“Gozhda e fundit në arkivol” – Zbërthehet deklarata e Konjufcës: Dialogu Kosovë – Serbi do të vazhdojë, por...

Politika

“Gozhda e fundit në arkivol” – Zbërthehet deklarata e Konjufcës: Dialogu Kosovë – Serbi do të vazhdojë, por...

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 11 shtator 2024 Në ora: 17:12
Albin Kurti dhe Aleksander Vuçiq

Gjatë ditës së hënë Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se dialogu me Serbinë është në një qorrsokak nga i cili nuk ka shumë rrugëdalje.

Sipas tij, pas aktit të agresionit të Serbisë në Banjskë të Zveçanit vitin e kaluar, është shkatërruar minimumi i mirëbesimit që kërkohet në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Ai akuzoi edhe bashkësinë ndërkombëtare që sipas tij po tregohen të njëanshëm në këtë proces.

““Ajo që ndodhi në Banjskë ishte gozhda e fundit ndoshta në arkivolin e dialogut të Brukselit, sa i përket dialogut i cili kishte filluar në vitin 2011. Kështu që, i takon bashkësisë ndërkombëtare të jetë shumë më e përcaktuar se çka po dëshiron. Nëse dëshiron palë të barabarta në dialog, si dy shtete, nëse dëshiron dhe ende mendon që principi i Marrëveshjes së Ohrit që palët të funksionojnë si shtete sovrane të kombeve të bashkuara, ashtu siç shkruan, nëse bashkësia ndërkombëtare e ndan mendjen që të ecet në këtë rrugë, Kosova është e gatshme”, tha Konjufca.

Natyrisht që kjo deklaratë mori vëmendje nga opinoni vendor mirëpo sjelli edhe reagimin nga BE.

Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian ka reaguar lidhur me bllokadat nëpër pika kufitare nga Serbia, dy ditë pasi u hapën pikë kalimet.

Zëdhënësi Peter Stano ka thënë se të gjitha shtetet duhet të zbatojnë marrëveshjen për lirinë e lëvizjes.

“Liria e tubimit paqësor, duke respektuar ligjin, është absolutisht thelbësore në çdo demokraci. Megjithatë, personat e maskuar në Serbi, pranë pikave të përbashkëta të kalimit, që bllokojnë trafikun që vjen nga Kosova dhe frikësojnë udhëtarët, nuk bëjnë pjesë në këtë kategori. Marrëveshja e dialogut e vitit 2011 për lirinë e lëvizjes përcakton qartë parimin e udhëtimit të lirë brenda ose përmes territorit të palës tjetër. Është përgjegjësi e secilës palë që t’i zbatojë ato dispozita në territorin e saj, në këtë rast Serbisë”, ka thënë Stano.

Të gjendur në këtë situatë a ka ardhur koha për një qasje apo platformë të re nga ndërkombëtarët për dialogun Kosovë - Serbi, ku do të mbizotëronte paanshmëria e tyre duke qenë se gjithçka është e hapur ende me Serbinë? 

Elezaj: Jam i bindur, se me ardhjen e znj. Kaja Kallas do të ketë përfaqësues të paanshëm dialogu Kosovë – Serbi

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Rexhep Elezaj.

Image
Rexhep Elezaj

Ai thotë se kjo deklaratë e Konjufcës vjen e vonuar pasi po bëhet gati një vit nga agresioni në Banjskë.

Sipas tij, dikush duhet të jap përgjegjësi politike për dështimet e qeverisë Kurti.

“Deklarata e kryetarit të Kuvendit, z. Glauk Konjofca, “se dialogu Kosovë-Serbi ndodhet në një qorrsokak, dhe se me 24 shtator te vitit 2023 u vendos "gozhda e fundit në arkivol", sipas mendimit tim, vjen si shumë e vonuar, kur dihet, se që nga agresioni ushtarak dhe terrorist i Serbisë ndaj Republikës së Kosovës në Banjskë, po bëhet gati një vit, derisa qeveria e Kosovës, gjegjësisht partia në pushtet e z. Konjufca, i cili është edhe nënkryetar i saj, përveç se nuk e kanë ngrirë dialogun me Serbinë për shkak të sulmit terrorist në Banjskë, ata vazhduan të dërgojnë në takime në Bruksel krye-negociatorin e Kosovës, z. Bislim Bislimi, me fashistin racist serb, Petar Petkoviçin, pa i vendosur asnjë kusht vazhdimit të dialogut me Serbinë.

Ndërsa, tani pas gati një viti del dhe thotë, se "dialogu ka vdekur, dhe se me 24 shtator të vitit 2023 u vendos gozhda e fundit në arkivol", kurse në ndërkohë Kosovës, as nuk iu hoqën masat ndëshkuese të BE-së, dhe as që u pranua në KiE pas dhënies së 24 hektarëve tokë manastirit të Deçanit, pra dështim pas dështimi, pa dhënë askush përgjegjësi politik nga qeveria e Albin Kurtit”, u shpreh ai.

Më tej, analisti nuk e sheh si risi këtë deklaratë të Konjufcës, pasi dialogu me Serbinë do të vazhdojë, pa marrë parasysh se çfarë qëndrimesh do të ofrojë Kosova në të ardhmen.

“Madje, deklarata e z. Konjufca nuk paraqet asnjë risi në planin e ndonjë platforme të re në qasjen e BE-së ndaj dialogut Kosovë-Serbi, por as ndonjë qëndrim të ri të qeverisë së Kosovës në dialog, sepse duke u marrë me disa çështje sekondare, siç është hapja e urës mbi Ibër, e jo me çështje madhore për Kosovën, siç është sjellja e njohjeve të reja për pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimi i saj në UNESCO, UNDP, KiE, Interpol, ËHO, etj., pastaj hyrja në konflikt me SHBA-të për veprimet e pakoordinuara të qeverisë Kurti me aleatët tanë strategjik, mbajtja e qetësisë dhe sigurisë në veri të Kosovës me polici, pa bërë asnjë hap për integrimin e komunitetit serb në shoqërinë kosovare, etj., pa asnjë dilemë, këto veprime e kanë sjellë Kosovën në qendër të kritikave si dhe të ndëshkimit të saj nga ana e BE-së, që ky diskurs fund e krye ka qenë një politikë e gabuar dhe shumë e dëmshme për të ardhmen e Kosovës.

Dialogu me Serbinë do të vazhdojë, pa marrë parasysh se çfarë qëndrimesh do të ofrojë Kosova në të ardhmen, sepse pa normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, as Kosova dhe as Serbia nuk mund të bëjnë hapa drejt anëtarësimit në BE, kur dihet se ky është njëri ndër standardet kyçe të BE-së, që vendeve pretenduese për anëtarësim marrëdhëniet me fqinjët duhet t’i kenë të rregulluar dhe pa konflikte të hapura mes tyre”, shpjegoi analisti.

Ndër të tjera, Elezaj shprehet i bindur që me ardhjen e Kaja Kallas do të ketë një dialog të paanshëm.

“Jam po ashtu i bindur, se me ardhjen e znj. Kaja Kallas në krye të Komisionit të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, si dhe të emërimit të ndonjë ndërmjetësuesi të saj të paanshëm në dialogun Kosovë-Serbi, rrjedha e dialogut do të merr dimension të ri, por edhe fundi i tij do të jetë më afër, me shpresën se ai do të përmbyllet me një marrëveshje gjithëpërfshirëse, të obligueshme juridikisht, si dhe të zbatueshme për të dyja palët njësoi, ashtu siç ka kërkuar BE-ja me Planin e saj franko-gjerman, të miratuar në Bruksel dhe Ohër në fillim të vitit 2023”, foli Elezaj për “Bota sot”.

Ahmeti: Qasje e BE-së si ndërmjetëse në dialog ka qenë shumë destruktive

Image
Hidajet Ahmeti

Ndërsa analisti tjetër politik, Hidajet Ahmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha që nga fillimi qasja e BE-së në dialog ka qenë e njëanshme dhe e vazhdueshme ani pse është kërkuar dialog të drejtë.

“Qasje e BE-së si ndërmjetëse në dialog ka qenë shumë destruktive, por edhe e njëanshme. Institucionet e Kosovës në shenjë pakënaqësie shumë herë kanë protestuar, por BE prapë ka vazhdua me logjikën e njejtë”, shtoi ndër tjera ai.

Në fund, ai shton që derisa BE ta sanksionojë Serbinë nuk do të ketë dialog kuptim.

“BE duhet të reflektoj në qasjen e saj në dialog, pasi dialogu me standarde të dyfshita nuk prodhon rezultate të qëndrueshme dhe objektive. Kosova në këtë rrugëtim ka nevojë të çlirohet nga imponomi i vazhdueshëm ndërkombëtar, pasi nuk mund të vazhdohet edhe më tutje me eksperimente me çështje të ndjeshme të shtetësisë. Përderisa BE nuk do të sanksionoj Serbinë, dialogu nuk do të ketë kuptim, pasi ato grupe kriminale kanë qenë të dirigjuara kryekëput nga Serbia”, përfundoi Ahmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat