Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier në një deklarim të fundit ka thënë se SHBA pret nga Kosova dhe Serbia të zbatojnë me urgjencë dhe pa parakushte të gjitha detyrimet e pranuara në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, duke theksuar se Marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët dhe se njohja e ndërsjellë duhet të jetë rezultati përfundimtar i dialogut.
Ndërkaq, Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se e mbështetë deklaratë e homologut amerikan Jeffrey Hovenier, se Gjykata Kushtetuese është i vetmi institucion që mund ta vlerësojë draft-statutin e Asociacionit.
Lidhur me këto deklarime, për ‘Bota sot’ ka folur deputeti i Bundestagut gjerman, Knut Abraham. Ai i pyetur nëse Serbia do të pranojë njohjen e shtetit të Kosovës dhe të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, shprehet skeptik për vendimet serbe.
Ai thotë se është e kot të besohet se Serbia do ta njoh Kosovën.
“Kjo qeveri serbe ka deklaruar hapur se nuk do ta njohë Kosovën. Në këtë moment, duke pasur parasysh deklaratat dhe veprimet e përsëritura të liderëve serbë kundër njohjes apo normalizimit, de jure por edhe de fakto, është e kotë të besohet se Serbia po lëviz në këtë drejtim”, vlerëson ai.
Tutje, deputeti thotë se mungesa e një politike të besueshme të BE-së, reflekohet tek dështimi i dialogut.
“Mungesa e një politike të besueshme të BE-së ndaj rajonit, e cila vazhdon, çon në humbjen e levave, e cila reflektohet në dështimin e dialogut”, vlerëson ai.