Rritja e tensioneve në veri: KFOR-i njofton për patrullime rutinore, ndërsa paralajmërimet për eskalim rriten

Politika

Rritja e tensioneve në veri: KFOR-i njofton për patrullime rutinore, ndërsa paralajmërimet për eskalim rriten

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 11 shtator 2024 Në ora: 19:03
KFOR

KFOR-i ka një mision paqeruajtës, por kohët e fundit shtetet anëtare të NATO-s kanë rritur numrin e ushtarëve në Kosovë për shkak të tensioneve në veri të Mitrovicës. Shefi i CIA-s dhe NATO kanë bërë paralajmërime për mundësinë e përshkallëzimit të situatës. Po ashtu, presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka kërcënuar Kosovën me masa serioze, duke cituar "gjendjen e mjerueshme të serbëve" në Kosovë dhe duke thënë se do të ndërmerren veprime brenda 72 orësh.

Të hënën që kaloi, KFOR-i njoftoi për patrullime në dy komunat veriore, Leposaviq dhe Zubin Potok. Këto patrullime u përshkruan si rutinore. Sipas njoftimit të NATO-s, patrullat janë një nga aktivitetet e zakonshme që KFOR-i kryen në përditshmëri për të mbështetur sigurinë e qëndrueshme në të gjithë Kosovën.

“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, që ka për qëllim garantimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët dhe komunitetet në Kosovë, si dhe garantimin e lirisë së lëvizjes në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”.

Dashevci: Patullimet janë pjesë rutinore e tyre dhe punë operacionale

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Arben Dashevci, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, nënvizon se aleanca e NATO-së, është ajo që e solli lirinë në Kosovë, andaj edhe patrullimet dhe ushtrimet të cilat i bëjnë janë pjesë rutinore e tyre dhe punë operacionale.

“Misioni dhe vizioni i NATO është të prodhoj siguri për të gjithë qytetarët pa dallim dhe duke i respektuar të drejtat dhe liritë e njeriut njwjtë për të gjithë dhe kjo duhet përshëndetur.

Është aleanca NATO ajo që e solli lirinë në Republikën e Kosovës na largoi sistemin okupues famëkeq serb të kasapit të ballkanit Milosheviç.

NATO me misionin e saj në Republikën e Kosovës KFOR i kryen ushtrimet, patrullimet në çdo pjesë të Republikës së Kosovës.

Këto patrullime dhe ushtrime sipas mendimit tim janë pjesë rutinore e tyre dhe punë operacionale që duhet respektuar sepse krijojnë siguri për të gjithë qytetarët pa dallim dhe largojnë pasigurinë.

Nuk mendoj që fshihet asgjë nga këto ushtrime ose patrullime rutinore sepse kemi të bëjmë me NATO, aleancën ushtarake më të fuqishme në botë”, shprehet ai.

Image
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Arben Dashevci

Sa i përket mundësisë së destabilizmit, Dashevci potencon se nuk mund të ketë eskalim, duke përmendur edhe veprimin e fundit të serbëve të cilët bllokuan kufijt me Kosovën, por ishin të destinuar të dështojnë.

“Përshkallëzim ose destabilizim të situatës në aspektin e brendshëm të sigurisë nuk pres assesi, sepse ata që e kanë destabilizuar situatën në Republikën e Kosovës nuk janë më, kanë ikur prej nga kanë ardhur pra, janë në Serbi dhe janë në listën e kuqe të Interpolit.

Njerëzit me maska që bllokuan rrugët afër kufirit me Republikën e Kosovës mendoj se e kishin përkrahjen e establishmentit politik dhe institucioneve të sigurisë në Serbi.

Ishin të destinuar në dështim të plotë sepse qysh në fillim nuk e kishin përkrahjen e qytetarëve atje në territorin e tyre, ata bllokuan veten e tyre pak orë, bllokuan lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve, automjeteve që është në kundërshtim të plotë me vlerat evropiane.

Ashtu si e bllokuan territorin e tyre pas sa orësh liruan rrugët dhe u tërhoqën duke pas parasysh që qysh nga fillimi ishin të destinuar për dështim.

Ata assesi nuk kanë ndikuar dhe nuk mund të ndikojnë në përkeqësim të situatës matanë lumit Ibër.

Sipas mendimit tim ishte përpjkekje që të mbajnë ose tentojnë të mbajnë situatën në tension por dështuan”, vlerëson ai.

Meha: Këto janë shenja të qarta se mundësia e përshkallëzimit të gjendjes në veri të Kosovës është e lartë

I kundërt me Dashevcin është Xhevat Meha.

Njohësi i sigurisë, Meha, thotë se këto janë shenja të qarta se mundësia e përshkallëzimit të gjendjes në veri të Kosovës është e lartë.

Madje, ai thotë se edhe presidenti serb, Vuçiq, bëri një deklaratë të tillë, se do të merren masa serioze brenda 72 orëve.

“Dje u raportua se KFOR-ri është duke kryer patrullime gjë që edhe pse nuk u tha u nënkuptua se ka shtim të patrullimeve. Me herët është raportuar për shtim të trupave të KFOR-it në Kosovë. Po ashtu para disa ditëve, CIA dhe NATO kanë paralajmëruar për mundësinë e përshkallëzimit të gjendjes në veri të Kosovës.

Këto janë shenja të qarta se mundësia e përshkallëzimit të gjendjes në veri të Kosovës është e lartë. Kësaj duhet t'i shtohet edhe deklarata e sotme nga Vuçiç se brenda 72 orëve do të merren masa serioze në mbrojtje të serbëve të Kosovës. Kur kësaj i shtohen edhe raportimet se janë rreth 400 individë duke u stërvitur nëpër kazermat ushtarake të Serbisë plotësohet mozaiku. Tani kemi edhe afatizim kohor nga Vuçiçi se diçka do të ndërmerret nga Serbia. Në gjykimin tim, janë duke u bërë hapa që pashmangshëm po dërgojnë drejt një konflikti në veri të Kosovës”, deklaron ai për “Bota sot”.

Image
Njohësi i sigurisë, Xhevat Meha
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat