Për herë të fundit u takuan më 14 shtator 2023, por nesër kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen në Bruksel për të zhvilluar një rund të ri bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve
Ky do të jetë takimi i parë pas nëntë muajsh, si dhe takimi i parë pas sulmit terrorist serb që ndodhi në shtatorin e vitit të kaluar në veri të Kosovës, ku u sulmua policia e Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshterin Afrim Bunjaku, u plagos një polic tjetër, si dhe u vranë edhe tre terroristë serb.
E lidhur me takimin e sotëm, analisti politik, Faton Mehmeti nuk pret asnjë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.
"Nuk ka marrëveshje në këtë mandat të Kurtit, jo se Albini nuk e pranon por është Serbia ajo që më ndihmën edhe të Lajçakut po e shtyn këtë proces në pafundësi", shprehet Mehmeti.
Sipas tij, Serbia është duke e shantazhuar gjithë Bashkimin Evropian.
"Kjo ndodh ngase në përfundim të bisedimeve e që nënkupton marrëveshje, Serbia duhet ta njoh Kosovën andaj e shtyn procesin edhe për të shantazhuar gjithnjë BE për braktisje të bisedimeve. Kështu që nuk pres diçka të re pas takimit, vetëm përsëritje e një procesi që ka nisur tani e 13 vjet më parë", thekson Mehmeti.
Për fund, Mehmeti deklaron se vetëm me SHBA-të ai garantues, mund të arrihet një marrëveshje Kosovë-Serbi.
"E kam theksuar edhe më parë se me BE s’ka marrëveshje Kosovë-Serbi, vetëm SHBA mund të arrijë të prodhojë rezultat. BE ka dështuar dhe do të dështojë edhe më tutje, është e paaftë, e një anshme dhe si e tillë nuk mund të ketë sukses", përfundon Faton Mehmeti për "Bota sot".