Përgjimet e famshme “Pronto” u publikuan në vitin 2016, por siç duket përgjime do të kemi edhe në vazhdimësi.
Së fundi, përgjime i dolën edhe grupit parlamentar e më të zëshëm ndaj atyre përgjimeve të PDK-së, Lëvizjes Vetëvendosje.
Dy ditë më parë u publikuan përgjimet ku dëgjohet duke folur shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari Lila me terroristin Milan Radoiçiq.
Kurse, vet Kusari-Lila, nuk e ka mohuar këtë diskutim, por ka thënë se janë biseda të para dy viteve.
“Deklarata të vitit të kaluar janë këto, para dy viteve”, tha Kusari-Lila.
Derisa, edhe kryeministri Albin Kurti, duke folur për rastin kishte thënë se “ajo është një situatë e montuar dhe Radoiçiq këtë muaj i bënë 9 muaj që ndodhet i lirë në Serbi dhe trysnia do të duhej të ishte që të ketë aktakuzë ndaj tij”.
Ai madje, kishte shtuar se “po e kuptoj që po përpiqeni të dramatizoni me çdo kusht disa sekonda prej një bisede që nuk e di si është marrë e ku është marrë, si u pre e nga kush u organizua. Por edhe një herë unë jam kryetar i VV-së dhe Mimoza Kusari nuk është anëtare e VV-së. Edhe po të ishte anëtare e VV-së për këso gjërash, ka komisione, nuk e ka VV-ja kryetarin diktator që merr vendime siç do të kishte dëshiruar ndokush”.
Kurse, opozita dhe shumica e analistëve kanë kërkuar sqarim për këtë dhe po ashtu dorëheqje nga deputetja.
Mehazi: Janë vetëm spektakle të montuara politike, spekulime mediatike në koordinim të partive opozitare të Kosovës me Radoiçiqin

Profesori Sulejman Mehazi në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se të gjitha këto janë të montuara dhe spekulime mediatike në koordinim të partive opozitare të Kosovës me Radoiçiqin.
“Përgjimet e shefes së grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusarit, me kryeterroristin serb Radoiçiqin janë vetëm spektakle të montuara politike, spekulime mediatike në koordinim të partive opozitare të Kosovës me Radoiçiqin, të cilët njëzetë vjet kanë pasur dashuri qeverisëse me Listën serbe të Radoiçiqit, Veselenoviqit dhe Vuçiqit. Lufta e re moderne e partive opozitare jo vetëm në Kosovë, por edhe në shtetet e Ballkani Perëndimor është ajo e "përgjimeve" të skanuara për të mposhtur moralisht e politikisht kundërshtarët politik.
Lloji i këtyre "përgjimeve" gënjeshtruese nga partitë opozitare është luftë shumë e vrazhdë, e turpshme që depërton deri në thellësi të bisedave djallëzore për të mposhtur partinë në pushtet LVV-në”, shprehet ai.
Mehazi “zbulon” qëllimin e opozitës për të cilën thotë se po e bën qëllimshëm për shkak se është vit i zgjedhjeve parlamentare në Kosovë dhe sipas tij, partitë opozitare nga pamundësia e argumenteve politike, ato po përpiqen me gënjeshtrat e "përgjimeve" të përmbysin qeverinë e Albin Kurtit.
“Për shkak argumenteve të forta jo-korruptive qeverisëse të Albin Kurtit, opozita mundohet me anë të "përgjimeve" të dyshuara e skeptike që me emrin e Mimoza Kusarit, të kompromitojnë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin me tërë deputetet e LVV-së.
Sikur edhe të ishin të "vërteta" bisedat, "Kusari-Simiq" dhe "Kusari- Radoiçiq", kurrsesi nuk kanë ndikuar negativisht te kryeministri Kurti ndaj kërkesave serbe. Dhe vetë kryeministri i Kosovës deklaroi se: "Përgjimet janë fushata të montuara" dhe "Kusari nuk i takon partisë së tij të LVV-se" dhe se përgjegjësia e "përgjimeve" me Radoiçiqin bie mbi deputeten Mimoza Kusarin e jo mbi Kurtin dhe qeverinë e tij.
Shkurtë e qartë, të gjitha këto lojëra "përgjimesh" bëhen qëllimshëm nga partitë opozitare të Kosovës në bashkëpunim me Radioçiqin, pasi është vit i zgjedhjeve parlamentare në Kosovë dhe partitë opozitare nga pamundësia e argumenteve politike, përpiqen me gënjeshtrat e "përgjimeve" të përmbysin qeverinë e Albin Kurtit”, thekson ai.
Elezaj: Gabim trashanik, shtetëror dhe politik

Duke folur rreth kësaj çështje, analisti Rexhep Elezaj, thotë se nëse është e vërtetë kjo që dëgjohet në përgjime, veprimin e deputetes e quan gabim trashanik duke shtuar se ky veprim nuk ka guxuar të ndodhë në asnjë rrethanë, meqë dihet se Radoijçiq është krimineli më i madh kundër Kosovës.
“Çështja e përgjimeve të bisedave telefonike të udhëheqësve shtetëror dhe llojeve tjera në fusha teknologjike dhe ushtarake, është ndër metodat më të përdorura në aktivitetin e shërbimeve sekrete në botë, madje regjistrimi i bisedave mes burra shtetesh është dukuri e shpeshtë kudo në botë, veprim ky i cili ndryshe quhet spiunim, të cilin e bëjnë shërbime të fshehta të inteligjencës, por edhe agjenci private të specializuara për spiunim.
Ndërsa në Kosovë, deri më tani janë dy raste eklatante të përgjimeve që janë publikuar nga mediat, siç ishte rasti i përgjimeve të ish krerëve të shtetit, Hashim Thaçit me disa bashkëpunëtorë të tij, dhe tani rasti i publikimit të bisedës së përgjuar të Mimoza K. Lilës me kriminelin M. Radojçiq, i publikuar një pjesë para një viti dhe tani pjesa tjetër e bisedës të cilën Nacionale e lëshoi këto ditë në opinion, e që ka shkaktuar termet politik në Kosovë”, potencoi ai.
Elezaj u shpreh se fakti që bëhet fjalë për udhëheqësen e GP të VV-së, cila për çdo veprim të saj politik dhe shtetëror mbanë përgjegjësi të lartë politike, nëse vërtetë ka ndodhur një bisedë e tillë, ashtu siç dëgjohet në atë përgjim, pa asnjë dyshim, se bëhet fjalë për një gabim trashanik të zonjës Kusari-Lila, jo vetëm politik, por edhe shtetëror.
“Një veprim i tillë nga një deputete e Kuvendit të Kosovës, nuk ka guxuar të ndodhë në asnjë rrethanë, kur dihet se M. Radoiçiqi ka qenë dhe është armiku më i madh i shqiptarëve dhe i Kosovës, shto kësaj se bëhet fjalë për një kriminel ordiner, i cili përveç trazirave dhjetëvjeçare që i ka shkaktuar në veri të Kosovës, ai e pranoi hapur se qëndron edhe pas sulmit terrorist në Banjskë me 24 shtetëror 2023, dhe i cili në kohën kur znj. Kusari-Lila paska biseduar me të, ai ka qenë i akuzuar nga gjykata e Kosovës për pjesëmarrje në vrasjen e Oliver Ivanoviçit, si dhe krime tjera, siç ka qenë edhe në listën e zezë të SHBA-ve”, deklaron ai.