Zbulohet çfarë fshihet pas deklaratës së fundit të Pahor - kjo mund të jetë arsyeja që i njëjti nuk zuri vendin e Lajçak-ut!

Politika

Zbulohet çfarë fshihet pas deklaratës së fundit të Pahor - kjo mund të jetë arsyeja që i njëjti nuk zuri vendin e Lajçak-ut!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 8 korrik 2024 Në ora: 08:08
Pahor dhe Lajçak

Ditë më parë u konfirmua që Këshilli i Bashkimit Evropian ia ka zgjatur edhe formalisht mandatin të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, deri në janar të vitit 2025.

Ky vendim, për të cilin më herët ishin marrë vesh vendet anëtare me kërkesë të përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, tashmë është formal.

Për këtë ka folur ish-presidenti slloven, Borut Pahor, i cili ka shprehur publikisht interesimin e tij për ta marrë në dorë drejtimin e dialogut Kosovë-Serbi si përfaqësues i Bashkimit Evropian.

Ai ka treguar se në mars kishte marrë ftesë nga emisari aktual, Miroslav Lajçak për të diskutuar rreth kësaj çështje, por siç thotë diçka ndryshoi më pas në Bruksel.

Në mars, unë u ftova në Bruksel për të parë të dërguarin special, Miroslav Lajčák, i cili më pyeti nëse do të isha i gatshëm të konsideroja vazhdimin e punës së tij nëse do të më jepej mandati i Këshillit të BE-së. Mora pak pushim. Edhe atëherë isha i vetëdijshëm për të gjitha grackat që e presin atë që merr përsipër këtë detyrë, por vendosa ta bëj. Por më pas diçka ndryshoi në Bruksel. Nuk i di të gjitha arsyet pse. Procesi i përzgjedhjes nuk ishte përfunduar tashmë në maj, siç u tha fillimisht, por këshilli (i ministrave të jashtëm të BE-së; vendosi në qershor të zgjasë mandatin e Lajçak për gjysmë viti, pra deri më 31 janar”, ka thënë Pahor në një intervistë dhënë së fundi për “N1” slloven.

Mirëpo duke analizuar këtë deklaratë të Pahor, çfarë mund të jetë ‘diçka’ që ka mundur të ndryshojë në Bruksel?

Tahiraj: Lajçak ka humbur kredibilitetin për të vazhduar detyren e ndërmjetësuesit

Image
Saim Tahiraj

Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur veprimtari nga diaspora, Saim Tahiraj.

Ai thotë se dialogu Kosovë – Serbi ka rënë në një shkallë të ulët të zhvillimit, pasi ndërmjetësuesit Borrell dhe Lajçak kanë ndikuar negativisht në këto bisedime.

Sipas tij, zgjatja e Lajçak është një lajm i keq për Kosovën.

Bisedimet në mes Kosovës dhe Serbisë kan rënë në shkallën më të ultë të zhvillimit. Kjo ndodhë për arsyje të njëanshmërisë së ndërmjetsuesëve Borrell dhe Lajçak. Shtoja këtu edhe arrogancën e Qeverisë së Kosovës e cila nuk ishte bashkëpunuese me faktorin kryesor që ndihmoj për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës, SHBA-së. Zgjatja e mandatit të Lajçakut është një lajm i keq për Kosovën sepse populli i Kosovës nuk i beson më. Lajçak ka humbur kredibilitetin për të vazhduar detyrën e ndërmjetsuesit për shkak të njëanshmërisë, pro Serbisë. Si duket, kampi kundër pavarësisë së Kosovës në Bashkimin Evropian qenka kogja i fuqishëm dhe ka arritur ta imponoj Lajçakun. Shto këtu edhe ndonjë formë korruptive që nuk është befasi për Bashkimin Evropian dhe ka mundur lehtësisht të ndodhë”, u shpreh ai.

Më tej, veprimtari thekson që vetëm SHBA janë faktori më i besueshëm i cili garanton bisedime cilësore.

Nëse Kosova mundë ta refuzoj dhe të propozoj një personalitet tjetër të besueshëm në paanshmëri, duhet ta bëjë këte. Vetëm SHBA janë faktori më i besueshëm i cili garanton bisedime cilësore dhe ruajtjen e kushtetutshmërisë dhe shtetit funksional. Qeveria e Kosovës duhet ta flakë tutje arrogancën dhe të bashkëpunojë ngushtë me SHBA, si i vetmi factor i besueshëm dhe garantues”, foli Tahiraj për “Bota sot”.

Qarri: Pahor nuk do të dorëzohet

Ndërsa, analisti politik Gani Qarri në një bashkëbisedim me “Bota sot”, potencoi që Këshilli i Bashkimit Evropian vendosi papritur të ia vazhdoj mandatit Lajçakut duke mos e pasur parasysh Pahor.

Image
Gani Qarri

“Sipas Borut Pashor, ai ka qenë i ftuar qysh në mars të këtij viti, nga emisari special, Miroslav Lajçak në Bruksel nga i cili është pyetur nëse do të merrte përsipër vazhdimin e punës, nëse Këshilli i BE-së do t`ia jepte mandatin dhe pavarësisht vështirësive që bartë ky post, Pohor ka pohuar se do ta marrë detyrën e ofruar, me qenë se ai ka marrë edhe përkrahjen e parezervë të politikës së shtetit slloven.

Por, megjithëse Pahor ka shprehur publikisht interesimin e tij për ta marrë në dorë drejtimin e dialogut Kosovë-Serbi si përfaqësues i Bashkimit Evropian, situata ndryshoi kur Këshilli i Bashkimit Evropian edhe formalisht ia vazhdoi mandatin të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, deri në janar të vitit 2025, akt me të cilin ndryshoi çdo gjë, nga ajo sa pritej, fillimisht”, shpjegon analisti.

Në bisedë e sipër, Qarri thotë që ajo se çfarë ka mundur të ndikojë që Pahor të mos jetë pjesë e dialogut është që BE nuk do një politikan me përvojën e kryeministrit dhe presidentit të një shteti, por preferon një diplomat të dëgjueshëm për këtë post.

“Siç thuhet procesi i përzgjedhjes së pasuesit të Lajçakut, nuk ka qenë i kompletuar në maj, ndërsa në qershor, papritur Këshilli i Evropës vendosi që në vend të EMISARIT të ri, t’ia zgjasë mandatin Mirosllav Lajçakut edhe për një gjysmë viti, ani pse Pahor një personalitet me, më shumë se 30 vite përvojë politike brenda dhe jashtë vendit, si dhe dijen, arritjet dhe autoritetin ishte i gatshëm ta merrte pozitën e ndërmjetësues për bisedimet Kosovë, Serbi dhe Ballkanin Perëndimor.

Por siç "dyshon" edhe vet Borut Pahor, ajo ‘diçka’ që ka mundur të ndryshoi në Bruksel, duket të jetë fakti se BE, nuk do një politikan me përvojën e kryeministrit dhe presidentit të një shteti, por preferon një diplomat të dëgjueshëm për këtë post, megjithatë Pahor beson se ka referencat që atë e bëjnë më të mirin për pozitën e ndërmjetsuesit, ndaj nuk do të dorëzohet dhe do të garojë për këtë pozitë deri në fund”, përfundoi Qarri për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat