Deklarohen nga LVV, tregojnë nëse janë në bisedime për koalicion – përmendin një ‘ndryshim’ që mund të ndodhë!

Politika

Deklarohen nga LVV, tregojnë nëse janë në bisedime për koalicion – përmendin një ‘ndryshim’ që mund të ndodhë!

Nga: M.Haziri Më: 28 gusht 2024 Në ora: 08:05
Foto ilustrim

Zgjedhjet e 9 shkurtit dita ditës po afrohen.

Partitë politike kanë filluar fushatat e tyre parazgjedhore dhe premtimet ndaj qytetarëve.

E në lidhje me zgjedhjet dhe mundësinë për ndonjë koalicion, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka folur deputeti nga LVV, Gramos Agusholli.

Ai thotë se është herët për të parashikuar rezultatin e zgjedhjeve mirëpo që nuk pret rezultatet të ndryshojnë në mënyrë të konsiderueshme nga zgjedhjet e kaluara.

Sipas tij, rrezik mund të ndjehet nëse kemi një lëvizje të re politike.

Image
Gramos Agusholli

Mendoj se është ende herët për të parashikuar rezultatin e zgjedhjeve, pasi çdo ndryshim i rëndësishëm mund të ketë ndikime të mëdha në skenën politike. Sidoqoftë, duke marrë parasysh dinamikat aktuale, nuk pres që rezultati të ndryshojë në mënyrë të konsiderueshme nga zgjedhjet e kaluara, përveç nëse në procesin zgjedhor shfaqet ndonjë lëvizje e re politike ose parti e re, e cila do të mund të ndikojë në rikonfigurimin e forcave opozitare”, u shpreh ai.

E në lidhje me ndonjë koalicion të mundshëm mes LVV dhe partieve të tjera, deputeti u shpreh që nuk ka një diskutim të tillë.

Ai nënvizon që nuk ka ndonjë ndryshim në lidership në partitë opozitare.

Lëvizja Vetëvendosje nuk ka diskutuar për ndonjë koalicion dhe nuk mendoj se do të ketë nevojë për një të tillë as këtë herë.

Sa i përket spektrit politik dhe partive opozitare, nuk shoh ndonjë ndryshim në lidership ose në struktura. Prandaj, nuk shoh arsye për ndonjë bashkëpunim, qoftë para apo pas zgjedhjeve”, përfundoi Agusholli për “Bota sot”.

Kujtojmë se subjektet politike deri të premten kanë afat t’i deklarojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), koalicionet parazgjedhore për votimet e fillim vitit të ri.

Kështu ka bërë të ditur, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Ai theksoi se pas 30 gushtit, secili subjekt politik që s’ka deklaruar koalicion deri më këtë datë do të obligohet të garojë i vetëm në zgjedhjet e 9 shkurtit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat