“Zbulohen” qëllimet e Serbisë, rasti i Faton Hajrizit mund të shfrytëzohet për...

Politika

“Zbulohen” qëllimet e Serbisë, rasti i Faton Hajrizit mund të shfrytëzohet për...

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 20 korrik 2024 Në ora: 14:58
Faton Hajrizi

Faton Hajrizi është vrarë të premten nga forcat serbe, kjo pas dyshimeve që ai vrau një polic serb dhe plagosi një tjetër gjersa gjendej në arrati.

Ai është vrarë pas 40 orësh kërkim dhe sipas mediave serbe, Faton Hajrizi, ka qenë duke vrapuar në një rrugë kur aty ka kaluar një patrullë e policisë.

Sipas gazetës, Hajrizi ka filluar të qëllojë në drejtim të tyre.

‘Siç mësojmë, Faton Hajrizi ka mbetur i plagosur nga reagimi i policëve që ndodheshin në veturën patrulluese. Pasi policia e plagosi Hajrizi filloi të çalojë, ai u përpoq të arratisej duke vazhduar të gjuante, por u neutralizua shumë shpejt”, shkrun Blici serb duke u thirrur ne hetues policorë.

Në vendin ku u vra Hajrizi, dje ka shkuar Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq.

Sipas tij, Hajrizi ka shkrepur 9 plumba dhe se dorëzimin s’e ka pasur në agjendë.

“Kur erdhi policia ai hapi zjarr, policia gjuajti dy herë, ai filloi të ikte. Ai zbrazi nëntë plumba, policia e likuidoi, ai nuk e kishte dorëzimin në agjendën e tij, ai është një kriminel mizor, ka kryer pesë apo gjashtë vrasje, ka thënë Daçiq.

Reagime për vrasjen e Hajzirit ka pasur edhe nga Kosova.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi mbrëmjen e së premtes, e ka quajtur kriminel Hajzirin, gjersa ka ngritur pikëpyetje edhe rreth ikjes së tij në Serbi, e jo në Shqipëri.

“Për Kosovën, personi që ka ikur është kriminel, person i dënuar për vepra penale, vendin e ka prapa grilave, në narrativën kosovare e ka vendin në burg. Por ajo që nuk po diskutohet është fakti që ky person ka ikë nga burgu, dhe ka trajtuar opsionet për ikjen në një vend të sigurt, dhe ai ka thënë që jam në një vend të sigurt, ai ka pasë opsione drejt Shqipërisë, me Shqipërinë kemi kalimin e integruar të kufirit, ku kalimi bëhet i lehtë dhe nuk kemi asnjë bazë ushtarake. Në anën tjetër, kemi Serbinë, vend armik që ka 48 baza, baza që operojnë përpara, dhe është kufiri që Serbia e ruan më së miri nga të gjithë kufijtë. Kufiri mes Kosovës dhe Serbisë, ruhet më mirë se ata Ukrainës me Rusi.”, u shpreh ai.

Në anën tjetër, presidenti Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka bërë pretendime në lidhje me Faton Hajrizin, duke thënë se “gjithçka është shumë e çuditshme”.

Vuçia ka pretenduar se qëllimi i Hajrizit nuk ishte të shkonte në Gjermani.

“Çdo gjë është e çuditshme. Edhe leja e qëndrimit nga Gjermania, që ishte falso, që do të duhej të na çonte të besonim se po shkonte në Gjermani, por ky nuk ishte qëllimi i tij”, ka thënë Vuçiq.

Gjersa, deklarata nuk ndalen, analistët politikë thonë se rasti mund të shfrytëzohet politikisht nga Serbia edhe pse nuk duhet të merret sulm mbi shtetin tjetër.

Burjani: Duhet të zbardhet rasti me kujdes

Image
Analisti Blerim Burjani

Analisti Blerim Burjani, thotë se elementet politike në këtë rast do të ndikonin keq në raportet Kosovë- Serbi.

“Duhet të zbardhet rasti me kujdes, kuptohet nuk duhet politizuar dhe të futen në brendi elementet politike apo konteksti politik. Kjo për shkak se elementet politike do të ndikonin keq në raportet ndërmjet dy vendeve”, deklaron Burjani.

Sipas tij, rasti nuk duhet të merret si sulm mbi një shtet tjetër.

“Një rast i tillë aksidentalisht nuk mund të emërohet si sulm mbi një shtet tjetër, pra ky është rast i izoluar dhe kuptohet nuk duhet të shërbejë si motiv për diçka tjetër”, shton analisti.

Faton Hajrizi, ishte i dënuar për vrasjen e një ushtari rus dhe u arratis për herë të nëntë në fillim të këtij muaji nga burgu.

Përveç për vrasjen e ushtarit, në aktvendimin e vitit 2001, Hajrizi u dënua edhe për një rast të tentim-vrasjes, tri raste të vjedhjeve kryesisht të pjesëve të veturave, dhe dy raste të keqpërdorimit të veturave (shfrytëzim pa leje të tyre).

Të gjitha këto vepra, sipas gjykatës, u kryen kryesisht nga fillimi i vitit 2000 deri në fillimin e vitit 2001, në Skenderaj, Drenas, Prishtinë dhe Mitrovicë e Jugut.

Vendimi i dytë gjyqësor për Faton Hajrizin u mor sërish nga Gjykata e atëhershme e Qarkut në Mitrovicë, më 24 janar të vitit 2008.

Kësaj here ai u dënua për dy vepra të grabitjes së armatosur, që sipas gjykatës, i bëri në bashkëpunim me dikë tjetër me iniciale B.B, në vitin 2006, në Skenderaj.

Në këto grabitje, ata morën para, telefona, cigare e mbushje telefoni.

Hajrizi u dënua, po ashtu, për armëmbajtje pa leje.

Atij iu shqiptua dënimi me gjashtë vjet burgim dhe iu konfiskuan armë.

Në kohën e dënimit ai kishte qenë duke qëndruar në paraburgim nga maji i vitit 2006.

Duhanaj: Rasti Faton Hajrizi, pasqyron gjendjen e mjerueshme

Image
Analisti politik, Leon Duhanaj

Analisti politik, Leon Duhanaj, thotë se ai pasqyron gjendjen e mjerueshme të Kosovës.

Sipas tij, rasti në vend se të trajtohej me seriozitet nga organet e sigurisë, janë bërë deklarata skandaloze të njëpasnjëshme.

“Për mendimin tim, rasti Faton Hajrizi, pasqyron gjendjen e mjerueshme, në të cilën gjendet Kosova shqiptarët dhe rajoni në përgjithësi. Në radhë të parë, historia e tashmë të ndjerit, kishte filluar aq tragjikisht, pasi që Faton Hajrizi, kur kishte bërë krimin me vrasjen e ushtarit rus, kishte qenë akoma i mitur. Në atë kohë, është bërë krim mbi krimin, sepse shteti në vend që ta trajtonte si të mitur, e kishte trajtuar si kriminel të moshës së rritur. Sipas deklarimeve të shumta, ai del të ketë qenë i keqtrajtuar gjithandej nëpër burgjet e Kosovës. Tani pas ikjes së tij nga burgu, doli në pah edhe një element tjetër që është trishtues. Patëm një paraqitje skandaloze të shtetit të Kosovës. Në vend që rasti të trajtohej me seriozitet nga organet e sigurisë, me rastin merrej vetë qeveria, vetë ministri i Brendshëm, duke bërë deklarata skandaloze të njëpasnjëshme, për të cilat nuk e bënte dallimin nga Faton Hajrizi i cili ndjekej si kriminel”, pohon Duhanaj.

Sipas Duhanajt, Hajrizi ka rënë viktimë edhe i mediave, gjersa ka shtuar familjarët janë munduar ta ndihmojnë.

“I ndjeri Hajrizi, ra viktimë edhe me mediave të shumta, të cilat për të ndjekur senzacionin, të cilat i ofruan hapësirë mediatike gjithandej. Me ç'rast mund edhe t'i ishte lokalizuar vendqëndrimi. Pjesa tjetër e deklaratave të familjes së të ndjerit, duhet kuptuar se janë munduar ta ndihmojnë, por nuk u kisha sugjeruar të prononcohen pa mbështetje ligjore, sepse veçse e ngarkojnë situatën e tyre edhe ashtu të rënduar. Kur flasim për shtetin e Serbisë, mendoj që nëse ne presim qasje objektive nga ta, atëherë nuk e kemi kuptuar fare misionin e tyre. Pas daljes së deklaratave për vrasjen e policit serb dhe gjetjes së pasaportës në vendin e ngjarjes, jam më së i bindur se edhe vrasja e Faton Hajrizit ka ndodhur në të njëjtin aksion, e jo të nesërmen”, thekson analisti.

Serbia është duke e shfrytëzuar këtë rast politikisht, thotë Duhanaj, por për këtë deklarata të pamatura i hapin rrugë propagandës serbe për ta fajësuar shtetin e Kosovës.

“Serbia është duke e shfrytëzuar këtë rast politikisht, përderisa ne shqiptarët po u japim material. Shumë deklarime të pamatura, duke bërë krahasime nga njëra anë me rastin Banjska dhe Radoiçiqin, i hapin rrugë propagandës serbe për ta fajësuar shtetin e Kosovës. Pastaj edhe përpjekja për t'i dhënë karakter patriotik, me emblema të UÇK-së, nuk mendoj që i shkon për shtati pasqyrimit të drejtë të çështjes. Si shoqëri por mbi të gjitha si shtet, duhet të mësohemi me qenë ma gjakftohtë në vlerësimin e kësaj situate por edhe çdo tjetër, sepse me deklarata kuturu, e dëmtojmë rastin por edhe Kosovën”, shton Duhanaj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat