Ish-polici flet për “nëntokën kriminale” në Policinë e Kosovës: Ja çka duhet vepruar aty

Politika

Ish-polici flet për “nëntokën kriminale” në Policinë e Kosovës: Ja çka duhet vepruar aty

Nga: N. Sh. Më: 5 qershor 2024 Në ora: 23:08
Policia e Kosovës

Ish-eprori i lartë i UÇK-së dhe ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari, thotë se, është fatkeqësi që sot Kosova nuk ka institucione të besueshme të drejtësisë, dhe as të sigurisë.

Kjo sipas tij në këto institucione po ndërhyn politika, sidomos politikanët e korruptuar janë ata që e kontrollojnë Policinë, AKI-në, FSK-në, Gjykatat, Prokurorinë, KGJK-në, KPK-në dhe IPK-në.

Miftari tutje shprehet se, sot mundesh me u dënua e m’u ndjek penalisht vetëm në mungesë të njoftësive dhe lidhjeve politike.

“Pranimi i policëve dhe gradimi i tyre duhet me qenë ndryshe, ku do të duhej të dominon zotësia, aftësimi shkollor, rezultatet dhe testet profesionale, por vazhdimisht po mungon ajo që është kruciale e substanciale, verifikimi familjar e kombëtar pasi edhe ato komisione që janë, e bëjnë punën vetëm sa për sy e faqe”, potencon Miftari, i cili ishte edhe pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Sipas tij, njerëzit në komisione janë të korruptuar dhe të dirigjuar nga nëntoka e politikanëve të korruptuar.

“Është e kotë nëse kadeti i Policisë e ka kryer ndershëm fakultetin me nota 10-she, pasi kur vjen në pyetje për t’u punësuar dikush nga nipat, kushërinjtë, dashnoret dhe njerëzit e Hashim Thaçit, Ilmi Reqicës, Sami Lushtakut, Isa Mustafës, Ramush e Daut Haradinajt, Behgjet Pacollit.... etj, ai studenti me nota 10-she mundet vetëm të shpresoj dhe ëndërroj punën si zyrtar apo epror i policisë, pa marrë parasysh aftësit e tij”, thekson ai.

Miftari pohon se, inspektorati Policor i Kosovës duhet me veprua, por edhe me i nxit policët e zyrtarët e pakorruptuar, siç vepron në Amerikë Kontrolli i Brendshëm i Policisë, që ka arritur për t’i pastruar bandat kryesore të krimin dhe klanet e organizuar në polici.

“Njësoj duhet të veprojnë në Kosovë edhe IPK, pasi korrupsioni, nepotizmi, gradimet politike të zyrtarëve të policisë që shpesh ndihmohen nga krimi i organizuar e nga korrupsioni në tenderë, në blerje pajisjesh, dhe shumë anomali tjera që ekzistojnë dhe janë goxha shumë prezentë në policinë e Kosovës“, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat