Shoqatat serbe bllokuan kufirin me Kosovën të premten në mbrëmje, në shenjë proteste për mbylljen e institucioneve paralele nga autoritetet e Kosovës në veri të vendit.
Pika kufitare në Jarinjë u hap mëngjesin e së shtunës, ndërsa në mbrëmje u hapën edhe Merdarja e Bërnjaku. Sipas organizatorëve të protestës, ata do të presin deri me 1 tetor për plotësimin e kërkesave të tyre nga autoritetet e Kosovës. Ata paralajmëruan bllokadë të re kufitare, nëse kërkesat e serbëve nuk plotësohen.
Shoqata serbe po kërkojnë nga institucionet e Kosovës që ta tërheqë Policinë e Kosovës nga komunat me shumicë serbë në veri të vendit, ta lejojë përdorimin e valutës së dinarit serb si dhe ta lejojë punën e komunave paralele serbe.
Të gjitha këto zhvillime të së premtes dhe të së shtunës, kaluan pa ndonjë reagim nga bashkësia ndërkombëtare.
Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë Robert Bosch, si arsye për mos reagim, e sheh lodhjen e aleatëve. Sipas tij, pak progres është parë në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
“Kam frikë se mungesa e reagimit është për shkak të lodhjes së ndërkombëtarëve.
Konflikti po zvarritet dhe pak progres është parë. Roli i ndërkombëtarëve është ambivalent për ta thënë butë”, ka thënë diplomati për gazetën “Bota sot”.
Ai ka kritikuar ndërkombëtarët, se nuk po i bëjnë mjaft presion Beogradit lidhur me strukturat paralele në veri të Kosovës.
“Pse ta kritikojnë Prishtinën kur mbyllin përfundimisht strukturat paralele?
Komunat e drejtuara nga Lista serbe u bënë gjithashtu struktura paralele pasi pretendonin hapur se Beogradi ishte kryeqyteti i tyre. Pra, edhe këtu duhet të kishte më shumë presion ndaj Beogradit”, ka nënvizuar Bosch për “Bota sot”.
Ai parashikon që heshtja e ndërkombëtarëve do të rritet në të ardhmen.
“Tani pas marrëveshjes së litiumit me Gjermaninë dhe marrëveshjes së armëve me Francën, heshtja ndoshta do të rritet”, ka shtuar ish-ambasadori.
Pas bllokimit të kufirit, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e ka akuzuar Serbinë po përpiqet të krijojë tensione dhe përshkallëzim në Kosovë dhe në rajon “përmes bandave kriminale të lidhura me shtetin”.
“Serbia edhe njëherë tregon se nuk i intereson lëvizja e lirë, nuk i intereson fqinjësia e mirë. Këto bllokada, të cilat janë krijuar kohëve të fundit, në mënyrë të veçantë kanë për qëllim të terrorizojnë qytetarët shqiptarë donin t’i shfrytëzonin këto pika kufitare”, ka deklaruar Osmani.