e cila kësaj radhe po dëmtohet nga kapriçiot! Prandaj, çdo lloj arsyetimi është i pavlershëm, pos tjerash sepse Presidentja dhe Kryeministri, që tri vjet kanë defiluar në publik e nëpër media, plot shend e verë duke i deklaruar sukseset e unitetit të çeliktë, dhe tash, sa çel e mbyll sytë, shigjeta në thembrën e Akilit”, thekson Zogaj.

Analisti Zogaj thekson se opozita po thotë se e ka ditur që kështu ka me ndodhë.

“Dhe është e saktë, një pjesë e opozitës është fort mirë e informuar, sepse segmentet nga radhët e saj, janë dora e zgjatur që është marrë me futjen guralecave dhe pirjen duhanit tinës. Këta pas vetëtimës do të dëgjojmë bubullimat dhe do të mësojmë se ku ka qëndruar i fshehur lepuri”, vlerëson ai për ‘Bota sot’.

Burjani: E vërteta është vetëm zhurma e krijuar për të ikur nga tërë ajo përgjegjësi gati tashmë katërvjeҫare

E për profesorin dhe juristin Blerim Burjani, kryeministri Albin Kurti ka dështuar për të anëtarësuar Kosovën në Këshillin e Evropës.

Image
Blerim Burjani

“Kryeministri dëshiron të mbulojë dështimin në anëtarësim në KiE, mos ecjen aspak të reformës sektoriale, e tërë politika e koncentruar në veri është e vetmja arsye pse duhet bërë zhurmën e kotë para zgjedhjeve të rregullta, disi duhet te mbulohet i tërë ky dështim”, vlerëson ai.

Sipas Burjanit, mos anëtarësimi në KiE është arsyeja e përmendjes edhe të zgjedhjeve të jashtëzakonshme se disi në opinion të mos tingëllojë jo përgjegjësi e VV, e vërteta është vetëm zhurma e krijuar për të ikur nga tërë ajo përgjegjësi gati tashmë katër vjeҫare, pa zgjidhje të problemeve esenciale për qytetarët.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat