Më pak se një vit ka mbetur që nga mbajtja e zgjedhjeve të reja parlamentare dhe për të diskutuar rreth tyre presidentja e vendit tashmë ka ftuar liderët e partive politike.
Presidentja, Vjosa Osmani, pritet të mbajë takim me liderët e partive politike më 31 korrik në orën 14:00, kjo për të diskutuar për caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare politike.
Nga Presidenca kanë bërë të ditur se në letrën dërguar liderëve të partive, Osmani ka deklaruar se bazuar në Kushtetutë dhe Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, zgjedhjet duhet të mbahen përgjatë periudhës 26 janar- 16 shkurt 2025.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i është përgjigjur pozitivisht thirrjes dhe për këtë ka folur deputeti i kësaj partie, Pal Lekaj.
Lekaj në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës.
Por, sipas tij, Qeveria Kurti e ka merituar të shkarkohet me mocion.
Sipas tij, sa më shpejt largohet kjo qeveri aq më mirë për qytetarët.
“Do t’i përgjigjemi pozitivisht ftesës së presidentes. Qeveria Kurti e ka merituar të shkarkohet me mocion, por fatkeqësisht nuk kemi pasur mbështetje nga partitë opozitare. Ne mendojmë që sa më parë të ikë kjo qeveri, është më mirë për qytetarët e Kosovës”, ka deklaruar Lekaj.
Theksojmë se në maj të këtij viti, Partia Demokratike e Kosovës ishte e pajtimit që në zgjedhje të shkohet përmes shpërndarjes së Kuvendit, por jo edhe Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
LDK-ja e AAK-ja dëshironin fillimisht dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti.
Zgjedhjet e fundit nacionale janë mbajtur më 14 shkurt 2021, kur Lëvizja Vetëvendosje doli e para me më shumë se 50 për qind të votave. Partia e dytë ishte PDK, e treta LDK, kurse e katërta AAK.
Lidhur me ftesën e presidentes Osmani, një reagim e ka bërë edhe Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës.
Cakolli thotë se zgjedhjet e rregullta parlamentare mund të mbahen në periudhën, nga fundi i janarit deri në mes të shkurtit të vitit 2025.
“Datat e vetme të zgjedhjeve të rregullta që Presidentja mund t’i diskutojë me partitë politike në takimin e së mërkurës, janë 26 janari, 2, 9 apo 16 shkurti. Presidentja ka kohë më së voni deri në mes të nëntorit, për ta caktuar ndonjërën prej këtyre datave”, kishte pohuar ai.