“Qeverisja më e dobët në historinë e Kosovë”, reagohet ndaj opozitës: PDK dhe AAK e kanë sjellë..

Politika

“Qeverisja më e dobët në historinë e Kosovë”, reagohet ndaj opozitës: PDK dhe AAK e kanë sjellë..

Naile  Ejupi Nga Naile Ejupi Më 12 shtator 2024 Në ora: 15:29
Ramush Haradinaj, Lumir Abdixhiku dhe Memli Krasniqi

Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë deklaruar se në këto tri vite e gjysmë qeverinë e ka karakterizuar prishja e raporteve me aleatët, vendimmarrja e dobët, antikushtetueshmëria dhe popullizmi.

Sipas tyre, ata do të angazhohen që në sesionin vjeshtor të legjislativit të shpërfaqin dështimet e qeverisë para qytetarëve.

Qeveria Kurti është duke u kritikuar nga partitë që tashmë e kanë pasur pushtetin, ndërsa gjatë qeverisjeve të tyre, sidomos (PDK- AAK), Kosova në raportet ndërkombëtare ishte ranguar në mesin e vendeve me krim e korrupsion dhe drejtësi të kapur.

Rreth kësaj çështjeje kanë folur edhe analistët politikë, të cilët thonë se falë PDK-së dhe AAK-së, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar me 51 për qind, por sipas tyre, as pushteti aktual nuk ka arritur të çlirohet nga disa praktika.

Burjani: LDK mund të jetë alternativë e ardhme e qytetarëve, ndërsa PDK dhe AAK nuk kanë më mundësi të jenë të zëshëm

Analisti Blerim Burjani, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se korrupsioni, papunësia, tenderomania, nepotizmi në punësim dhe punësimi partiak, ka bërë që Lëvizja Vetëvendosje të fitojë 51 për qind.

Sipas tij, përjashtim bën vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës, që është e vetmja parti me më pak probleme të kësaj natyre.

Image
Blerim Burjani

“Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, janë shkaktarët e ardhjes së Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet. Pra, korrupsioni, papunësia, tenderomania, nepotizmi në punësim dhe punësimi partiak, keqpërdorimi i pushtetit ka bërë që Lëvizja  Vetëvendosje të fitojë 51 për qind. Nuk kanë arsye që të ankohen në VV, përjashtim bën Lidhja Demokratike e Kosovës që është e vetmja parti me më pak probleme të kësaj natyre”, shprehet Burjani.

Sipas tij, PDK dhe AAK nuk kanë më mundësi të jenë të zëshëm, sepse ata e sollën Kosovën deri këtu me plot pakënaqësi.

“LDK mund të jetë alternativë e ardhme e qytetarëve, ndërsa PDK dhe AAK nuk kanë më mundësi të jenë të zëshëm, ata e sollën Kosovën deri këtu me plot pakënaqësi, humbi respekti, por humbi edhe shpresa se qytetarët mund të punësohen pa nepotizëm dhe meritë.  Largimi i qytetarëve po ndodh tash për shkak të punësimit të VV-së në borde, në ndërmarrje publike, në BQK dhe kështu nuk shkon më”, shton analisti. Kritikat e tri partive opozitare erdhën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku shefat e grupeve parlamentare kanë folur.

Çka tha opozita?

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se do të angazhohen aktivisht që vendit t’i japin një qeveri të re pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Ai ka theksuar se Kosova s’ka qenë asnjëherë në pozicion më të pavolitshëm me aleatët ndërkombëtarë.

“Angazhimi parlamentar i joni do të shkojë që vendit t’i japim një qeveri të re pas zgjedhjeve të 9 shkurtit që do të mbahen në vendin tonë. Në këtë kohë, në këtë përplasje me miqtë tanë dhe ata që na kanë ndihmu në ndërtimin e shtetit të Kosovës dhe anën tjetër bllokimin e vendit si në aspektin ekonomik, të shëndetësisë, arsimit dhe stagnimit në të gjitha fushat të tjera. Në këto tri vite e gjysmë është bërë shumë pak në mënyrë që të ecim me zhvillimet e duhura që kanë ecë rajoni dhe BE-ja... 19:54 Republika e Kosovës prej shpalljes së pavarësisht s’ka qenë asnjëherë në pozicion më të pavolitshëm në raport me partnerët ndërkombëtarët. Fatkeqësisht sjellja jonë jo e duhur siç e thonë edhe miqtë tanë amerikanë në raport me interesat kombëtare nuk ka qenë korrekte gjatë kësaj periudhe. Kemi ardhur në pikën siç thonë diplomatët amerikanë se Serbia është në anën e duhur, kjo e cila nuk është imagjinuar ndonjëherë”, ka deklaruar ai.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi e konsideroi këtë legjislaturë të Kuvendit, por edhe ekzekutivin si më të dobët në histori të Kosovës.

“Kjo legjislaturë, me këtë qeveri dhe këtë qeverisje mund të konsiderohet si qeverisja më e dobët në historinë e Kosovës. Në aspektin e vendimmarrjes, në aspektin e ndërtimit të konsensusit politik dhe në aspektin e përfaqësimit institucional të Kosovës. Është karakterizuar me një tendencë të kapjes së institucioneve, pastaj me shkelje të vazhdueshme të përsëritura të Kushtetutës dhe me tendenca të vazhdueshme për paaftësinë e vendimmarrjes së Kuvendit në aspektin e mbikëqyrjes parlamentare”, ka deklaruar ai.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se Kosova ka pësuar dobësim serioz në temat e brendshme ashtu edhe në raportet ndërkombëtare.

“Kosova me qeverisjen katër vjeçare të kryeministrit Kurti ka pësuar një dobësim serioz në rrafshin e brendshëm, si në rrafshin e jashtëm. Dëgjuam këtu se pat komunikim rreth marrëveshjeve ndërkombëtarë, të njëjtat s’kanë qenë problem. Problem ka qenë menaxhimi i brendshëm i Kosovës duke kthyer Kosovën prapa në secilën sferë të jetës dhe duke sjell Kosovën në standin më të ulët qeverisës, zhvillimor dhe kombëtarë”, ka theksuar ai.

Kasolli: Opozita duhet ta lexojë ndryshe rezultatin e 14 shkurtit

Analisti Afrim Kasolli, thotë se partitë opozitare kanë të drejtë të bëjnë kritika.

Image
Afrim Kasolli

Sipas tij, pushteti aktual nuk ka arritur të çlirohet nga disa praktikat.

“Ato kritika kanë të drejtë të bëjnë ndaj çdo abuzimi të mundshëm të pushtetit të Lëvizjes Vetëvendosje. Sepse nuk mund të përdoret kaluara si imunizim për të tashmen dhe të ardhmen. Po ashtu as pushteti aktual nuk ka arritur të çlirohet nga disa prej praktikave sikur se; familjarizimi, rekrutimi dhe punësimi në institucione publike mbi baza partiake, etj të cilat i denonconte ndaj atij që e kishte kualifikuar si “regjim i vjetër”. Me një dallim se këto akte tashme zyrtarët e pushtetit po i justifikojnë se nuk janë fajtor pse kanë qëlluar që familjarët e tyre të mos jenë analfabetë, por të përgatitur profesionalisht. Po ashtu, shumë raporte ndërkombëtare janë duke e ngritur alarmin mbi defektet e pushtetit aktual, si sulmet ndaj drejtësisë, ndaj lirisë së mediave etj. Në raportin për këtë vit organizata ndërkombëtare, Transparency International, kishte konstatuar, se në Kosovë nuk ka “gatishmëri politike për të hequr dorë prej ndërhyrjeve në gjyqësor, dhe ky vend duhet të punojë ende në luftim të korrupsionit” Po ashtu, Organizata tjetër Freedom House me seli në Uashington në raportin e fundit “Vendet në Tranzicion 2024: shkruante, se “sundimi i ligjit në Kosovë po pengohet nga ndërhyrja dhe mosfunksionimi i gjyqësorit, teksa gazetarët vazhdojnë të përballen me kërcënime, veçanërisht në mediat sociale. Ndonëse po ashtu në të njëjtin raport, pohohet “se ka shenja për një lëvizje institucionale kundër praktikave korruptive.”, shprehet Kasolli.

Tutje, sipas tij, politika në Kosovë do të mbetet kohë të gjatë peng i të njëjtit rreth vicioz, me një opozitë që është ndëshkuar nga elektorati nga nevoja për ndryshim dhe një pushtet që nuk e ndjen presionin opozitar.

“Mirëpo, problemi është se ato duhet ta lexojnë ndryshe rezultatin e 14 shkurtit, jo thjesht si aksident, por si apetit dhe dëshirë shoqërore për ndryshime. Që nuk mjafton vetëm kritika apo sulmet publike ndaj deformimeve të pushtetit aktual nëse nuk shoqërohet me reforma të brendshme partiake. Dhe krijim të një alternative tjetër ndaj pushtetit. Sepse përndryshe politika në Kosovë do të mbetet kohë të gjatë peng i të njëjtit rreth vicioz. Ku kemi një opozitë që është ndëshkuar nga elektorati nga nevoja për ndryshim dhe një pushteti që nuk e ndjen presionin opozitar, për aq kohë sa kjo e fundit nuk i përgjigjet kësaj thirrje shoqërore”, përfundon analisti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat