Serbia po armatoset, Hill ‘befason’ sërish – çfarë po fshihet pas deklaratave të fundit të ambasadorit amerikan?

Politika

Serbia po armatoset, Hill ‘befason’ sërish – çfarë po fshihet pas deklaratave të fundit të ambasadorit amerikan?

Arife Morina Nga Arife Morina Më 9 shtator 2024 Në ora: 08:06
Christopher Hill

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill shpesh cilësohet për qasje “pro-serbe”, ku jo pak herë kritikon Kosovën, e mbështet vendimet e qeverisë së Beogradit.

Ngjashëm ka vepruar edhe me deklaratën e fundit, në të cilën komentoi blerjen e avionëve francezë nga Serbia.

Gjatë një interviste, Hill tha se Serbia pos avionëve bleu edhe raportet me forcat ajrore të NATO-s.

Ai është pyetur në mënyrë tendencioze se “pas kësaj blerje, Kosova mbylli strukturat paralele të Serbisë në Kosovë duke e shtyrë Serbinë mbrapa”.

Hill tha se “askush nuk e shtynë Serbinë prapa, duke shtuar se nuk i tregon Serbisë si të orientohet, por shtoi se vendimet e saj “po shkojnë në rrugë të duhur”.

Po ashtu, ambasadori amerikan i vlerësoi vendimet e fundit të Serbisë si shumë të rëndësishme dhe strategjike, derisa përmendi edhe vizitat e Macron dhe Scholz.

Nuk mendoj se dikush e ka shtyrë Serbinë prapa. Mendoj se Serbia po merr vendime strategjike të rëndësishme. Njëra prej këtyre vendimeve lidhet me blerjen e këtyre avionëve luftarakë, ‘Rafale’. Ajo që po bën Serbia nuk është vetëm blerja e avionëve, por blerja e marrëdhënieve me forcat ajrore të NATO-s. Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme dhe se kjo nuk do të ndryshohet nga situata në terren në Kosovë. Kjo nuk do të thotë që nuk duhet të merremi me situatën në Kosovë. Mendoj se të gjithë jemi të një mendjeje në këtë drejtim dhe duam të shohim një zgjidhje. Por mendoj se ajo që keni parë me vizitën e presidentit Macron, si dhe me vizitën e kancelarit Scholz, përfaqëson një ndryshim shumë të qartë, dhe do të dëshironim të shihnim që kjo të vazhdojë, në përputhje me dëshirat e popullit serb dhe udhëheqjes serbe. Ne nuk jemi këtu për t’i thënë Serbisë se çfarë të bëjë ose si të orientohet. Dhe kam bërë të qartë gjatë viteve që kam qenë këtu se nuk do të flas me askënd për atë që duhet të bëjë. Ata duhet të marrin vendimet vetë, dhe mendoj se këto vendime po shkojnë në drejtimin e duhur” ka theksuar Hill.

Mirëpo, se si duhet parë në aspektin e sigurisë këto deklarata të Hill, kur dihet se Serbia në vazhdimësi po provokon dhe kërcënon Kosovën, treguan njohësit e çështjeve të sigurisë.

Softa: Ambasadorët asnjëherë nuk shfaqin mendimet e tyre

Image
Fatjon Softa

E për këtë çështje, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Fatjon Softa.

Fillimisht, ai vlerëson se ambasadorët nuk shfaqin mendimet e tyre, por që ndërkombëtarët po investojnë në ‘personin’ e gabuar.

Serbia po blen marrëdhëniet me forcat ajrore të NATO-s!

Kjo deklaratë, nuk është personale, ambasadorët asnjëherë nuk shfaqin mendimet e tyre, por janë shumë rigoroz me politikën e shefave të tyre në Uashington.

SHBA dhe vendet e BE, Franca së fundi, pretendojnë të ndajnë Serbinë nga Rusia, por po investojnë në personin e gabuar.

Serbia me Vuçiqin, ka rritur nacionalizmin serb, përpjekjet për të minuar demokracinë dhe zhvillimet në Mal të Zi, Bosnje Hercegovinën, dhe në Maqedoni të Veriut, përmes forcave anti BE dhe anti NATO”, nënvizoi eksperti i sigurisë.

Krahas kësaj, Softa potencoi faktin se ndërkombëtarët e fokusuar te Serbia e Vuçiqit, po e “humbin” Malin e Zi, RMV-në e Bosnje Hercegovinën.

Ndër të tjera, ai komentoi edhe marrëdhëniet tregtare të shtetit serb me Rusinë.

“Perëndimi është duke u angazhuar më shumë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, teksa ngadalë është duke humbur Bosnje e Hercegovinën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Franca e sheh marrëveshjen nga ana tregtare, por dhe rritjen e pushtetit të saj në Ballkan, në një aleancë franko-serbe, ndërsa Vuçiq mbyll kurajën e opozitës serbe për të mbyllur manipulimin e zgjedhjeve të diskutushme që kishte një shqetësim dhe nga Perëndimi.

Marrëdhëniet tregtare të Serbisë janë 70 me EU dhe shumë më pak me Rusinë, varësia nga gazi rus nuk është më dominante, atëherë loja e Vuçiq është dominanca në Ballkan dhe të jetë ai lider i marrëveshjeve Lindje-Perëndim”, përfundoi Fatjon Softa për “Bota sot”.

Hoxha: SHBA po i afrohet përmbylljes së projektit të Ballkanit

Image
Hafir Hoxha

Kurse, ish-ushtaraku Hafir Hoxha u shpreh se SHBA po i afrohet përmbylljes së projektit të Ballkanit.

Ai këto zhvillime dhe ‘afërsi’ me Serbinë i vlerësoi si taktike dhe marrëveshje politike.

Kjo komentohet se SHBA po i afrohet përmbylljes së projektit të Ballkanit, që ta kenë nën kontroll, ku vetëm Serbia i kishte mbet ende jashtë kontrollit.

E çfarë çmimi, pazari, kushtëzimi bën Serbia që të hyjë në NATO dhe në BE mbetet të shihet, e unë e kam cek tërë kohën se veriu i Kosovës është rezervuar për atë marrëveshje që t’i jepet diçka Serbisë!

Për SHBA-në se ku janë kufijtë mes shteteve ballkanike nuk çon peshë aspak nëse aty nuk ka aleatë, Rusia dhe i tërë rajoni është në NATO!”.

Po ashtu, ish-ushtaraku tregoi edhe ku e ka interesin më të madh SHBA, në Kosovë apo në Serbi.

Pra, nuk është problem as me marrëveshje dhe as me politikë të fshehtë të lejohen shkundjet e kufijve që situata të pranohet ajo e aktit të kryer!

Sa më i fuqishëm, më stabil të jetë, aq më shumë interes dhe respekt ka Amerika ndaj atij vendi, prandaj nëse interesi i SHBA-së është më i madh në Kosovë apo Serbi, ajo nuk diskutohet dhe logjike që anon në anën e Serbisë!

Kjo mënyrë e të menduarit vlen kudo dhe ka vlejtur edhe në odat tona tradicionale!

Pleqtë me pasuri dhe me familje më të mëdha janë ul në krye të vendit, e ai i varfëri sado të ishte inteligjent e i mençur, pa kapital e pa fuqi është ulur kah dera!” – përmbylli Hafir Hoxha për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat