Tash e sa kohë në media është raportuar për përçarjen që ka nisur mes presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit, Albin Kurti dhe kryetares së partisë Guxo, Donika Gërvalla, por që haptas u pa edhe gjatë zbulimit të shtatores së presidentit Ibrahim Rugova në qytetin e Podujevës, ku Osmani fare nuk e përshëndeti Gërvallen, ndërsa u pa e ftohtë edhe me Kurtin.
E lidhur më këtë përçarje të këtij trinomi, i cili doli fitues i zgjedhjeve të kaluara, për gazetën “Bota sot” ka folur analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Nexhat Haziri.
"Nëse duhet t’iu besojmë asaj dogmës se ashtu siç e fillon ashtu edhe e mbaron, pra Vjosa Osmani e filloi ngritjen e saj në karrierën politike duke e tradhtuar partinë që ia dha të gjitha mundësitë, LDK-në, dhe për mendimin tim nuk mund të përfundonte ndryshe vec se e tillë, pra mbetur vet dhe e tradhtuar nga njerëzit që ajo i ngriti, si znj. Gërvalla dhe z. Peci", thotë Haziri.
Sipas tij, i gjithë bashkëpunimi mes Vjosa Osmanit, Albin Kurtit dhe Donika Gervallës ka qenë për ta luftuar LDK-në.
"Ndërsa kur flasim për trinomin Osmani Kurti e Gërvalla, shihet se ka qenë një trinom pa asnjë parim e pa asnjë vizion të tyre për qeverisjen, i vetmi qëllim I tyre ka qenë luftimi I LDK-së dhe ish-kryeministrit Avdullah Hotit, mjerisht të ndihmuar dhe të përkrahur në mënyrën me tinëzare nga një pjesë e lidershipit aktual të LDK-së. Po për këta të fundit do të flasim një ditë tjetër apo në një kohë më të përshtatshëm", shton Haziri.
Siç thotë Haziri, përçarja mes trinomit Osmani-Kurti-Gërvalla është mese e dukshme, gjë që u pa edhe në Podujevë gjatë javës së kaluar.
"Dhe tani përçarja e tyre është e dukshme, Kurti nuk ka më nevojë për Vjosa Osmanin, dhe afërsia e tij me Donika Gërvallën është për të vetmin qëllim të tij që përmes Gërvallës ta luftojë presidenten Osmani".
"Kjo përçarje në mes Osmanit dhe Kurtit, ka ndodhur edhe për shkak të qëndrimeve të ndryshme që kanë mbajtur Presidentja dhe Kryeministri për çështje të caktuara politike, siç është marrëveshja e Ohrit, asociacioni i komunave me shumicë serbe, procesi i anëtarësimit të Kosovës në KE dhe dështimi I këtij procesi, intervenimet e qeverisë në veri të vendit, raportet e ndryshme me aleatët ndërkombëtar, ku shihet se presidentja është më e afërt se sa kryeministri Kurti, dhe besoj se krisjet e mëdha në mes presidentes dhe kryeministrit, janë pikërisht raportet e ndryshme të tyre me aleatët, dhe këtu kryeministri Kurti ka shfaqur një mosbesim ndaj presidentes Osmani", shton analisti Haziri.
Por cila është e ardhmja politike e Vjosa Osmanit, Albin Kurtit e Donika Gërvalles?
"E ardhmja e këtij trinomi, nëse mund ta quajmë të tillë, pasi nuk e shohë se znj. Gërvalla është ndonjë faktore, shihet që VV do të vazhdojë e vetme e udhëhequr nga z. Kurti, duke i siguruar një vend në listën e deputetëve znj. Gërvalla, por dielli politik i presidentes Osmani, do të perëndojë në momentin e mbarimit të mandatit të saj si presidente. Mbase një perëndim i merituar për dikë që ka një ego aq të madhe në përmbushjen e interesave personale të saja, duke shkelur mbi çdo bashkëpunëtor e mbi çdo parim njerëzor", përfundon analisti Nexhat Haziri.