Çështja e Asociacionit e la Kosovën jashtë agjendës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës më 17 maj, kur edhe do të vendosej për anëtarësimin e vendit në këtë organizatë.
E kjo gjë, nxiti reagime të shumta dhe të ashpra, kryesisht ndaj ndërkombëtarëve dhe kushteve që ata në vazhdimësi po ia vendosin Kosovës.
Në lidhje me mosanëtarësimin e Kosovës në KiE dhe synimet e saj për organizata tjera, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli ish-kryeredaktorin e Radio Evropa e Lirë, z. Melazim Koci.
Si fillim, ai zbërtheu faktin se kushti i Asociacionit erdhi menjëherë pas takimit Macron-Vuçiq, derisa mosanëtarësimin e Kosovës në KiE e vlerësoi si dështim të diplomacisë evropiane.
“Mos anëtarësimi i Kosovës në KiE ishte dështim i diplomacisë evropiane. Pas takimit Macron - Vuçiq doli kërkesa shtesë për dërgimin e draftit të Asociacionit të BE-së në Gjykatën Kushtetuese. Kjo nuk ishte e drejtë dhe dëshmoj se diplomacia evropiane ende lejon të kushtëzohet dhe diktohet nga Beogradi. Kosova kishte përmbushur kushtet për anëtarësim dhe refuzimi i pranimit në KiE është një dëshmi tjetër e njëanshmërisë së diplomacisë evropiane në raport me Kosovën”, deklaroi ish-kryeredaktori i REL.
Krahas kësaj, Koci foli edhe për sfidat që e presin Kosovën në rrugën e saj drejt anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, ku me thek të veçantë përmendi rëndësinë e aleancës me SHBA-në.
“Rruga e Kosovës drejtë organizatave ndërkombëtare nuk do të jetë e lehtë. Pavarësisht vështirësive, Kosova duhet të bëjë çmos të ruaj raportet me aleatët e dëshmuar siç janë Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe. Pa bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, Kosova nuk mund të avancoj në organizmat ndërkombëtare. Nëse mospajtimet me BE, mund të kuptohen, keqkuptimet me SHBA duhet të tejkalohen sa më parë. SHBA-ja ka qenë dhe do të mbetet faktori përcaktues për ecjen dhe afirmimin ndërkombëtar të Kosovës. Pa SHBA nuk mund të bëhet asnjë hap para”, përmbylli Melazim Koci për “Bota sot”.