Ndonëse po mbushet një vit nga sulmi terrorist i Serbisë në fshatin Banjskë të Zveçanit, Prokuroria e shtetit nuk ka ngritur ende asnjë aktakuzë ndaj të dyshuarve për rastin e as ndaj krye-kriminelit Milan Radoiçiq që ishte protagonisti kryesor i ngjarjes.
Më 24 shtator të vitit të kaluar një grup i organizuar, i armatosur dhe i trajnuar i serbëve etnikë sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku duke plagosur dy oficerë të tjerë.
Radoiçiq endet i lirë, derisa, Qeveria e Kosovës së fundi ka refuzuar që t’i ofrojë informacione Serbisë lidhur me rolin e tij.
E këtë veprim të Qeverisë e konsideron si të drejt Saim Tahiraj, njohës i sigurisë dhe ish-bashkëluftëtar i heroit Sali Çekaj.
Tahiraj në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se është absurde t’i kërkohen informacione nga Qeverisë së Kosovës për një kryekriminel që vet e ka përgatitur.
“Ky vendim i Qeveris së Kosovës është i drejt dhe e përgëzoj për një veprim të tillë. Është absurd i llojit të vet të kërkosh informacione nga Qeveria e Kosovës, kushdo e ka kërkuar, ti jap informacione Serbisë për një kryekriminel që vet e ka përgatitur”, ka thënë ai.
Sipas Tahirajt, askush nuk ka informacione më të detajuara dhe të sakta se Serbia sepse Radoiçiq është përgatitur dhe ushtruar nga vet institucionet e specializuar të Serbisë.
Ai ka theksuar se Radoiçiqit duhet t’i ngritet aktakuzë dhe të dënohet në mungesë nga drejtësia në Kosovë.
“Gjithashtu të gjitha veprimet politike, aksionet e armatosura kriminale e gjer te akti fundit terrorist, i ka kryer nën urdhrat e personave të nivelit më të lart të pushtetit në Serbi. Kjo kërkesë, e kujtdo qoftë, drejtuar Qeverisë së Kosovës është për të krijuar mjegull, në mënyrë të stërgjatën hetimet dhe mos të arrestohet kryekrimineli Radojçiç. Në Serbi nuk besoj se mund të ngritet aktakuzë kundër tij pa presion të fuqishëm të SHBA-ës. Por pavarësisht se si do të veproj Serbia, mendoj se në Kosovë duhet ti ngritet aktakuzë dhe Gjykata ta dënojë edhe në mungesë”, ka përfunduar ai.
Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq ishte ai që mori përgjegjësinë për sulmin në Banjskë dhe aktualisht besohet se gjendet në Serbi, ndonëse Kosova ka kohë që e ka shpallur në kërkim.