“Ligji i Lutës dhe Thaçit përkeqësoi situatën në veri”/ Bytyçi zbulon detaje: “Hajde të shkëmbejmë territoret”!

Politika

“Ligji i Lutës dhe Thaçit përkeqësoi situatën në veri”/ Bytyçi zbulon detaje: “Hajde të shkëmbejmë territoret”!

Nga: N. Sh. Më: 26 korrik 2024 Në ora: 16:01
Hashim Thaçi dhe Lutfi Haziri

“Po, Ura e Ibrit duhet hapur! Ajo duhej hapur që me 12 qershor 1999. Atëherë u mbyll nga KFOR-i francez. Ok!”, kështu shprehet profesori dhe analisti politik Enver Bytyçi, për çështjen e hapjes së Urës.

Ai shton se, Ura është dashur të hapet një ditë pas shpalljes së pavarësisë, më 18 shkurt 2008, duke theksuar se, pavarësi nuk ka nëse nuk ka sovranitet dhe integritet territorial.

“Pavarësia e Kosovës u shpall më 17 shkurt. Në fakt u shpallë pavarësia e territorit poshtë Urës së Ibrit“, thekson ai.

Prandaj, sipas profesorit, ndodhën të gjitha ngjarjet që tashmë i njohim për dekada në atë pjesë të terrorit të Kosovës, sepse pavarësia e Kosovës nuk u shtri de facto në katër komunat e veriut të vendit.

“Përkundrazi, situata u përkeqësua me ligjin e Lutfi Hazirit për të formuar nja dhjetë komuna të komunitetit serb. Kjo krijoi një diekuilibër midis popullsisë dhe numrit të komunave. Ndërsa popullsia serbe në Kosovë nuk i kalon 5 përqind të numrit të përgjithshëm të banorëve, Luta e Thaçi u dhanë atyre çerekun e numrit të komunave, pra 25 përqind e madje pak më shumë. Krijimi i këtyre disbalancave. Në vend ta zgjidhnin konfliktin, nxitën orekset për territore. Kësisoj, në vend që ura të hapej, ajo vetëm sa mbyllej e hermetizohej edhe më shumë. Ishin lëshimet e autoriteteve të Kosovës që e krijuan këtë situatë, ose së paku i erdhën në ndihmë Serbisë që të sjpallte publikisht projektin e ndarjes së Kosovës. Tani, për çudi, është Luta dhe pikërisht ata që e sollën këtë situatë, që thonë “Hajde të shkëmbejmë territoret”! Nuk jam krejt i bindur se çfarë interpretimi do të duhet t’i bëjmë këtyre qëndrimeve”!”, thotë Bytyçi.

Profesor pohon se, ura është ndërtuar, sepse aty kalon një lumë, Lumi i Ibrit.

“Po të mos ishte Ibri nuk do të kishte urë. Si e tillë ura është ndërtuar edhe nga shteti jugosllav për t’i lidh pjesët në jug e në veri të Ibrit. Për t’i bërë bashkë njerëzit dhe për t’ua lehtësuar atyre jetën dhe veprimtarinë e përditshme. Nëse ajo hapet që nesër, sërishmi do të shërbejë për qëllimet që u ndërtua. Të bashkojë territore, fate njerëzish dhe jo t’i ndajë ato. Mirëpo, Serbia është kundër bashkimit, lufton për ndarje. Ky është konflikti. Kryeministri Kurti ka paralajmëruar se Ura do të hapet. Ka zhvilluar edhe një takim me ambasadorët e vendeve të QUINT-it për këtë qëllim. Media e ka trajtuar me idenë, sikur Kurti u ka mbajtur leksion këtyre ambasadorëve. Por në fakt ai është përpjekur të paraqesë argumente të pakundërshtushme për hapjen e urës. Dhe kjo është mirë. Eshtë mirë, edhe nëse ndonjë ambasadori nuk i ka pëlqyer ky veprim. Eshtë mirë, sepse kryeministri nuk do që të veprojë njëanshëm, siç e akuzojnë vazhdimisht disa ambasadorë dhe opozita anti- hapjes së urës”, pohon ai.

Profesori thotë se, hapja e Urës krijon shanse më shumë.

“Shteti këtë funksion ka. T’u krijojë shanse qytetarëve të të gjitha etnive dhe besimeve për zhvillim e prosperitet. Ura krijon mundësi për integrim. Dhe një pjesë e madhe e minoritetit serb në Kosovë e ka pranuar integrimin e tyre në institucionet e Kosovës. Brukseli i dha goditje këtij integrimi kur njohu të drejtën e serbëve me pasaporta serbe të lëshuara nga institucionet paralele të Beogradit në zonën Shengen. Ky akt është i mjaftueshëm për ta refuzuar kërkesën e burokratëve të Brukselit që kjo çështje të zgjidhet me ndërmjetësinë e tyre. Zgjidhja duhet të jetë ligjore dhe kushtetuese. E njëkohësisht të garantojë se hapja e urës nuk bëhet shkak për trazira dhe konflikt. Nëse qeveria Kurti merr përsipër këto dy aspekte, atëherë mund ta hapë urën që nesër. Është e drejta e qeverisë së Kosovës të krijojë kushte normale të lëvizjes së njerëzve, automjeteve dhe të mallrave në territorin e Kosovës”, potencon ai.

Bytyçi shprehet se, zgjidhja më e mirë është hapja e urës në zbatim të ligjit dhe kujdesi e marrja e të gjitha masave që ura e Ibrit të ruhet dhe të mos ketë trazira.

“Unë besoj se nuk do të ketë trazira. Konfliktin e bëjnë gogol edhe disa ambasadorë perëndimorë, të cilët nuk e kanë shumë për dëshirë integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës. Ndoshta edhe për faktin se i kanë premtuar Vuçiqit asociacionin dhe hapja e urës dhe integrimi i serbëve e vështirëson de ndoshta e pamundëson krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Kjo qe arsyeja pse u refuzua edhe anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës. Duan t’ia bëjnë një dhuratë Aleksandër Vuçiq në këmbim të tërheqjes së tij në anën e euro-atlantizmit. Por e kam thënë dhe e them: - Eshtë thjesht një iluzion. Serbia nuk bëhet aleate e NATO-s. Edhe nëse hyn në BE, do të luajë kalin e Trojës së Moskës, njësoj siç bën sot Orban dhe më keq akoma. BE-së do t’i shtohen vende që destruktivojnë nga brenda saj! Për këtë arsye Vladimir Putin i ka dhënë leje Serbisë të anëtarësohet në Bashkimin Europian. I duhet një veto kundër projekteve të Unionit!”, përfundon profesori Enver Bytyçi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat