Deklarata 49 pikësh e miratuar më 8 qershor në “Kuvendin Gjithë-serb” – një takim i përbashkët i Qeverive të Serbisë dhe Republikës Sprska në Bosnje Hercegovinë – nuk është asgjë tjetër përveç konkretizimit të “Botës Serbe” – gravitimi brenda një sfere të vetme politike i të gjithë serbëve kudo që jetojnë – thonë analistët politikë.
Është miratuar në qershor të këtij viti, ndërsa tashmë edhe zyrtarisht po pranohet se deklarata “Kuvendi gjithëserb” është bazë e luftës për Kosovën.
Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, të mërkurën u bëri thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Serbisë që të mbështesin ‘Deklaratën për Mbrojtjen e të Drejtave Kombëtare dhe Politike dhe të Ardhmen e Përbashkët të Popullit Serb’ e dalë nga këshilli gjithëserb, sepse ajo sipas tij është baza e luftës së mëtejshme politike për mbijetesa e popullit serb në këtë zonë dhe luftës së vështirë për Kosovën.
Duke reaguar ndaj pohimeve të deputetit të opozitës së Frontit të Gjelbër-Majtas (ZLF) Radomir Lazoviq se Deklarata Gjithëserbe është një “pamflet dhe trillim nacionalist”, Vuçeviq tha se do të ishte mirë që problemet dhe sfidat me të cilat përballen serbët të ishin trillime, por nuk është kështu.
“Do të ishte trillim sikur të mos kishim 300 zgjidhje përfundimtare për emigrimin e serbëve nga Mitrovica e Kosovës dhe sikur të mos kishim përpjekjet e kryeministrit Kurti për të hapur një urë ndërmjet Mitrovicës Veriore dhe Jugore”, tha Vuçeviq.
Ai gjithashtu vuri në dukje përpjekjet e vazhdueshme për të rishikuar Marrëveshjen e Dejtonit, e cila kryhet gjithmonë dhe ekskluzivisht në dëm të RS-së, se alfabeti cirilik është i persekutuar dhe i ndaluar dhe se serbët u thyhen gurët e varreve.
“Deklarata nuk i zgjidh të gjitha problemet, por sjell një bazë politike dhe një qasje institucionale se si të zbatohet politika shtetërore dhe politika kombëtare në përgjigje të të gjitha këtyre rrethanave”, tha Vuçeviq.
Përpjekja e dështuar e ndërkombëtarëve për ta demokratizuar Serbinë
Analisti politik, Ali Hertica, deklarimin e Vueçeviq e sheh si të vërtetë, gjersa shton se e gjithë politika e Serbisë është me thirrje për luftë.

“Deklarimi i kryeministrit serb Vuçeviq është i vërtetë sepse historikisht dihet se të gjitha armiqësitë brenda ish- Jugosllavisë kanë dalë si celulë e nacionalizmit serb nga parlamenti serb ku grupet ekstremiste nacionaliste të udhëhequr nga shumë radikal që krijuan politika destruktive dhe gjenocid. Tani e gjithë politika hegjemoniste e krimeve ordiner dhe luftënxitëse ku baza e së cilës është Kuvendi i Serbisë dhe qendra e Akademisë së Serbisë duke mos harruar edhe kisha që shpesh bën thirrje për luftë”, deklaron Hertica.
Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se shteti i Kosovës duhet të jetë i ashpër ndaj politikave të Serbisë dhe assesi mos të mendojë se ajo ka ndryshuar.
“Udhërrëfyesit e politikës serbe për Kosovën është pikërisht vetë kuvendi që bën politika kriminale e shoevniste për Kosovën të shtuara me të gjitha instancat e shtetit së bashku me popullin serb që çdoherë duket se Kosova është djep serb dhe nga nacionalizimi totalitar.
Shteti i Kosovës e di dhe çdoherë duhet të jetë i ashpër ndaj politikave të Serbisë dhe grupeve të caktuara që mund të planifikojnë destabilizim në vend dhe rajon , por assesi mos të mendoj se me demokratizimin e Serbisë ajo ka ndryshuar politikat hegjemoniste të etura për luftë në Kosovë”, thekson analisti.
I pyetur pse po “hesht” faktori ndërkombëtar ndaj deklaratave të tilla, Hertica, thotë se ata përpiqen ta zhveshin ata nga nacionalizimi dhe hegjemonizimi politik.
“Faktori ndërkombëtar edhe vetë Evropa bën një heshtje kinse fare nuk ka interes sepse mendimin e ka që gradualisht ta largojë nga Rusia dhe mos të ketë mbështetjen e saj. Këtë lojë faktori ndërkombëtar e luan edhe një kohë me Bullgarinë derisa e futi në EU. Faktori ndërkombëtar po mundohet që me çdo kusht Serbinë ta zhvesh nga nacionalizmi dhe hegjemonizmi politik dhe nga ai parim çdoherë Evropa po e faktorizion Serbinë dhe mbyll sytë”, shton Hertica.
Dashevci: Serbia po e vazhdon luftën e saj speciale kundër Republikës së Kosovës
Ndërsa, për deklarata e propaganda të tilla, institucionet e sigurisë në Kosovë janë të informuar, thotë eksperti i sigurisë Arben Dashevci.

Sipas Dashevcit, politika artificiale e Serbisë është në kundërshtim me të gjitha normat ndërkombëtare.
“Serbia po e vazhdon luftën e saj speciale kundër Republikës së Kosovës dhe kjo shihet qartazi. Institucionet e sigurisë me veprimet e tyre besoj dhe sipas mendimit tim ka një kohë që janë të informuar për këto lloj propagandash, sepse kjo është një politikë artificiale e Serbisë që është në kundërshtim me të gjitha normat ndërkombëtare ku e gjithë kjo është për konsum të brendshëm politik atje”, shprehet Dashevci.
Gjenezën e luftës speciale të Serbisë ndaj Kosovës ai e sheh në Rusi, gjersa shton se veprimet e Kosovës janë të koordinuara me NATO-n dhe SHBA-në.
“Kosova është shtet i njohur ndërkombëtarisht dhe i ka institucionet e saja te sigurisë që janë te koordinuara ne çdo veprim me aleatet tanë ndërkombëtar Naton dhe SHBA. Andaj këto veprime janë propagandë e Serbisë si vazhdimësi e luftës speciale gjenezën e saj sipas mendimit tim e ka në Rusi”, përfundon Dashevci.