Tërheqja e letrës së Bërnabiq/ “Prapaskenat dhe planet që po kurdisen”: Po tentohet që…!

Politika

Tërheqja e letrës së Bërnabiq/ “Prapaskenat dhe planet që po kurdisen”: Po tentohet që…!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 12 shtator 2024 Në ora: 07:59
Ana Bërnabiç

Dialogu Kosovë – Serbi është duke vazhduar tash e disa vite. Marrëveshjet e nënshkruara nuk po gjejnë zbatim, edhe pse ndërkombëtarët po kërkojnë që kjo të ndodhë. 

Ajo që mori vëmendjen ishte se në dhjetorin e vitit të kaluar është dërguar një letër nga kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, në të cilën ajo konfirmon se ka vija të kuqe kur është fjala për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën. 

Ky është hera e parë që ky shtet, me shkrim, deklaron se nuk do t’i zbatojë disa nene të kësaj marrëveshjeje. 

Kjo letër u rikthye përsëri në temë diskutimi ditëve të fundit.

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se Serbia ka tërhequr letrën e dërguar bllokut vitin e kaluar, ku shprehte rezerva për Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve.

Pas takimit me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi në Prishtinë, Lajçak tha se letra është tërhequr dhe marrëveshja është ende valide. Ai po ashtu tha se kohë pas kohe ka deklarata që nuk ndihmojnë në zbatimin e marrëveshjeje.

"Jo, Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e obligueshme dhe po punojmë në zbatimin e saj. Asnjëra palë nuk është tërhequr nga kjo marrëveshje dhe po diskutojmë me Kosovën dhe Serbinë se si ta përshpejtojmë zbatimin", tha Lajçak.

Gjithashtu në lidhje me këtë letër ka folur gjatë ditës së djeshme edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Stano ka thënë se nuk ka çfarë të shtojë më shumë sesa deklaratat e të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Megjithatë, pak dihet se si është tërhequr letra, kur ka ndodhur kjo.

Deri më tani nga Serbia nuk kemi një konfirmim të tillë.

Por çfarë mund të fshihet pas kësaj tërheqje?

Mehazi: Shkurt e qartë tërheqja e letrës serbe e ka simbolikën e konflikteve dhe luftës serbe në Kosovë

Image
Profesori dhe analisti, Sulejman Mehazi

Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori Sulejman Mehazi.

Ai kritikon ndërkombëtarët për këtë heshtje ndaj tërheqjes së letrës dhe mosdhënien e detajeve tjera.

Profesori shton tutje se me këto veprime mund të vërtetohet që se dialogu paqësor në mes Kosovës dhe Serbisë ka përfunduar me vdekje dhe se do zëvendësohet me distancë të ashpër dialoguese në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Tërheqja e letrës për zbatimit e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën nga ana e ish-kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, dhe heshtja e Zëdhënësit të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, dhe emisarit pervez të BE-së, Lajçakut, tregon se dialogu paqësor në mes Kosovës dhe Serbisë ka përfunduar me vdekje dhe se do zëvendësohet me distancë të ashpër dialoguese në mes Kosovës dhe Serbisë. Heshtja e Stanos e Lajçakut për tërheqjen e letrës paqësore të Ana Brnabiqit tregon inferioritetin e tyre përballë Vuçiqit dhe qeverisë së Serbisë. Dhe vetë zëdhënësi i BE-së Stano, gjatë pyetjes për tërheqjen e letrës serbe u shpreh: "se tërheqja e letres nuk na takon neve, por autoriteteve të Serbisë", gjersa me hapjen e urës së Ibrit kërcejnë e kukurisin Stano e Lajçak si gjela duke thënë se ura e Ibrit na takon neve e jo autoriteteve të Kosovës. Sa e thellë është hipokrizia e Stanos për tërheqjen e letrës serbe për realizimin e dialogut paqësor me Kosovën thotë: "ju takon autoriteteve serbe", kurse për hapjen e urës së Ibrit, thotë të kundërtën, ju takon autoriteteve të BE-s, kurrsesi autoriteteve të Kosovës”, shpjegon ai.

Profesori, ndër tjera thotë që BE nuk ka guxim ta kundërshtojë Vuçiqin dhe se vetëm SHBA e Britania e Madhe mund ta paqësojnë Kosovën me Serbinë.

“Pasi BE-ja heshtë e nuk guxojnë ta kundërshtojnë Vuçiqin për heqjen e letrës paqësore të marrëveshjes bazë të Ohrit, atëherë sa nuk është vonë i jepet e drejta SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe për të ndërhyrjen e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë. Vetëm SHBA-të dhe Britania e Madhe mund të paqësojnë Kosovën me Serbinë e kurrsesi BE-ja ruse.

Shkurt e qartë tërheqja e letrës serbe e ka simbolikën e konflikteve dhe luftës serbe në Kosovë”, foli profesori Mehazi për “Bota sot”.

Burjani: Lajak dhe Stano po mbajnë anen e Serbisë

Image
Njohësi i çështje politike, Blerim Burjani

Ndërsa juristi Blerim Burjani në një bashkëbisedim me “Bota sot”, jep disa nga arsyet që kanë sjellë në tërheqjen e letrës së Bërnabiq.

Një nga to është mbajtja e raporteve ndërkombëtarë në favor të tyre.

“Mbajtje në favor politik dhe diplomatik ndërkombëtar në raport me Kosovën këtu asgjë tjetër nuk ka. Rastin e Banjskës nuk e përmendin sepse shkon në disfavor politik ndërkombëtar për Serbinë. BE vazhdon ta mbanë Serbinë afër përkundër të gjitha mospatimëve që kanë dhe kanë pasur”, thotë ai.

Juristi në fund nënvizon që mbajtja e anës së Serbisë nga ana e ndërkombëtarëve ka bërë që Kurti të mos merret më seriozisht me ata.

“Pra rasti i vendosjes së sanksioneve për Rusinë nuk po ia përmendin po sikur rastin e Banjskës, dhe po e ruajnë trendin se serbët në Kosovë janë viktimë e qeverisjes Kurti. Kjo ka bërë që Kurti të mos merret më seriozisht me Stanon apo Lajçak, pra janë këto nga disa arsyet”, përfundoi juristi Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat