A do të dënohet Serbia për 'mosnormalizim' me Kosovën nga BE-ja, flet deputeti gjerman: Pritet një konflikt rajonal

Politika

A do të dënohet Serbia për 'mosnormalizim' me Kosovën nga BE-ja, flet deputeti gjerman: Pritet një konflikt rajonal

Nga: H.Orana Më: 27 korrik 2024 Në ora: 22:12
Parlamenti Evropian

Shteti serb edhe njëherë konfirmoi se nuk do ta njoh Marrëveshjen bazë me Kosovën. Kështu, Kryeministri i Serbisë, Milosh Vuçeviq, gjatë një seance të kësaj jave të parlamentit serb, ka thënë se vendi i tij nuk e ka pranuar planin franko-gjerman.

“Edhe një herë, do ta them mjaftë qartë, kjo po regjistrohet me zë por edhe po transkriptohet: Republika e Serbisë nuk e ka pranuar marrëveshjen franko-gjermane. Edhe një herë, ne nuk e kemi pranuar planin franko-gjerman”, ishte shprehur Vuçeviq para deputetëve të parlamentit serb.

Kjo deklaratë e kreu te qeverisë serbe duhet të ‘bie në vesh’ të BE-së për të marrë ndonjë vendim ndaj shtetit serb lidhur me dialogun dhe normalizimin me Kosovën.

Pati reagime ndaj zyrtarët e Kosovës, megjithatë një vendim nga BE-ja nuk u bë i ditur ende.

Image
Deputeti gjerman, Knut Abraham

Lidhur me këtë ‘Bota sot’ ka pyetur deputetin gjerman Knut Abraham, nëse BE-ja duhet të dënoj Serbinë apo cili duhet të jetë dënimi ndaj saj.

Ai thotë dialogu i normalizimit de fakto ka vdekuar, ndërsa pyetet nëse duhet të sanksionohet Serbia, sanksionet ndaj Kosovës nuk janë hequr deri më tani.

“Është joreale që Serbia të sanksionohet nga BE-ja, për fat të keq, as sanksionet ndaj Kosovës nuk janë hequr deri më tani – gjë që është e papranueshme. Duhet të pranojmë se dialogu i normalizimit de facto ka vdekur. Përderisa Serbia nuk ka interes për normalizim, çdo dialog bëhet i pakuptimtë”, vlerëson ai.

Deputeti i Bundestagut gjerman thekson se kjo gjendje e pasqyron një krizë të thellë në politikën e BE-së që mund të rrisë rrezikun e një konflikti rajonal.

“Megjithatë, kjo pasqyron një krizë më të thellë në politikën e BE-së ndaj rajonit. Pa një politikë të besueshme zgjerimi, BE-ja do të vazhdojë të humbasë ndikimin, gjë që do të rrisë rrezikun e një konflikti rajonal”, vlerëson ai.

Ai vlerëson se kjo duhet të ndryshohet dhe ka një mënyrë, që do të ishte një fitore e favorshme për të gjithë.

“Duke u ofruar të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor që t'i bashkohen tregut të vetëm si një hap i përkohshëm deri në vitin 2030, mund të rivendoset një kornizë e besueshme për paqen dhe stabilitetin. Çdo vend që përmbush kushtet së pari, do të shpërblehej me akses në tregun e vetëm, duke përfshirë lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit. Kjo do të rivendoste nxitjen për politikanët në rajon për të zbatuar reformat e nevojshme që do t'u ofronin qytetarëve të tyre një perspektivë të vërtetë evropiane deri në vitin 2030”, thotë deputeti gjerman për ‘Bota sot’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat