Faton Hajrizi arriti të ikte nga burgu i Smrekonicës më 6 korrik, ku në po këtë ditë edhe Policia e Kosovës e shpalli në kërkim.
Në ditët në vijim, nuk u arrit të lokalizohej vendndodhja e Hajrizit, pavarësisht se ai disa herë u fut ‘live’ në rrjetin social TikTok ku edhe komunikonte me njerëzit.
Në disa video nga paraqitja e tij në media sociale, Fatoni thoshte se “nuk ka rrezik prej tij” dhe se nuk ka ikur nga burgu për t’i bërë keq dikujt.
Të shumta kanë qenë komentet të cilat thoshin se Fatoni është “hero” dhe se shteti duhej ta lironte.
Gjithçka mori kahje tjetër për këtë rast, kur në orët e para të mesnatës të së enjtes (18 korrik), mediat në Serbi raportuan për një vrasje që kishte ndodhur në Loznicë.
Ministria e Brendshme e Serbisë tha se në vendngjarje ishte gjetur një pasaportë e të dyshuarit, e lëshuar nga autoritetet e Kosovës, me emrin e Artan Hajrizit - i lindur më 1991 - dhe një dokument tjetër gjerman identifikimi.
Por, zëvendëskryeministri i Serbisë, njëherësh ministër i Brendshëm, Ivica Daçiq njoftoi se po vërtetohen faktet nëse personi të cilit i kanë mbetur dokumentet në veturë është realisht vëllai i Artan Hajrizit, i cili është arratisur nga një burg në Kosovë.
E pikërisht, jo shumë orë më vonë, më saktësisht të premten (dje), autoritetet në Serbi njoftuan se është vrarë i dyshuari për vrasjen e një polici serb dhe pagosjen e një tjerti një ditë më parë në në Loznicë, në perëndim të Serbisë afër kufirit me Bosnjën e Hercegovinën.
Ministri i Brendshëm serb Ivica Daçiç, tha se “pjesëtarët e policisë vranë të dyshuarin në afërsi të Loznicës”, pasi ai nuk pranoi të dorëzohej dhe qëlloi mbi forcat e rendit të cilat që nga dje ishin vënë në kërkim të tij.
Autoritetet serbe nuk dhanë më shumë hollësi ndërsa mediat serbe thanë se i vrari është Faton Hajrizi nga Kosova.
Gjithashtu, Daçiq tha se janë arrestuar tre persona që mendohet se i kanë ndihmuar Faton Hajrizit, ndërsa paralajmëroi se do të kërkojë nga autoritetet gjermane dorëzimin e Artan Hajrizit te autoritetet serbe, duke shprehur bindjen se ai i ka ndihmuar të vëllait duke i dërguar dokumentet e tij për t’i mundësuar arratisjen.
Artan Hajrizi u ka thënë medieve në Kosovës se dokumentet ishin vjedhur nga i vëllai.
Autoritetet në Kosovë kanë bërë thirrje që rastit të mos i jepen ngjyrime politike ndërsa ministria e Jashtme e Kosovës kërkoi nga autoritetet serbe “që të konfirmojnë identitetin e personit të vrarë”.
E për këtë ngjarje për “Bota sot” folën njohësit e sigurisë e politikës, ku potencuan dhe mundësinë për eskalim të situatës dhe tensionim edhe më të thellë të raporteve Kosovë-Serbi.

Elezaj: Lajm shumë i rëndë për familjen e tij, por edhe për shtetin e Kosovës
Opinionisti Rexhep Elezaj e cilësoi si një lajm të trishtë raportimin për vrasjen e Faton Hajrizit në Serbi.
Ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se ky është një rast tragjik për Kosovën, derisa komentoi edhe arratisjen e të ndjerit nga burgu i Smrekonicës.
“Lajmi i trishtë nga mediat e Serbisë dhe nga vetë ministri për Punë të Brendshme, çetniku Ivica Daçiq, se “vrasësi i policit serb, Faton Hajrizi është likuiduar”, duke dhënë pamje të tij nga vendi ku është vrarë, nëse vërtetë bëhet fjalë për F. Hajrizin, është pa dyshim një lajm shumë i rëndë për familjen e tij, por edhe për shtetin e Kosovës, sepse bëhet fjalë për një të ri shqiptar dhe qytetar të saj, i cili për shkaqe ende të pasqaruara deri në fund, pas ikjes nga burgu i Smrekonicës, u detyrua që të strehohet në Luginën e Preshevës. Siç u kuptua, me qëllim për ta marrë rrugën drejt botës perëndimore, por e cila rrugë rezultoi do të jetë shumë e kobshme për jetën e tij dhe familjen, për shkak se askush nga zyrtarët tanë shtetëror nuk u mor me kërkesat e tij, që ai mos të kthehet më në burg.
Ky është një rast shumë tragjik për Kosovën, se si dhe pse erdhi deri tek ngjarja në qytetin Lloznicë afër kufirit me Bosnjën, që do përfundojë me vrasjen e tij nga policia serbe, që e tëra ishte ngritur në këmbë për ta gjetur dhe arrestuar Faton Hajrizin, i cili, siç shkruajnë mediat, pas një rezistence të armatosur qenka vrarë”.
Po ashtu, Elezaj foli edhe mbi ndikimin e këtij rasti, në raportet Kosovë-Serbi.
Sipas tij, tani shteti serb do ta përdorë politikisht këtë rast, për të hedhur akuza dhe shpifje ndaj shtetit tonë, vetëm e vetëm për ta njollosur atë.
“Në anën tjetër, se çfarë do të ndodhë në raportet Kosovë-Serbi, edhe ashtu të tensionuara me vite, pas ngjarjes në Lloznicë dhe vrasjes së Faton Hajrizit , është mjaft lehtë të supozohet, ngase regjimi kriminal i Serbisë, siç ka bërë gjithherë në raste të këtilla, edhe kësaj radhe do ta akuzon Prishtinën zyrtare, sipas tyre, “organet e përkohshme në Prishtinë”, siç i quajnë ata institucionet e Republikës së Kosovës, se gjoja ato qëndrojnë pas këtij rasti, duke e cilësuar vrasjen e policit serb, Kusmanoviç, si akt terrorist, me akuza të njohura, se ish anëtarët e UÇK-së janë “terrorist” të cilët duan ta destabilizojnë Serbinë, dhe se përmes saj kalojnë kriminelë që merren me trafikim të drogës, etj., duke zbrazur mbi Kosovën rrebeshe akuzash dhe shpifjeve, me qëllim që ta njollosin sa më shumë shtetin e pavarur të Kosovës”.
Krahas kësaj, opinionisti beson se serbët do ta përdorin këtë rast për propagandë te ndërkombëtarët, kinse shqiptarët dhe Kosova janë destabilizuesit kryesorë në Ballkan.
“Përveç tendencave dhe propagandës kriminale që këtë rast ta krahasojnë me sulmin e terroristëve serbë në Banjskë me 24 shtator 2023, siç po vepron çetniku dhe antishqiptari i përbetuar, Ivica Daçiqi, eksponentët e regjimit në Beograd do të bëjnë çmos që këtë ngjarje ta ngritin në qarqet ndërkombëtare, si “dëshmi”, se shqiptarët dhe Kosova janë destabilizuesit kryesorë në Ballkanin perëndimorë, gjithnjë me prapavijë djallëzore, se ishte gabim i juve (i shteteve perëndimore) që e keni bërë dhe pranuar pavarësinë e Kosovës”, përmbylli Rexhep Elezaj për “Bota sot”.

Elezi: Ne jemi të vetëdijshëm që Faton Hajrizi është një person i vetëm në rastin konkret dhe se nuk ka të bëjë me asnjë organizim apo aktivitet tjetër
E në lidhje me këtë temë, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli edhe eksperti i sigurisë, Bedri Elezi
Ai u shpreh i shqetësuar nga fakti se si policia serbe nuk ka tentuar filimisht që ta arrestojë Hajrizin, por e kanë vraraë menjëherë.
Për këtë, Elezi potencoi se shteti serb ka tentuar të përfitojë nga kjo situatë, ku edhe e paraqitën atë si një person me rrezikshmëri të lartë.
“Ne jemi në fakt shumë të shqetësuar se pse autoritetet e Serbisë nuk kanë tentuar që të arrestojnë të njëjtin, në mënyrë që të konfirmohet se Faton Hajrizi ishte një person i vetëm dhe në tentativë e sipër për t’u larguar nga vujtjet e dënimit në Kosovë, kishte përdorur territorin e Serbisë, një korridor i njohur ndërkombëtarisht për trafikimin me qenien njerëzore, por që kishin vendosur që fillimisht ta paraqisnin një person me rrezikshmëri të lartë dhe më pas gjoja se për shkak të rrezikshmërisë së tij, ta vrasin në mënyrë që mos të krijohet mundësia për të kuptuar tentimin apo përpjekjen e Serbisë për një narrativë rreth asaj që ka pretenduar se kemi të bëjmë me një sulm terrorist”.
Gjithashtu, eksperti tha se nuk ka dyshime që Hajrizi ka të bëjë me organizim apo aktivitet tjetër, pasi ishte si përson i vetëm.
“Ne jemi të vetëdijshëm që Faton Hajrizi është një person i vetëm në rastin konkret dhe se nuk ka të bëjë me asnjë organizim apo aktivitet tjetër. Por, në fakt kishim disa gabime në institucionet e Republikës së Kosovës, fillimisht një deklarim i ministrit të Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili ishte dhe deklaruar se është çështje orësh apo ditësh arrestimi i ditë, me çka mund të përdoren nga autorët e Serbisë për të konsumu idenë se ka qenë një çështje e organizuar dhe gjithashtu procedurat e të cilat i ka fituar Faton Hajrizi për të vuajtur dënimin në një vend, në një burg gjysmë të hapur dhe lirim i vikendeve”
Më tej, Elezi shpreson që autoritetet e Kosovës tonë të sigurojnë të gjitha informacionet dhe dëshmitë mbi këtë rast
“Në këtë rast, uroj dhe shpresoj që autoritetet e Republikës së Kosovës një kohë shumë të shpejt rekorde, do të sigurojë të gjitha informacionet dhe dëshmitë se Republika e Kosovës ka bërë përpjekje reale dhe ligjore për ta siguruar Hajrizin, ngase i njëjti ishte i dënuar si i mitur në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare, me çka edhe realisht nuk ndodh në burgjet të shteteve me demokraci, që një i mitur të dënohet me një dënim njëzet e tetë vjet. Por, që më pas shteti ka të tentuar që të kompensojë, duke tentuar që të rehabilitojë të njëjtin, të arrijë të riintegrojë në shoqëri”, nënvizoi eksperti.
Në fund, ai shtoi se duhet të ketë dorëheqje nga ministrja Haxhiu dhe ministri Sveçla, por në rast se ata refuzojnë një gjë të tillë, atëherë kryministri Kurti do duhej t’i shkarkonte.
Po ashtu, tha se pret që në këto hetime të përfshihen ndërkombëtarët.
“Duke u bazuar në gjitha këto, në besojmë dhe urojmë që institucionet e Republikës së Kosovës do të jenë të përgjegjshme, fillimisht ministri i Punëve të Brendshme ndoshta edhe do të ofrojë dorëheqjen e tij dhe ministra e Drejtësisë, si persona kompetent në lidhje me rastet dhe më pas të gjithë ata përgjegjësë në institucione, të cilët kanë kriju kushte që i njëjti të vendos në rrezik një shtetas apo zyrtar të një shteti tjetër, dhe më pas po ashtu të rrezikohet edhe vetë jeta e tij.
Ne urojmë dhe dëshirojmë që edhe kryeministri i Republikës së Kosovës të marrë veprime të duhura, në rast se nuk do të kemi një veprim të ministres së Drejtësisë dhe ministrit të Brendshëm për dorëheqje, e kështu që Kosova të reflektojë si një vend i cili ë jep privilegje personave të caktuar, por njëkohësisht kërkon edhe përgjegjësi. Bashkëpërgjegjësia dhe privilegji janë vlera të cilat Kosova i konsideron si çështje të shoqërisë dhe çështje zbatimit të ligjit në Kosovë.
Ne, vërtet mund të themi shumë të shqetësuar për këtë ngjarje të rëndë, ngjarja e cilapo tentohet nga Serbia të politizohet dhe njëkohësisht t'i jepet edhe një konotacion tjetër, por besojmë fuqishëm që faktori ndërkombëtar, në këtë rast do të punojë së bashku me autoritetet e Kosovës”, përfundoi Bedri Elezi për “Bota sot”.