Raporti me Kurtin e Gërvallën, Elezaj parashikon ‘lëvizje’ të fortë politike të Osmanit: Nuk do të tërhiqet nga…!

Politika

Raporti me Kurtin e Gërvallën, Elezaj parashikon ‘lëvizje’ të fortë politike të Osmanit: Nuk do të tërhiqet nga…!

Nga: A.M. Më: 10 shtator 2024 Në ora: 17:04
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Raportet mes Albin Kurtit, presidentes Vjosa Osmani e ministres Donika Gërvalla, janë ende të paqarta.

Madje, po përflitet se ka përplasje politike mes kësaj treshe.

E së fundi, për këtë çështje nxiti aludime më të mëdha në një intervistë televizive, presidentja Vjosa Osmani, ku dha një paralajmërim të fortë: “Nuk më heqin qafe edhe aq lehtë.”

Kjo në mënyrë të tërthortë tregoi ambiciet e saj për një mandate të dytë si president.

E publicisti Rexhep Elezaj tha se është ende herët të jepen parashikime se cilat janë planet e Osmanit për të ardhmen e saj.

Ai në një prononcim për “Bota sot” tha se Osmani ka pas vetes një bagazh të madh politik, si dhe moshën e saj relativisht të re, që e bën të mos largohet nga jeta politike.

“Mendoj se çështja e kandidaturës së presidentes Vjosa Osmani për mandatin e dytë si presidente e Kosovës, është ende herët që të jepen prognoza të sakta, se çfarë do bëjë ajo në këtë drejtim, duke pas parasysh faktin, se mandati i saj aktual përfundon pas gati një vitit e gjysmë, e që i bie, se deri atëherë shumë gjëra mund të ndryshojnë, si në aspektin politik, ashtu dhe atë personal të saj.

Prandaj, spekulimi rreth asaj, se si do veprojë ajo kur të vjen koha për zgjedhje të presidentit të ri të Kosovës, kjo nuk na jep ndonjë përgjigje konkrete, me gjithë deklaratën e saj, se “Nuk do më heqin qafe edhe aq lehtë”, duke aluduar, se nëse dikush e dëshiron largimin tim nga politika, ajo dëshirë nuk do t’i plotësohet, meqë nuk do largohem nga jeta politike. Kështu e kuptoj unë këtë deklaratë të saj, duke marrë parasysh faktin, se Vjosa Osmani ka pas vetes një bagazh të madh politik, si dhe moshën e saj relativisht të re, që e bën të mos largohet nga jeta politike pas kryerjes së këtij mandati presidencial”.

Më tej, Elezaj e vlerësoi si të suksesshëm mandatin e Osmanit si president, pasi luajti rol të rëndësishëm dhe kishte angazhim serioz në ruajtjen e unitetit mes partive politike.

Image
Rexhep Elezaj

Ai tregoi edhe atë se çfarë e bën të veçantë Osmanin dhe këtë mandat të saj si president.

“Përndryshe, mandatin e saj të deritanishëm tre vjeçar e gjysmë në postin e presidentes së Republikës së Kosovës, e konsideroj si mjaft të suksesshëm dhe dinamik, rol të cilin ajo e ka luajtur me korrektësi, angazhim serioz dhe pozitiv, sidomos në planin e ruajtjes së unitetit nacional midis subjekteve politike si dhe aktorëve vendimmarrës në Kosovë, duke mos e marrë anën e asnjë partie politike, gjë që nuk ka qenë lehtë për një politikane, e cila ndërtimin dhe rrugën e saj në politikë e ka ndërtuar brenda një partie politike, siç ishte LDK-ja e presidentit Ibrahim Rugova.

Pra, Vjosa Osmani, ia ka dalë që gjatë mandatit të saj të deritanishëm si presidente e vendit ta ruaj rolin unifikues brenda spektrit politik në Kosovë, për të cilën gjë ajo duhet të vlerësohet me notë të lartë, gjë që sipas mendimit tim, presidenten Osmani e bën të veçantë në mandatin e saj, si figurë dhe si institucioni më i lartë i shtetit të Kosovës, e që pa asnjë dyshim, është guximi i saj politik, që faktorëve ndërkombëtarë t’ua thotë të vërtetën në sy, se shteti dhe pavarësia e Kosovës janë të panegociushme për popullin shqiptar, pa marrë parasysh çmimin”, nënvizoi publicisti.

Në fund, komentoi edhe raportet e Osmanit me Kurtin e Gërvallën, derisa tha se mund të ketë shenja xhelozie dhe konkurrence politike mes tyre.

“Pra, ajo me qëndrimin e saj të palëkundur ndaj të ardhmes së Kosovës brenda BE-së dhe NATO-s, si dhe me deklaratat e saj të ashpra ndaj krimeve serbe në Kosovë, gjenocidit dhe hegjemonisë së hapur të regjimit të Serbisë fashiste ndaj Kosovës, pastaj me pjesëmarrjen dhe paraqitjen e saj brilante në tubime, samite dhe konferenca ndërkombëtare, me një gjuhë perfektë të anglishtes, ka arritur që në masë të madhe ta ruaj dhe ngritë imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, që sipas mendimit tim, ishte ky suksesi i saj më i madh në ruajtjen dhe avancimin e kauzës së pavarësisë së Kosovës në botë.

Ndërsa, sa i përket lëkundjes së raporteve të saj me kryeministrin Kurti dhe ministren Gërvalla, mendoj se presidentja Osmani nuk i ka kontribuar me asgjë një raporti të këtillë mes tyre, veçse ndaj saj të tjerët kanë shfaqur dilema dhe mos durim personal, në rend të parë, për shkaqe xhelozie dhe konkurrence politike, si një pro-amerikane e madhe që është, por edhe si një partnere e sigurt për miqtë tanë amerikan në Kosovë”, përmbylli Rexhep Elezaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat