Raportet e afërta që Vuçiq ka me presidentin e Francës, Emmanuel Macron është dëshmuar shumë herë.
Por, së fundmi vizita që do të realizoj Macon në Serbi ka marrë vëmendjen e opinonit publik.
Siç është bërë e ditur Macron do të bëjë një vizitë zyrtare në Serbi më 29 dhe 30 gusht.
Vizita e Macronit në Beograd do të realizohet më pak se pesë muaj pasi ai e priti në Paris homologun e tij serb, Vuçiq.
Kjo do të jetë vizita e dytë e presidentit francez në Serbi në pesë vjetët e fundit, teksa dy shtetet po forcojnë raportet e tyre, veçmas në fushën e ekonomisë.
Gjatë pjesëmarrjes në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Verore, që u mbajtën në Paris, Vuçiq muajin e kaluar tha se vizita e Macronit në Serbi pritet të realizohet në fillim të shtatorit. Të dy burrështetasit në deklaratat e tyre publike kanë sugjeruar se një prej temave të takimit do të jetë blerja nga Serbia e avionëve luftarakë francezë, Rafale.
Në shkurt të vitit 2023, Vuçiq u tha gazetarëve se blerja e avionëve Rafale do të jetë blerja më e madhe nga buxheti i ushtrisë serbe, “në një vlerë prej 3 miliardë eurosh”.
Çështjet ushtarake do të jenë pjesë e bisedimeve, ka konfirmuar Macron në një konferencë për media më 18 korrik gjatë Samitit të Komunitetit Politik Evropian, që u mbajt në Mbretërinë e Bashkuar.
Mirëpo a do të jetë Kosova pjesë e agjendës së këtij takimi?
Shabani: Nuk duhet harruar se Macroni ka qenë njëri ndër politikanët më të komplikuar të BE-së

E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur njohësi i marrëdhënieve diplomatike, Amir Shabani.
Ai thotë që me doemos nuk do anashkalohet temat e pambyllura që tangojnë Ballkanin Perëndimor në përgjithësi.
“Një ndër arsyet e vizitës së Macronit në Beogradin zyrtar thuhet se do jetë për çështjen e AI-së në Serbi. Mirëpo me doemos nuk do anashkalohet temat e pambyllura që tangojnë Ballkanin Perëndimor në përgjithësi”, u shpreh ai.
Ndër të tjera, njohësi thotë që favorizimet po adresohen kah Serbia, ndërsa shtypjet dhe kushtet po i atribuohen Kosovës.
Gjithashtu, Shabani thekson që BE-ja në përgjithësi dhe Franca në veçanti duhet ta ndryshojnë kursin njëherë e përgjithmonë përballë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Nuk duhet harruar se Macroni ka qenë njëri ndër politikanët më të komplikuar të BE-së për rrugën euro integruese të tërë rajonit, vështirësi të tilla ka hasur edhe Maqedonia e Veriut. Sa i përket raporteve të Serbisë me Kosovën, më vjen keq të them dhe shpresoj të jem gabim, por favorizimet po adresohen kah Serbia, ndërsa shtypjet dhe kushtet po i atribuohen Kosovës.
BE-ja në përgjithësi dhe Franca në veçanti duhet ta ndryshojnë kursin njëherë e përgjithmonë përballë vendeve të Ballkanit Perëndimor, sidomos ndaj Kosovës e cila ndoshta është më proevropiane, por megjithatë rruga drejt BE-së sa shkon e vështirësohet”, foli Amir Shabani për “Bota sot”.
Duhanaj: Fokusi i Kosovës nuk duhet të përqendrohet në atë çfarë thotë e bën Serbia, por në planet tona

Ndërsa analisti politik, Leon Duhanaj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha që Franca është në ndjekje të interesave të saj dhe se për këtë arsye ndjek takimet që sjellin përfitime për të.
Analisti përmend që ushtarët francez ishin ata të cilët u përkujdesen që të ndodhë ndarja mbi lumin Ibër.
“E gjithë historia e diplomacisë, është përshkruar me agjenda paralele, ku shtetet, gjegjësisht fuqitë e mëdha të kohës paralel agjendave të ndërmjetësimit për paqe, kanë edhe agjenda bilaterale, të cilat i shtyjnë përpara përpara, për t'i mbrojtur apo zgjeruar interesat e tyre kombëtare e shtetërore.. Natyrisht se edhe në kohën e sotme, Franca ndjekë linjat e saja të interesit, madje ne e dimë se ishin pikërisht ushtarët francez të cilët u përkujdesen të që ndodhë ndarja mbi lumin ibër. Pra interesa ka, dhe pikërisht pse ka të tillë, ndodhin edhe stërzgjatje të proceseve apo me mirë të themi "status quo", pa ndonjë epilog”, thotë ai.
Në bisedë e sipër Duhanaj shton që Macron do të kërkoj nga Vuçiq ndonjë qasje më pro-evropiane për çështjen e Banjskës.
“Natyrisht që Macron do të kërkojë ndonjë qasje më pro-evropiane nga Vuçiq, e sidomos në adresimin e çështjes së Banjskës, dhe sjelljen e akterëve para drejtësisë. Por që thelbi i bisedave me siguri do të jetë i fokusuar mbi interesat bilaterale. Serbia një ditë do t'i arrestojë të kërkuarit, por ketë do ta bëj vetëm atëherë, kur aktin e tillë, ta ketë kapitalizuar me ndonjë interes të madh në agjendën e saj ndërkombëtare. Për ketë ata janë të njohur, sepse kanë rezon shtetëror dhe në raste të tilla vendosin interesin e shtetit mbi individin, gjë që e bënë edhe me Millosheviqin”, shtoi analisti.
Në fund, ai kërkon nga Kosova fokus në planet e saj dhe jo të merret me Serbinë pasi sipas tij nëse do të orientoheshim në agjendat e Beogradit, e as pavarësinë nuk do ta fitonim.
“Fokusi i Kosovës, nuk duhet të përqendrohet në atë çfarë thotë e bën Serbia, por në planet tona. Sepse ne as luftën nuk do ta fillonim, nëse do të orientoheshim në agjendat e Beogradit, e as pavarësinë nuk do ta fitonim. Tani duhet ta fitojmë paqen, duke u fokusuar në planet tona të koordinuara me miqtë ndërkombëtarë, Serbia për ne duhet të mbetet veç një e keqe e domosdoshme pasi që e kemi fqinjë, por assesi ta investojmë energjinë rreth të bëmave të tyre”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.