Tensionet në Bërnjak dhe Merdare/ Ekspertët e sigurisë zbardhin prapaskenat – paralajmërojnë për këtë ‘rrezik’!

Politika

Tensionet në Bërnjak dhe Merdare/ Ekspertët e sigurisë zbardhin prapaskenat – paralajmërojnë për këtë ‘rrezik’!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 8 shtator 2024 Në ora: 17:00
Foto ilustrim

Të premten që e lamë pas, autoritetet e Kosovës i kanë mbyllur për qarkullim dy pikë-kalime kufitaret me Serbinë - Bërnjak dhe Merdare. Kjo ndodhi pasi përfaqësues të disa shoqatave serbe bllokuan rrugët në pjesën serbe në tri pikë-kalimet kufitare mes dy vendeve të premten pasdite, në shenjë proteste ndaj veprimeve të autoriteteve të Kosovës në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se këto dy pikë-kalime janë mbyllur për qarkullim të premten në mbrëmje, pasi persona të maskuar në pjesën serbe të kufirit po i “ndalojnë në mënyrë selektive e me qasje fashiste" qytetarët që duan të kalojnë tranzit përmes Serbisë.

Gjithashtu, vlen të ceket që janë parë persona të maskuar afër bllokadës së vendosur në pjesën serbe të kufirit në Bërnjak natën e së premtes.

"Në mbrojtje të jetës dhe për sigurinë e të gjithë qytetarëve tanë, edhe kjo pikë si ajo në Bërnjak do të jetë e mbyllur deri në ndalim të veprimeve të tilla selektive e fashiste e normalizim të plotë të situatës", shkroi Sveçla në Facebook.

Mirëpo, gjatë ditës së djeshme të gjitha pikë-kalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë janë hapur për qarkullim të plotë dhe të papenguar, pasi u larguan të gjitha bllokadat në pjesën serbe të kufirit të shtunën pasdite.

Sveçla, njoftoi se janë hapur dy pikat kufitare që autoritetet kosovare i kishin mbyllur të premten mbrëma, në Bërnjak dhe Merdare. Pikë-kalimi në Jarinjë u hap mëngjesin e së shtunës.

Rihapja e tyre vjen pasi shoqatat serbe i hoqën të gjitha bllokadat që i kishin vendosur të premten pasdite për të protestuar kundër mbylljes së institucioneve paralele serbe në veri të Kosovës, i cili është i banuar me shumicë serbe.

Ani pse në Kosovë ngjau tërë ky tension, nga ndërkombëtarët nuk pati asnjë reagim ndaj Serbisë.

A është koha që ndërkombëtarët të flasin kur Serbia mundohet të destabilizoj veriun e Kosovës?

Elezi: Ne duhet të kemi kujdes të shtuar, të jemi në koordinim me NATO-n, SHBA dhe BE-në

Për këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë, Bedri Elezi.

Image
Bedri Elezi

Ai tha se arritja deri tek mbyllja e pikave kufitare ka sjellë një shqetësim mjaft të madh tek qytetarët e vendit.

“Ne jemi mjaftë të shqetësuar me gatishmërinë e Serbisë për të mbështetur fshehur grupet kriminale të cilat kanë paralajmëruar që do të bëjnë veprime për mbylljen e këtyre pikave kufitare deri në atë moment që Kosova të largoj forcat e saj policore nga veri i Mitrovicës”, foli ai.

Eksperti ndër tjera shton që këto veprime të grupeve kriminale janë sinjale të qarta për cenim të sigurisë.

“Në të vërtet këto paralajmërime janë sinjale mesazhe të qarta të sigurisë që pasi cenojnë sigurinë e Kosovës dhe atë të Gadishullit Ballkanik, pasi ekziston mundësia që strukturat serbo-ruse të shfrytëzojnë këto protesta që të eskalojnë situatën e sigurisë.

Ne duhet të kemi kujdes të shtuar, të jemi në koordinim me NATO-n, SHBA dhe BE-në”, shpjegoi eksperti i sigurisë, Bedri Elezi për “Bota sot”.

Halimi: Zhvendosja e rrezikut, si boomerang ndaj Serbisë!

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS, thotë se bllokimi i pikave kufitare është një tregues për ndryshim të situatës në aspektin e sigurisë dhe atë politik.

Image
Armend Halimi

Sipas tij, grupet kriminale serbe po mundohen të shtojnë frikë tek qytetarët e Kosovës dhe nuk po kanë forcë të ballafaqohen me institucionet e Kosovës.

“Paralajmërimi nga ana e serbëve për bllokim të pikave kufitare nga pjesa e Serbisë me Kosovën, është treguesi i radhës për ndryshim të situatës jo vetëm nga aspekti i sigurisë, por edhe politike.

Gjersa, për teken më të vogël, grupet kriminale serbe, nën menaxhimi e listës serbe organizonin (detyronin) qytetarët për barrikadim dhe rezistencë në qendër të qytetit të Mitrovicës apo rrugët kryesore të veriut, duke prodhuar pasiguri në të njëjtën kohë për qytetarët dhe sfidë për policinë, tanimë duke u ndryshuar krejtësisht situata, sidomos pas disfatës së shtatorit të vitit të kaluar, përveç se u (vetë) përjashtuan nga mundësit e pasura në dispozicion, edhe goditur nga forca e ligjshme, këto grupe e ndiejnë vetën të dobët në ballafaqim me institucionet e shtetit të Kosovës, për çka kanë tërhequr ‘frontet’ jashtë Kosovës, në brendësi të Serbisë, për rrjedhojë edhe zhvendosjen e pasigurisë në territorin serb”, u shpreh ai.

Ndërsa, sa i përket situatës që nuk ka pasur reagim nga ndërkombëtarët, ai thotë që është momenti i fundit që të njëjtit të kërkojnë nga Serbia ndryshim të diskursit politik.

“Sigurisht është momenti i fundit që bashkësia ndërkombëtare të kërkojë nga Serbia ndryshim të diskursit politik, nga ai i qasjes agresive dhe të konfrontimit në atë të llogaridhënies dhe bashkëpunimit, duke i bërë të ditur se në rast të përshkallëzimit të situatës, masat ndëshkuese e izoluese do ta presin Serbinë”, foli Halimi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat