“Vjosa e vetme!”, çfarë fshihet pas paralajmërimit të fuqishëm të presidentes – Sa e thellë është ‘krisja’ me Kurtin e Gërvallën?

Politika

“Vjosa e vetme!”, çfarë fshihet pas paralajmërimit të fuqishëm të presidentes – Sa e thellë është ‘krisja’ me Kurtin e Gërvallën?

Arife Morina Nga Arife Morina Më 11 shtator 2024 Në ora: 15:02
Osmani, Kurti, Gërvalla dhe Konjufca

Skena politike ka filluar të ‘trazohet’ me caktimin e datës për zgjedhje parlamentare.

Një nga çështjet më të përfolura së fundi janë raportet e kryeministrit Albin Kurti dhe ministres Donika Gërvalla me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.

Ndonëse, tash e një kohë flitet për një përçarje të mundshme mes tyre, nuk kishte asnjë konfirmim nga asnjëra palë.

Por, së fundi, në një intervistë televizive, presidentja Vjosa Osmani, dha një paralajmërim të fortë: “Nuk më heqin qafe edhe aq lehtë.”

Nuk dihet saktë se kujt po i referohej ajo, por që aludimet na dërgojnë se ishte mesazh për Kurtin e Gërvallën.

Po ashtu, gazetarja Jeta Xharra gjatë intervistës e pyeti presidenten Osmani: “A mendon që ke me vazhdu me qenë n’ politikë pas postit të presidentes?”

Presidentja Osmani u përgjigj në mënyrë interesante: “Nuk m’ heqin qafe edhe aq lehtë.”

Para kësaj pyetjeje, Xharra e pyeti Osmanin se a do të hidhërohej nëse Lëvizja Vetëvendosje nuk do ta kandidonte përsëri për presidente dhe a do të donte të kishte një mandat të dytë.

Osmani u përgjigj: “Ende nuk e kam vendosë një gjë të tillë, t’ them shumë sinqerisht, për shkak se ka shumë faktorë që duhet me u marrë parasysh.”

Kujtojmë se, Osmani shpeshherë ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për tema të ndryshme, kryesisht për politikën e jashtme.

Mirëpo, se a pritet ndonjë lëvizje politike nga Osmani dhe se cila do jetë e ardhmja politike e saj, për gazetën tonë folën analistët politikë.

Xani: Lista Guxo me gjasë është renditur prapa LVV dhe është kundër presidentes Osmani

E për këtë çështje në një prononcim për “Bota sot” foli analisti politik, Visar Xani.

Image
Visar Xani

Si fillim, ai u shpreh se Osmani e di së pa mbështetjen e Kuvendit nuk mund ta marrë një mandate tjetër si presidente, dhe se gjithë këto përplasje nuk do e ndihmojnë atë drejtë qëllimit të saj.

“Presidentja Osmani e ka të njohur se rikandidimi për një mandat tjetër, nëse nuk ka mbështetje në Kuvendin e Kosovës është në gjasa zero.

Prandaj, gjithë këto përplasje dhe këto probleme, nuk besoj që do arrijnë t’i fitojë mbështetjen e partive që do t'i fitojnë zgjedhjet, për t’ia vazhduar dhe një mandat tjetër”.

Krahas paralajmërimit se nuk mund ta “heqin qafe lehtë”, Xani tha se Osmanit nuk i takon të japë deklarata të tilla, marrë parasysh postin që ka.

Po ashtu, tha se rikthimi në garë elektrole, do i sillte probleme LVV-së, por se edhe mundësia e një rikthimi në LDK, duhet të mendohet mirë.

“Nga ana tjetër, me heqjen qafe dhe aq lehtë, konsideroj që nuk i takon të japë deklarata nga presidenca ose pozita e presidentes, por rikthimi i saj në garën politike dhe elektorale mund të ketë probleme për Lëvizjen Vetëvendosje, por për të arritur deri aty ose duhet t'i mendojë zgjedhjet tjera, jo këto që po vijnë tash së shpejti, ose të jep dorëheqje nga pozita e Presidentes dhe të futet pra një garë elektorale, edhe pse partia me të cilën e ka themeluar dhe është bërë president duket se ia ka kthyer shpinën dhe nuk ka vend aty.  Kurse, rikthimi i saj në LDK duhet të kalkulohet mirë nga ajo, sepse mbase edhe mund t'i sjell rrezik politik”, nënvizoi ai.

Ndër të tjera, analisti vlerësoi se Osmani ka bërë gabim kur zgjodhi të jetë president, pasi nga kjo pozitë nuk mund t’i çojë misionet e saj politike para, pasi në postin që është duhet të bëj politika shtetërore.

“Presidentja Osmani tashmë ka një bagazh politik dhe konsideroj që edhe mosha, edhe përvoja e saj mund të bëjë një person interesant për zgjedhësit dhe nga ky aspekt mund të jetë një kontribut i mirë për skenën politike dhe partitë politike në Kosovë.

Prandaj, unë konsideroj që presidentja Osmani në kohën kur zgjodhi për t'u bërë presidente, besoj që e ka bërë një gabim sepse do të kishte më shumë angazhim si krye-parlamentare edhe për t'i çuar misionet e saj politike në vend dhe nga aty ku është, nuk mund të bëjë politikë elektorale, por mund dhe duhet të bëjë politikë shtetërore ose ndryshe të pajtohet me atë se çka ka ndodhur deri më sot. Lista Guxo me gjasë është renditur prapa LVV dhe është kundër presidentes Osmani nga përplasjet dhe problemet që i ka pasur, qoftë me Kryeministrin Kurti dhe problemet e tjera që mbase edhe nuk mund t’i dijmë”, përfundoi Visar Xani për “Bota sot”.

Kapiti: Vjosa nuk duhet ta gënjejë veten se ajo detyrimisht mund të jetë përsëri Presidente e Kosovës

Image
Skënder Kapiti

Kurse, opinionisti Skënder Kapiti këtë e ndërlidhi me LDK-në dhe rugovizmi, ku këtë të fundit e ka përdorur edhe Osmani për të ardh në pushtet.

Mirëpo, ai ia rikujtoi Osmanit, se ishte LVV që e bëri atë presidente.

“LDK-së aktuale i ka mbetur koha politike te e shkuara e saj, dhe këta të sotmit mundohen që të mashtrojnë elektoratin sikur këta janë rugovistë besnikë, kur realiteti ua ka çjerrur maskën dhe përballë realitetit ata janë të diskredituar për ato akrobacira politike të pandershme dhe të pasinqeta dhe tradhtare që ata kanë bërë karshi anëtarësisë së sinqertë dhe të vërtetë të LDK-së. Edhe Presidentja Vjosa Osmani gjatë fushatës e ka përdorur rugovizmin për të marrë besimin dhe votat e anëtarëve të LDK-së. Por, Vjosën presidente e ka bërë Lëvizja Vetëvendosje”, nënvizoi ajo.

Gjithashtu, opinionisti ia bëri me dije Osmanit, se jo edhe mund të mos zgjidhet sërish presidente e vendit, derisa tha se si e kanë bërë president, edhe mund ta heqin lehtë nga ajo pozitë.

“Mirëpo, Vjosa nuk duhet ta gënjejë veten se ajo detyrimisht mund të jetë përsëri Presidente e Kosovës, kur ajo thotë se: “nuk më heqin qafe dhe aq lehtë”. Por, i duhet kujtuar asaj që të mos harrojë se ashtu sikurse që edhe u bë presidente aq lehtë, aq lehtë edhe mund ta heqin atë.

Dhe këtë besoj se e di Vjosa, nëse ajo e njeh ligjin e demokracisë, që për gjithçka vendosë vota.

Nëse Vjosën nuk do e mbështesë më LVV, çfarë mendon ajo, se do ta mbështesin për president anëtarët e LDK-së, fanatikët dhe ata që kanë qenë në koalicion me PDK, AKK e Nisma-n. Vjosa duhet ta dijë dhe nëse nuk e di po ia them unë, se pa mbështetjen e LVV, ajo dhe Lista Guxo do përfundojnë si ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dhe ish-LSI e tij”, përmbylli Skënder Kapiti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat