Bllokimi i kufijve me Kosovën, avokati serb ‘trondit’ me deklaratën: Ky politikan orkestroi ekstremistët serbë!

Politika

Bllokimi i kufijve me Kosovën, avokati serb ‘trondit’ me deklaratën: Ky politikan orkestroi ekstremistët serbë!

Nga: A.M. Më: 8 shtator 2024 Në ora: 15:03
Pikëkalimi kufitar në Jarinjë, nga ana kosovare, mes Kosovës dhe Serbisë, 6 shtator 2024.

Të premten, një grup ekstremistësh serbë të maskuar bllokuan disa rrugë që çojnë në vendkalimet kufitare me Kosovën, duke kërkuar tërheqjen e forcave të policisë së Kosovës nga veriu dhe kthimin e institucioneve serbe të mbyllura nga autoritetet e Prishtinës.

Protestuesit vendosën makina në mes të rrugës afër vendkalimeve në Merdarë dhe Bërnjak, duke i kthyer prapa udhëtarët me dokumente të Kosovës.

Kjo çoi në vendimin e autoriteteve në Kosovë që të mbyllin dy vendkalime kufitare në Bërnjak në veri të vendit dhe Merdarë për shkak të pengesave me të cilat u përballen qytetarët.

Mirëpo, këto bllokada nuk zgjatën shumë, pasi institucionet e Kosovës njoftuan të shtunën pasdite se të gjitha vendkalimet kufitare me Serbinë janë rihapur pas njoftimeve që grupe qytetarësh serbë tashmë kanë hequr bllokadat e vendosura një ditë më parë.

E në lidhje me këto bllokada dhe paralajmërimet e serbëve ka folur avokati nga Serbia, Cedomir Stojkoviq.

Image
Cedomir Stojkoviq.

Së pari, ai u shpreh se këto bllokada janë tentative për të krijuar konflik në Kosovë.

Sipas ti, këto bllokada janë organizuar nga njerëz që janë të afër me Vulinin.

“Bllokadat janë një përpjekje për të krijuar konflikt në Kosovë dhe janë orkestruar nga individë të afërt me nënpresidentin e qeverisë serbe, Aleksandar Vulin, i cili së fundmi vizitoi Rusinë dhe u takua me Vladimir Putin. Veprimet e tyre janë krejtësisht të paligjshme dhe tregojnë se shkalla e paligjshmërisë në Serbi nën drejtimin e Aleksandër Vuçiqit ka arritur një nivel ekstrem”, nënvizoi avokati serb.

Ndër të tjera, Stojkoviq shpreson që ndërkombëtarët të monitorojnë këtë situatë dhe të ushtrojnë presion ndaj qeverisë së Beogradit, kjo për të ndalur veprimet e tilla kërcënuese e provokuese.

“Grupe të ngjashme janë përdorur nga autoritetet serbe për të shtypur opozitën. Tani po përdoren për të ngacmuar qytetarët e Kosovës. Besoj se bashkësia ndërkombëtare është duke e monitoruar këtë situatë dhe do të ushtrojë presion mbi autoritetet në Beograd që t'i ndalin këto veprime, pasi presionet e tilla janë dëshmuar se janë mënyra e vetme për t'i bërë autoritetet në Beograd të rishikojnë veprimet e tyre”, përfundoi Cedomir Stojkoviq për “Bota sot”.

Vlen të theksohet se, organizatori i bllokadave në pikat kufitare, Rasha Rojeviq ka kërcënuar me radikalizëm.

Ai ka thënë se i kanë dhënë afat Qeverisë së Kosovës deri më 1 tetor për të “normalizuar situatën,” në të kundërtën thotë se do të marrin masa më radikale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat