Politikani serb, Aleksandër Arsenijeviq, u arrestua të martën pasi kishte fishkëlluar gjatë vizitës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në veri të vendit.
Arsenijeviçi u arrestua për prishje të rendit dhe qetësisë publike.
Duke dhënë detaje më tepër rreth ngjarjes, politikani ka thënë se ajo ka qenë protestë e tij, ndërsa sjellja e policisë ka qenë brutale.
“Ka pasur një protestë nga ana ime dhe sjellja e policisë ka qenë brutale, jo vetëm ndaj meje por edhe ndaj të dashurës sime. E këtë e shoh të paarsyeshme, pasi reagimi im ishte protestë për vizitën e Kurtit në Hebs të Mitrovicës Veriore. Gjatë protestës sime ka pasur afrim të policisë të cilët mua më sjellën në mes këmbë ndërsa të dashurës sime ia kanë përdredhur dorën”, u shpreh ai.
Për arrestimin e tij, kryeministri Kurti nuk ka dashur të japë komente më tepër, duke thënë se për këtë çështje është Policia dhe Inspektoriati Policor.
“Kush ka vërejtje në Policinë e Kosovës, është Inspektorati i Policisë së Kosovës, unë nuk i bëj dot këto dy institucione, nuk kam as të drejtë as dëshirë të zëvendësoj”, ka thënë Kurti në një prononcim të shkurtër për media.
Ai ka refuzuar të përgjigjet në pyetjen se a do të kërkojë llogari nga Policia e Kosovës për këtë rast.
Duke komentuar arrestimin e politikanit serb, eksperti i sigurisë Drizan Shala, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se veprimet e policisë janë në çdo cep të territorit.
Sipas tij, persona të tillë duhet të përballen dhe jo Serbia të mbajë atë narrativën jo normale dhe jo logjike.
“Veprimet institucionale të PK janë në çdo cep të territorit të vendit për të ofruar rend dhe siguri për çdo qytetar të saj. Personat të cilët veprojnë në kundërshtim normativën e vendit do të përballen me konsekuencat e parapara dhe nuk mund të paraqitet si veprim me tendencë duke tentuar Serbia të mbajë atë narrative të saj jo normale dhe jo logjike”, shprehet Shala.
Sipas tij, çdo veprim që mendohet tejkalim të kompentencave kanë mekanizmat e saj.
“ Çdo veprim që mendohet qe ka tejkalim të kompetencave institucionet tona kanë mekanizmat e saj mbikëqyrës të veprimeve apo mos veprimeve sipas procedurave dhe elementeve tjera normative”, përfundon Shala.