Ditëve të fundit vendi u vizitua nga shumë zyrtarë të lartë evropianë e amerikanë.
Brenda pak ditëve, krerët e shtetit u takuan me shefin e CIA-s, Uilliam Burns, Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për operacione, Thomas Goffus, emisarin e Republikës Federale të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin etj.
Me të gjithë këta zyrtarë të lartë, temë qendrore e diskutimeve ishte dialogu me Serbinë dhe situata e sigurisë në Kosovë.
Madje, Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin ka paralajmëruar se do të krijojnë diçka më të madhe në tetor, në Berlin.
Sipas tij, duhet kompromis dhe vullnet për marrëveshje politike, të cilat siç tha ai, mund të mos jenë të lehta për Serbinë, por as për Kosovën.
Emisari gjerman shtoi se po largohet paksa i brengosur...
Por, më e brengosur duhet të jetë Kosova, të cilës nuk i është ndarë presioni për marrëveshje me Serbinë qe një periudhë të gjatë kohore.
Për koincidencë, vizita dhe deklaratat e z. Sarrazin u bënë pikërisht në ditën kur, Serbia nënshkroi marrëveshje me kompaninë e Francës, Dassault Aviation, për blerjen e 12 avionëve të rinj luftarakë Rafale.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ai i Francës, Emmanuel Macron, u takuan të enjten në Beograd, ku nënshkruan memorandume dhe marrëveshje bashkëpunim. Macroni po qëndron për një vizitë dyditore në Beograd.
Pas takimit, Vuçiq tha se Serbia do t’i zotërojë 12 avionë të rinj luftarakë dhe se kontrata për blerjen e tyre kap vlerën e 2.7 miliardë eurove.
Derisa vendit tonë i kërkohen kompromise të dhimbshme, Serbia “ledhatohet” e shpërblehet, sikur të ishte viktima e jo agresori.
Shpërblehet, sikur Serbia “nuk ka vrarë e nuk ka kryer gjenocid” në Kosovë gjatë luftës.
Shpërblehet sikur Serbia të mos ishte autore dhe organizatore e sulmit terrorist në Banjskë ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku dhe dy të tjerë u plagosën.
Shpërblehet, sikur krye-krimineli Milan Rdoiçiq të "ishte shqiptar e jo serb".
Shpërblehet, sikur Radoiçiq të "endej i lirë nëpër Kosovë dhe nuk arrestohet nga autoritetet e Kosovës".
Serbia u armatos duke blerë aeroplanë luftarakë nga Franca, ndërsa në Kosovë po përkujtoheshin 1600 të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Serbia ende nuk i ka hapur arkivat, e madje ka bërë edhe një vendim shtetëror për mos-hapjen e tyre.
Kryeministri i Kosovës me të drejtë po kërkon që të hapen arkivat e shtetit të Serbisë.
“Në vitin 2014, para dhjetë vjetëve, arkiva e Brigadës 37 të motorizuar të Ushtrisë Jugosllave është klasifikuar me vendim në Serbi, për 30 vjet. Kjo i bie që nuk do të hapet deri në vitit 2044, a duhet të presim ne edhe 20 vjet që ta hapet arkiva e brigadës 37 të armatës jugosllave? Aty është e vërteta. Sepse kjo brigadë ka kryer një numër të madh të masakrave në Kosovë”, thotë Kurti.
Që nga paslufta, në pesë varreza masive në Batajnicë, Petrovo Selo, Peruqac, Rudnicë dhe Kizhevak të Serbisë, janë gjetur trupat e 991 shqiptarëve. Ndërkohë, vazhdojnë të jenë të zhdukur edhe 1595 të tjerë.
Serbia, e ndihmuar edhe nga "qarqe ndërkombëtare" vazhdimisht e ka neglizhuar çështjen krimeve që i ka bërë gjatë luftës në Kosovë.
Në anën tjetër, Kosova vazhdon të jetë e sanksionuar nga Bashkimi Evropian(BE) dhe as që po diskutohet mundësia për heqjen e sanksioneve.
Shteti jonë po “privohet” edhe nga e drejta për ushtrim të sovranitetit, pasi nuk po i lejohet hapja e urës së Ibrit, me pretekstin se mund të cenohet situata e sigurisë.
Dje (e enjte) u funksionalizua edhe Posta e Kosovës në veri dhe “çuditërisht” situata e sigurisë është normale!
Edhe qytetarët atje kanë nisur ta kuptojnë se i përkasin shtetit të Kosovës dhe kjo u dëshmua edhe me konvertimin e patentë-shoferëve, targave etj.
Pra, me këtë lirisht mund të themi se çdo eskalim i mundshëm që mund të ndodhë në veri, bëhet vetëm nën orkestrimin dhe dirigjimin e politikës, përkatësisht vet Serbisë.