Kosova dhe Serbia dështuan të shënojnë përparim në bisedimet e normalizimit të mërkurën në Bruksel dhe një takim trepalësh i planifikuar me ndërmjetësimin e shefit të diplomacisë evropiane Josep Borrell nuk u zhvillua, për shkak të refuzimit të Kosovës për të marrë pjesë.
Borrell tha se kryeministri Kurti paraqiti tri kushte për angazhimin e mëtejshëm në procesin më të gjerë të normalizimit.
“Së pari, zyrtarizimin e marrëveshjes themelore përmes nënshkrimit nga udhëheqësit e shteteve dhe qeverive përkatëse. Së dyti, tërheqjen e letrës së paraqitur zyrtarisht në BE nga ish-kryeministrja (serbe Ana) Bërnabiq, e datës 13 dhjetor 2023. Dhe së treti, dorëzimin e Milan Radoiçiqit dhe grupit të tij paraushtarak-terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës”, citoi zoti Borrell.
E në lidhje me këtë çështje, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli avokati serb, Çedomir Stojkoviq.
Fillimisht, ai tregoi mbështetje të plotë për kryeministrin Kurti, ku u shpreh se kushtetet e kryeministrit të Kosovës janë më se të duhura, derisa kritikoi Vuçiqin e Brnabiqin.

“Gjithçka që zoti Kurti vendosi si kushte për proces të mëtejshëm, është diçka që edhe unë do të kërkoja edhe nga Vuçiq.
Pas marrëveshjes së Ohrit, Vuçiq u përpoq t’i shmangte detyrimet dhe më në fund organizoi një grup paraushtarak për të vrarë policin e Kosovës.
Edhe Ana Brnabiq me letrën e datës 13.12.2024, në thelb konfirmoi se Serbia nuk do t'i përmbushë obligimet nga marrëveshja e Ohrit”, nënvizoi avokati serb.
Po ashtu, ai ngriti disa pyetje mbi dialogun dhe vazhdimësinë e tij.
“Pra, cili është qëllimi i negociatave të mëtejshme nëse Beogradi (Vuçiq) nuk do të respektojë marrëveshjet aktuale dhe nuk do të përmbushë detyrimet aktuale?
Të ketë takim, për një marrëveshje tjetër të cilën Vuçiq nuk do ta përmbushë?”
Ndër të tjera, avokati serb, tha se Kurti veproi si çdo diplomat serioz i historisë, kur kishte punë me palë që nuk respektonin marrëveshjet.
“Ajo që bëri Kurti në këtë situatë kur pala tjetër nuk respekton marrëveshjet e fundit, është ajo që ka bërë çdo diplomat serioz i historisë. Kjo është ajo që unë do të bëja.
Thjesht, nuk luani ndeshje futbolli kundër kundërshtarit që mohoi rezultatin e ndeshjes së fundit dhe nuk respektoi rregullat e lojës”, përfundoi Çedomir Stojkoviq për “Bota sot”.