Tha se Albini e largoi Kosovën nga mbrojtja amerikane pa pagesë fare - “Zbardhen” dy arsye të akuzave të rënda të Haradinajt kundër Kryeministrit

Politika

Tha se Albini e largoi Kosovën nga mbrojtja amerikane pa pagesë fare - “Zbardhen” dy arsye të akuzave të rënda të Haradinajt kundër Kryeministrit

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 10 shtator 2024 Në ora: 21:01
Ramush Haradinaj- Albin Kurti

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, po vazhdon me akuza ndaj kryeministrit Albin Kurti.

Haradinaj ka intensifikuar kritikat ndaj Kurtit, sidomos pas shpalljes së datës së zgjedhjeve parlamentare, që do të mbahen më 9 shkurt 2025.

Së fundmi, ai akuzoi kryeministrin se po ndihmon agjendën e Serbisë.

Po ashtu, ai ka thënë se edhe Presidentja Vjosa Osmani bën pjesë në çdo veprim të kryeministrit.

“As armët e blera kineze, as armët e blera ruse, as lufta e madhe hibride serbo-ruse në Kosovë, as strukturat kriminale serbe në territorin e Kosovës nuk e kanë ndihmuar agjendën serbe në Kosovë aq sa e ka ndihmuar Albin Kurti me politikën e tij anti-amerikane dhe kundër aleatëve. Serbia do të jepte miliarda vetëm që ta largonte Kosovën nga mbrojtja amerikane dhe vendet e tjera aleate. Albini e largoi Kosovën pa pagesë fare.

Politika e Kurtit sot në Uashington çdo ditë e më shumë konsiderohet si politikë gati armiqësore, kurse Evropa e udhëhequr nga Gjermania, me atë që tha Sarrazin, po e përjashton Kosovën nga Procesi i Berlinit dhe nga çdo nismë rajonale. Evropa po instalon politikë 6 minus 1 në Ballkanin Perëndimor. Ky minus është Kosova: e përjashtuar nga çdo proces integrues, e sanksionuar dhe me pritje të fuqizimit të sanksioneve dhe masave të tjera izoluese.

Kosova ka një presidente koti që pas katër vitesh qeverisje merr guximin të dalë në televizion dhe për 40 minuta të flasë sa e rëndësishme është SHBA-ja për Kosovën, sikur gjatë këtyre katër viteve ajo të kishte qenë në hënë. Një përpjekje e mjerë për ta hequr përgjegjësinë nga vetja dhe për ta ngarkuar vetëm Kurtin. Gabim, zonja Presidente. Në çdo ndyrësirë të Kurtit, ti je në mes të saj”, shkroi Haradinaj.

Batusha: Këto janë deklarata fiktive

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se Haradinaj i bënë këto deklarata për dy arsye, ose nga sikleti për kalimin e pragut zgjedhor ose nga frustërimi për largimin e Radoiçiqit nga skena në Kosovë.

“Janë dy arsye të mundshme për këto deklarata fiktive: Sikleti për kalimin e pragut zgjedhor dhe frustrimi për largimin e Radoiçiqit nga skena në Kosovë.

Kosova është dhe do mbetet nën mbrojtjen amerikane përjetë”, deklaron deputeti i Lëvizjes Agon Batusha.

Image
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha

Ahmeti: Haradinaj me këtë logjikë të komunikimit po bënë vetëvrasje politike

Analisti Hidajet Ahmeti potencon se Haradinaj po e ashpërson gjuhën dita-ditës, sepse me këtë po kuptohet që ai ka humbur terrenin për të fuqizuar veten dhe partinë e tij.

“Këto akuza politike të pabazuara nuk do t'i ndihmojnë zoti Haradinajt për ta marrë ndonjë votë nga trupi elektoral i Vetëvendosjes. Gjuha e tij, dita ditës vetëm ashpërsohet, pasi çdo ditë e më shumë zoti Haradinaj po e kupton se e ka humbur terrenin për të fuqizuar veten dhe partinë tij.

Kish qenë e rrugës që zoti Haradinaj të jetë konstruktiv e të prek temat ku ballafaqohen qytetarët e këtij vendi e jo të lëshohet në rrafshin personal, të cilat padyshim që nuk do t'i sjellin vota në zgjedhje”, shprehet ai.

Image
Analisti Hidajet Ahmeti

Sipas tij, logjika e komunikimit të Haradinajt është vetëvrasje politike, duke thënë se nuk po iu ofron qytetarëve zgjidhje racionale, por po bënë akuza të pabazuara.

“Mendoj se zoti Haradinaj me këtë logjikë të komunikimit po bënë vetëvrasje politike, duke minuar terrenin e tij për zgjedhjet e ardhshme. Qytetarët nuk duan por as nuk meritojnë një komunikim të tillë, por ata janë të interesuar se kush çka ju ofron në zgjedhjet e ardhshme dhe cili prej tyre ka zgjidhje më racionale për problemet e jo me akuza politike të pabazuara”, përfundon ai për gazetën “Bota sot”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat