Kryeministri Albin Kurti gjatë takimit të djeshëm në Bruksel, ka paraqitur tri kërkesa ndaj Serbisë dhe përfaqësuesit të saj, Aleksandër Vuҫiq. Kurti ka kërkuar nënshkrimin e marrëveshjes, tërheqjen e letrës së kryeministres serbe, Anne Brnabiq si dhe, dorëzimin e kryekriminelit Milan Radojҫiq.
Këto kërkesa të Kurtit, për publicistin dhe njohësin e ҫështjeve politike, Gani Qarri janë të arsyeshme dhe i mbetet Serbisë të ketë vullnet t’i pranoj ato.
“Nëse nga faktori ndërkombëtar, vërtetë dëshirohet arritja e një marrëveshje të mirëfilltë, jo nga Serbia sepse ajo ka dëshmuar qëmoti se nuk është e interesuar, për marrëveshje me Kosovën, që të tri kërkesat e Kryeministrit të Kosovës, janë të arsyeshme, të drejta dhe lehtësisht të arritshme, vetëm duhet vullnet real, që ato të realizohen, përndryshe pa nënshkrimin (formalizimin) e marrëveshjes, tërheqjen e letrës së ish kryeministres serbe Ana Bërnabiq, në të cilën thuhej se Serbia nuk e pranon marrëveshjen e Brukselit, nuk do t’i zbatojë nenet e saj, do ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, siç veproi me rastin e paraqitjes së kandidaturës së Kosovës, për pranim në KiE, dhe nuk respekton integritetin territorial të Kosovës, atëherë nuk ka as si të vije deri, te përmirësimi i marrëdhënieve dhe as të arrihet marrëveshje ndërmjet të dy vendeve”, vlerëson analisti Qarri.
Ai thotë më tutje, se është Serbia e cila derisa realizon takime në Bruksel, në anën tjetër kidnapon dhe vret policët e Kosovës, përmes terroristëve të saj.
“Është Serbia ajo, që edhe pas më tepër se një dekade bisedimesh të ndërmjetësuara nga BE, jo vetëm nuk e heq Kosovën nga preambula e Kushtetutës, por derisa zhvillon bisedime në Bruksel gjoja për marrëveshje me Kosovën në anën tjetër, fillimisht kidnapoi 3 policët tanë kufitar e pastaj, dërgoi edhe dhjetëra terroristët serb nga Serbia, me të gjitha llojet e armatimeve, të vrasin policët e Kosovës në detyrë, siç ndodhi me vrasjen e policit hero, Afrim Bunjaku, ndaj vërtetë është shumë problematike të kuptohet se për çfarë marrëveshje me një shtet të tillë, mund të bisedojë Kosova, kur Serbia përveçse nuk i respekton asnjë nga marrëveshjet e arritura, në dhjetor të vitit të kaluar, vet e para e Qeverisë serbe, ish kryeministrja Brnabiq, iu drejtua edhe me letër zyrtare, vendeve të BE-së, se Serbia nuk do ta zbatojë marrëveshjen e Brukselit as aneksin e Ohrit, do ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe nuk e pranon, integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Ndërkaq, sa i takon terroristit Radojçiq, sipas të gjitha ligjeve ndërkombëtare, Serbia është e "detyruar", që pas aktit terrorist të kryer nga Radojçiq, brenda territorit të Kosovës në Banjë të Zveçanit, t`ua dorëzojë institucioneve ligjore të Kosovës, këtë kryekriminel bashkë me pjesëtarët e bandës së tij, të cilët kryen agresion në Kosovë, duke vrarë në aktin terrorist me 24 shtator të vitit 2023 policin në detyrë, tani hero i Kosovës toger Afrim Bunjaku.
“Përndryshe nëse BE dhe SHBA, nuk ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme, kundër Serbisë dhe nuk e detyrojnë palën serbe, që ajo, ta dorëzoj terroristin Radojçiq e pjesëtarët tjerë të këtij akti makabër, si dhe të përmbush Serbia, kërkesat e arsyeshme dhe të drejta të Kosovës, atëherë nuk duhet të ftohet më Kosova as Serbia, në bisedime dhe ta shpallin dialogun të dështuar”, thekson Qarri për ‘Bota sot’.