Këshilli i Bashkimit Evropian ia ka zgjatur edhe formalisht mandatin të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, deri në janar të vitit 2025.
Vendimi u mor disa muaj pasi përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, e kishte emëruar Lajçakun si ambasador të BE-së në Zvicër, ku ishte dashur të niste punën më 1 shtator, menjëherë pasi t’i skadonte mandati në rolin e lehtësuesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Mirëpo si do të ndikojë kjo në dialogun Kosovë – Serbi?
Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur Driton Tali.
Ai u shpreh se zgjatja e mandatit të Lajçak është vetëm një arsye praktike pasi të njëjtit nuk mund t'i vazhdohet mandati deri në janar, pasi do të fillojë detyrën e re si ambassador i UE’së në Zvicër.
Gjithashtu Tali përmend mandatin që Kallas do ta ketë nga nëntori dhe qasjen që do ta ketë për dialogun.
“Zgjatja e mandatit të z. Lajçak nga Këshilli i UE-së me kërkesën e z Borrell, është thjeshtë për arsye praktike, sepse tashti janë pushimet pastaj siç dihet mirëfilli duhet pak kohë që të fascilitohen institucionet pas zgjedhjeve.
Por, sidoqoftë, në aspektin kohor unë megjithate dyshoj se mandati i z. Lajçak do të zgjasë deri në janarin e ardhshëm. Edhe për faktin se ai duhet të fillojë detyrën e re si ambassador i UE-së në Zvicër (është caktuar nga shtatorit të fillojë) por edhe për faktin se nga nëntori do t'i fillojë mandati znj. Kaya Kallas, Përfaqësuses së Lartë të UE-së për Politikën e Jashtëm, dhe zakonisht emrimi i të Dërguarit Special për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk merr kohë, sepse sigurisht znj Kallas, si një politikane tashmë e rexhur, e di nga tash kush do të jetë”, u shpreh ai.
Më tej, Tali thekson që dialogu do të vazhdojë në këtë formë "sa për sy e faqe" pa ndonjë rezultat.
“Por kështu veprohet me qëllim që t'i iket (në secilin skenar të mundshëm) vakumit institucional, sepse për UE-në është shumë më i rëndësishëm dialogu Kosovë - Serbi sesa pozita e amabasadorit në Zvicër, apo kudo qoftë tjetër ngjashëm. Megjithate, jasht kësaj, sipas mendimit tim, dialogu do të vazhdojë në këtë formë "sa për sy e faqe" pa ndonjë rezultat. Palët do të shkojnë në Bruksel dhe s'do të pajtohen pothuajse për asgjë”, shpjegon Tali.
Në fund, ai nënvizon që derisa njëra palë nuk ndërron qasje unë nuk shoh se si do të normalizohen marrëdhëniet.
“Sepse, ashtu siç unë e përsëris në vazhdimësi, qëllimet i kemi diametralisht të kundërta: ne synojmë Republikës tonë t'ia rrumbullaksojmë Pavarsinë, e Serbia synon ta zhbëjë këtë Republikë. Andaj derisa njëra palë nuk ndërron qasje unë nuk shoh se si do të normalizohen marrëdhëniet”, përfundoi Tali për “Bota sot”.