Ditë më parë, përfaqësuesi i kristian-demokratëve dhe ish-raportuesi për Ballkanin Perëndimor i grupit parlamentar të Demokristianëve në Bundestag, Peter Beyer, shprehu frikën se nëse Trump vjen sërish në pushtet, çështja e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, të cilën BE dhe Gjermania e refuzojnë si një opsion jashtëzakonisht të rrezikshëm, mund të shtrohet sërish për diskutim.
E në lidhje me rikthimin e mundshëm të Trump në pushtet dhe ndikimin e tij në Kosovë, më saktësisht në Ballkan, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli eksperti austriak, Gunther Fehlinger.
Si fillim, ai u shpreh se Biden është një president shumë më i mirë se Trump, dhe një rikthimi i këtij të fundit në pushtet, nuk do sillte asgjë të mirë për Kosovën.
“Pas performancës së dobët të Presidentit Biden kundër “luftëtarit në kafaz”, Donald Trump në debatin televiziv, ky i fundit duket përsëri në epërsi dhe ne duhet të diskutojmë pasojat e një fitoreje të tij në nëntor 2024.
Ndërsa edhe gjysmë i fjetur, Biden është një president shumë më i mirë se Trump, dhe duke pasur parasysh 7 milionë votat më shumë nga viti 2020, gjasat për një fitore të Bidenit janë më të larta, por ai ka më shumë probleme me moshën, sesa Trumpi, 4 vjet më i ri.
Kështu që, çfarë do të thotë rikthimi i Trumpit për Kosovën dhe shqiptarët?
Asgjë e mirë.
Por, fatkeqësisht, vazhdimi i zbutjes së kujdesshme të Bidenit ndaj Rusisë dhe Serbisë, nuk është aspak i përsosur për Kosovën.
Jugonostalgjia, e përzier me ndërgjegjen e keqe për ndërhyrjen e vitit 1999 dhe një doktrinë e re e menaxhimit të përshkallëzimit nga Borrel dhe Sullivan, na kanë çuar në këtë luftë të gjatë në Ukrainë dhe në qorrsokakun e të ashtuquajturit dialog mes Serbi dhe Kosovë, që është bërë një instrument shantazhi ndaj Kosovës”, shpjegoi eksperti austriak.
![Image](/media/botasot.info/images/2024/July/12/auto_8001720814591.jpeg)
Gjithashtu, Fehlinger tha se duhet të përballemi me shtetin serb, nacionalizmi rus dhe ideologjitë e tyre të rrezikshme.
Ai shtoi se duhet ndryshim edhe nga ana e SHBA-së, ngjashëm si ato në BE, ku edhe pritet të zëvendësohet Borrell me Kallas.
“Ne kemi nevojë për një qasje të re, pavarësisht se kush do të jetë Presidenti i SHBA-së në vitin 2025
Ne duhet të përballemi me Serbinë dhe nacionalizmin agresiv rus dhe të mposhtim ideologji të tilla të rrezikshme në fushën e betejës.
Në BE një linjë shumë më e ashpër ka fituar kundër miqve të butë të Jugosllavisë që drejtojnë politikën në 5 vitet e fundit.
Ne kemi nevojë për një zhvendosje të ngjashme si ajo nga Borrel në Kallas, edhe në SHBA gjithashtu.
Ne kemi nevojë për Bidenin e viteve 1990 përsëri!
Shpresojmë se tronditja e katastrofës televizive do të rezultojë në një ndryshim të madh politikash të kampit të Bidenit, i cili tani më shumë se kurrë ka nevojë për një fitore në fushën e betejës në Ukrainë, nëse duan të fitojnë në nëntor”, nënvizoi ai.
Ndër të tjera, eksperti austriak, parashikoi se në rast se nuk e fiton Ukraina luftën, atëherë Bideni nuk do e marrë mandatin e dytë, ku kësisoj do rikthehet Trump në pushtet.
“Nëse nuk ka fitore në Ukrainë, nuk do të ketë as mandat të dytë për Biden. Tani për herë të parë, kampi i Bidenit, duhet të ketë një interes për të përshkallëzuar luftën, në mënyrë që të zvogëlojë ‘problemet’ me çështjet e moshës dhe të tregojë se Biden është një hero lufte dhe një fitues i denjë për mandatin e dytë
Nëse Biden vazhdon të zvarritet dhe të rrëshqasë në mënyrë të pavendosur në harresë, ne do të përballemi me një mandat të dytë të Trump.
Dhe, ne i mbijetuam qeverisjes 2016-2020 dhe në të vërtetë gjatë asaj presidence, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut iu bashkuan NATO-s dhe Kosova mori të vetmen njohje të re në një dekadë, Izraelin”, përfundoi Gunther Fehlinger për “Bota sot”.