Eksperti i sigurisë tregon ku gaboi Kosova për veriun: Kjo gjë po shkakton probleme të pariparueshme

Politika

Eksperti i sigurisë tregon ku gaboi Kosova për veriun: Kjo gjë po shkakton probleme të pariparueshme

Nga: P.R Më: 12 shtator 2024 Në ora: 10:09
Ura mbi lumin Ibër

Edhe pse qeveria e Republikës së Kosovës po insiston në hapjen e Urës së Ibrit në Mitrovicë, urë kjo që është bërë simbol i ndarjes së qytetit, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR thotë se hapja e Urës së Ibrit duhet të ndodhë vetëm përmes dialogut dhe në koordinim me ndërkombëtarët.

“Për sa i përket çështjes së mundësisë së hapjes së Urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë për automjete, qëndrimi ynë ka qenë transparent dhe i qëndrueshëm gjatë gjithë kohës. Çdo vendim në këtë drejtim duhet të merret përmes dialogut dhe në koordinim të duhur e efektiv me komunitetin ndërkombëtar", thuhet në deklaratën e zëdhënësit të KFOR-it, Salvatore Mascoli.

E lidhur me mundësinë e hapjes së Urës së Ibrit dhe paralajmërimit të KFOR-it, pë gazetën “Bota sot” ka folur eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

“KFOR-i në bazë të mandatit dhe misionit që ka mund të themi që është duke zbatuar kërkesën që vjen nga pjesa politikes ndërkombëtare e mbështetur në normativen e këtij misioni në vend”, thotë Shala për “Bota sot”.

“Tani mund të themi që disa elemente brenda konceptit kushtetues të vendit kanë marr trajektore negative në mënyrën e mbajtjes se tyre brenda asaj kornize që ka një determinatë të rëndësishme për mbajtjen e këtyre elemente si asete të Kosovës”, shton Shala.

Më tej, ai thotë se institucionet e Kosovës gabuan me qasjen ndaj Veriut të Kosovës, ku është penalizuar veprimi në terren.

“KFOR, por edhe elementi tjetër politik në Bruksel me mandat nga Asambleja e OKB-së kanë paraparë që një mori veprimesh duhet të ndërmerren brenda koncepteve të tyre siç është dialogu (politik e teknik) madje duke miksuar ato në mënyrën që penalizon veprimin e institucioneve tona në terren. Institucionet gabuan në atë mënyrë që nga 2008 shpalljes së pavarësisë, 2011 shtrirjes se autoriteti të saj në veri dhe 2013 vendimit të GJND-së nuk ndërmorën hapa në nivelin ndërkombëtar për të afirmuar gjendjen faktike në terren që është ndryshe nga vendimi për mandat dhe mision të KFOR-it në vend që nga viti 1999” thekson Shala, sipas të cilit, tani kjo gjë po shkakton probleme të pariparueshme.

“Pra këtu e neglizhuam atë proces që tani po na shkakton probleme të pariparueshme dhe rrugëdalje do të jetë me veprime konsekuente ndaj subjektivitetit të vendit dhe institucioneve tona që burim kanë kushtetutën e vendit. Kosova duhet nga kjo situatë të del përmes përmbylljes se proceseve tjera dhe në fund do të del si kërkesë normale edhe hapja e urës që do të bënte vetë faktori ndërkombëtar për të mbajtur kredibilitetin e saj”, përfundon eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat