Serbia ka kërcënuar me përshkallëzim të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, nëse autoritetet vendore e hapin për qarkullim Urën e Ibrit.
Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian, ka paralajmëruar masa më të ashpra ndaj Kosovës, nëse ajo e ndërmerr një hap të tillë.
Këtë situatë e ka komentuar për gazetën “Bota sot” studiuesi i lartë dhe koordinatorin e projekteve në Institutin Shqiptar për Studime Ndërkombëtare (AIIS) në Tiranë, Ledion Krisafi.
Ai ka shprehur dyshimet e tij se Qeveria e Kosovës, do të marrë vërtetë vendimin për hapjen e Urës, pas takimit të kryeministrit Albin Kurti me shefin e CIA-s William Burns.
Sipas tij, sanksionet e reja do ta përkeqësonin edhe më shumë imazhin e Kosovës në sytë e ndërkombëtarëve.
“Nëse kryeministri Kurti e merr vërtetë atë vendim, gjë që e dyshoj pas vizitës së shefit të CIA-s, BE me shumë mundësi mund të marrë masa kundër Kosovës në formën e sanksioneve që kemi parë vitet e fundit, gjë që do e përkeqësonte dhe më shumë imazhin e Kosovës në sytë e vendeve të BE-së, sidomos të vendeve kryesore si Gjermania, Franca dhe Italia, të cilat nga ana e tyre do ishin dhe më kërkuese dhe më kushtëzuese për Kosovën”, ka deklaruar Krisafi.
Ndërsa, sa i përket kërcënimeve të Serbisë, eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare ka theksuar se ajo nuk do të bëjë ndonjë gjë.
“Vetë Serbia nuk besoj se do të bëjë gjë, sepse për aq kohë sa Kosova i shkakton probleme vetes me BE-në për Serbinë është në të mirë të saj. Serbia në këtë rast shkon me idenë që për aq kohë sa kundërshtari bën gabime, mos e ngacmo, lëre të bëjë gabime”, ka nënvizuar Krisafi për “Bota sot”.
Ai ka shtuar se pas vizitës së shefit të CIA-s në Ballkan, do të ketë qetësi në raportet Kosovë-Serbi. Sipas tij, megjithëse është e drejtë, hapja e Urës së Ibrit duhet të shmanget për momentin.
“Mendoj se vizita do sjellë një periudhë qetësie në marrëdhëniet mes dy palëve, shmangie të fjalëve që mund të krijojnë tensione dhe sjellin konflikte. Shefi i CIA-s nuk vjen për të dëgjuar, por vjen për të folur dhe për të dhënë udhëzime. Mesazhi që ka marrë kryeministri Kurti ka qenë të shmanget çdo veprim që krijon tensione dhe hapja e urës mbi Ibër, megjithëse është diçka e drejtë, tani mund të shkaktojë tensione. Prandaj, hapja duhet shmangur për momentin”, ka shtuar diplomati shqiptar./Botasot