Kosova, nën udhëheqjen e kryeministrit Albin Kurti, ka vendosur të shtrijë plotësisht sovranitetin në veri të vendit, pavarësisht sfidave që ka hasur gjatë kësaj periudhe.
Qeveria e Kosovës ka vendosur të mbyllë pesë institucione paralele serbe në këtë rajon. Ky vendim, si çdo vendim tjetër nga Qeveria e Kosovës, ka shkaktuar reagime nga serbët në veri.
Në përgjigje të këtij vendimi, ata kishin bllokuar rrugët pranë tri pikave kufitare me Kosovën në territorin e Serbisë. Pas vendosjes së bllokadave, institucionet e Kosovës shpallën mbylljen e pikave kufitare Bërnjak dhe Merdare, pasi persona të maskuar në anën serbe të kufirit po ndalonin dhe legjitimonin udhëtarët.
Megjithatë, pas një periudhe të shkurtër, personat e maskuar u larguan dhe pikat kufitare rinisën qarkullimin normal.
Ky akt është dënuar nga krerët e shtetit.
Bilalli: Skenarist dhe inspirues i rebelimit të grupeve serbe është shteti i Serbisë
Lutfi Bilalli, njohës i politikës, thotë se protesta serbe ishte e dështuar si nga përkrahja ashtu edhe nga masivitetit.
Bilalli përmend edhe disa nga skenaristët dhe inspiruesit e kësaj bllokade që bënë serbët në kufi me Kosovën.
“Mendoj që tentativa e grupeve nacionaliste në Serbi për të bllokuar pikat kufitare me R. e Kosovës ishte një test i dështuar për nga përkrahja dhe masiviteti.
Skenarist dhe inspirues i rebelimit të grupeve serbe janë shteti i Serbisë dhe institucionet e tyre të sigurisë (BIA dhe inteligjenca e ushtrisë serbe). Sigurisht që edhe faktorët tjerë jashtë Serbisë që janë të stacionuar në territorin serb, qoftë përmes rrjetit të tyre :
a)në institucionet e shtetit serb
b) KOS( Kishës Ortodokse Serbe)
c)partive politike ( të krahut ekstrem me frymë fashiste dhe antishqiptare )
ç) OJQ-ët dhe portalet pro-ruse në veçanti, RT ( Rusia Today) dhe Sputniku ruso-serb .
Pra shërbimet ruse (GRU dhe SVR) mund të jenë inspiruesit e protestave dhe skenarëve destabilizues jo vetëm me kaq por edhe në të ardhmen do jenë aktiv në agjendën e tyre destabilizuese me forma dhe metoda të ndryshme!”, thotë ai.
Më tej, ai rendit disa nga qëllimet që Serbia po do t’i arrijë edhe përmes këtyre formave, siç ishte bllokimi i kufijve.
“A dështoi bllokimi i pikave kufitare ngase nuk kishte masivitet për të iu bashkëngjit korit të nacional- fashistë serb ndaj shqiptarëve dhe shtetit të Kosovës? Në shikim të parë duket se ashtu mund të jetë ngase nuk kishte interesim dhe masë për "meshën e së dielës", por sipas mendimit tim e tëra kjo mund të ishte dizajnuar dhe skanuar; të fillonte, të zhvillohej dhe të përfundonte në këtë formë. Politika shtetërore e Serbisë tenton që përmes protestave, bllokimit të rrugëve dhe formave të tjera "jo violente" të arrijë këto qëllime:
a) të vajtojë dhe ankimohet tek faktori euro-perëndimor për pozitën e "rënduar" të serbëve në Kosovë!
b) të mbajë situata tensioni në gjithë regjionin duke krijuar perceptim te ndërkombëtaret që shqetësimet e tyre të "trajtohen"!!
c) të ngris çmimin dhe vlerën e saj në trajtimin që i bëjnë ndërkombëtarët për arsye të shumë faktorëve!”, thekson ai.
A mund të ketë protesta në të ardhmen?
Tutje, Billai thotë se, Serbia do të vazhdojë me protesta në veri, duket tentuar kështu të viktimizohet në sy të ndërkombëtarëve.
“Skenari serb dhe faktorëve tjerë (sidomos rus) tenton që ta mbajë një lloj dinamike latente të tensioneve jo vetem në Kosovë. Motoja manipuluese e Serbisë me pakicën serbe në Kosovë do jetë: "Vajtimi dhe Ankimimi ". Sipas mendimit tim, Serbia do kalojë në zgjerimin e protestave në pjesën veriore (ndoshta edhe në pjesët tjera të Kosovës ku ka serbë) me forma dhe metoda të ndryshme (forma luftës hibride). Pra Serbia do tenton që ekstremisht të viktimizohet në sytë e faktorëve ndërkombëtar në veçanti atyre perëndimor.
Kosovës dhe institucioneve tona shtetërore por edhe botës akademike i mbetet që të punojë shumë që ta demaskojë qasjen e "viktimizimit” që po e paraqet Serbia në rrafshin e propagandës tek faktorët ndërkombëtar. Edhe pse gjeopolitika , gjeoekonomia dhe gjeostrategjia në Ballkan por edhe në botë, po ndryshon, Kosova dhe shqiptarët sigurisht që kanë aleatë dhe mundësi që të mbrojnë interesat nacionale dhe shtetërore në raport me tendencat hegjemoniste të Serbisë”, përmbyll ai.
Elezi: Këto protesta kanë dhënë mesazhin e tyre se serbët janë të gatshëm për të bllokuar çdo gjë që ka të bëjë me Kosovën.
Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, thekson se protestuesit janë larguar me idenë që do të ketë reflektim të mekanizimit ndërkombëtar drejt Prishtinës.
“Sipas informacioneve zyrtare të gjithë pikë kalimet mes Kosovës dhe Serbisë janë të hapura dhe kjo ndodhi për shkak se protestuesit janë larguar pas një proteste disa orëshe të cilën e kishin paralajmëruar.
Sipas informacioneve që ne kemi siguruar nga burimet, këto grupe janë larguar me idenë që do të ketë reflektim të mekanizimit ndërkombëtar drejt Prishtinës, i cili do të bëjë presioni e tyre në Prishtinë zyrtare për zbatimin e të drejtave zyrtare që sipas tyre janë minuara nga Rep. E Kosovës, veçmas me Asociacionin”, shprehet ai.
Sipas tij, me të tilla protesta serbët kanë dhënë mesazhin se janë të gatshëm për të bllokuar çdo gjë që ka të bëjë me Kosovën.
Ai shton, se ka mundësi që të njëjtit në të ardhmen të grumbullohen dhe të nisin aktivitetet e dhunshme.
“Këto protesta kanë dhënë mesazhin e tyre se serbët janë të gatshëm për të organizuar, për të bllokuar çdo veprim që ka të bëjë me shtetësinë e Kosovës, qoftë edhe bllokimi i komunikimit mes dy vendeve apo pikave kufitar duke e konsideruar se Kosova është një vendi i cili ka mundësi të mos konsiderohet shtet dhe se këto pika nuk do të konsiderohet pika kufitare shtetërore.
Gjithashtu, ekziston mundësia që të njëjtit në të ardhmen të grumbullohen dhe kështu të fillojnë edhe aktivitet të dhunshme, aktivitet të cilat mundë të shndërrohen në përplasje mes institucioneve të Kosovës, pasi të njëjta grupe mund të tentojnë të kalojnë brenda territorit të Kosovës duke thyer korridoret që eventualisht mund të vendosen nga policia serbe”, përfundon ai për “Bota sot”.